06.03.2015 - Sabile Krasniqit nuk i kujtohet emri i vajzës të cilën e ka lindur në orët e mbrëmjes të se mërkurës në një korridor të Gjinekologjisë se QKUK-së, shkruan sot Koha Ditore.
Thotë se e ka nga “gjithë ato që i ndodhën gjatë lindjes”.
Emri i vajzës i kujtohet pas disa minutash. Kjo nënë ka treguar se vajzën të cilën e ka lindur pas 7 vjetëve martesë e ka shpëtuar zoti, se sa për QKUK-në ndoshta nuk do ta kishte. Qëndrimi i saj në Gjinekologji pak minuta para lindjes është shoqëruar me neglizhencë e ofendime nga stafi mjekësor. QKUK-ja duke u munduar të përgënjeshtrojë se një fëmijë ka lindur në korridor dhe gjatë lindjes ka rënë në dysheme, përmes një komunikate ka konfirmuar se kjo klinikë neglizhon dhe ofendon pacientët.
Sabile Krasniqi thotë se ka pas fat që e kishte veshur një “saballuk” të trashë i cili sipas saj e ka mbrojtur foshnjën që të bie në dysheme.
Burimi: koha.net

