29.02.2012 - Prishtina nuk arriti kurrë të zgjidhë problemin e mungesës së çerdheve për fëmijë. Premtimet se do të bëhet një zgjidhje me partneritet publiko-privat kanë mbetur fjalë në akull.
Këto pak çerdhe janë aq të ngarkuara sa konsiderohet i privilegjuar secili prind që, qoftë edhe me njohtësi, arrin të bëjë një vend për fëmijën e vet. Në fillim janarit, tenderi për institucione të reja parashkollore përmes partneritetit komunë-biznes privat u anulua për shkak të mos plotësimit të kritereve të kërkuara.
Drejtues të institucioneve parashkollore shtetërore, thonë se kanë shumë kërkesa për pranim të fëmijëve, ndërkaq nuk kanë hapësirë.
Mungesa e çerdheve më së shumti po u krijon problem prindërve të cilët shpesh thonë se më vështirë është të regjistrosh fëmijën në çerdhe sesa në fakultet.
E kur nuk mund të gjejnë një vend në çerdhe ata po detyrohen të gjejnë dhe të paguajnë ndokënd, zakonisht vajza apo gra, që fëmijën t’ua ruajë në shtëpi dhe njëkohësisht t’ua bëjë punët e shtëpisë.
Zyrtarë komunalë dhe të institucioneve parashkollore thonë se kjo praktikë është gabim pasi që nuk arrihet as edukatë e as kujdes si duhet, por prindërve nuk u mbetet tjetër. Lidhur me anulimin e tenderit të fundit, Ekrem Rexha, i pari i Prokurimit në Komunën e Prishtinës, tha se kanë qenë vetëm dy oferta dhe ato të papërgjegjshme.
“Njëra ofertë nuk i ka plotësuar kriteret, ndërkaq vetëm me një ofertë nuk është e lejuar.”, tha Rexha.
Tetë çerdhet shtetërore me diku 1800 fëmijë, sipas tij, janë të pamjaftueshme për kryeqytetin dhe nevojat dita-ditës po rriten. Mosinteresimi i kompanive për të konkurruar, sipas Rexhës, është edhe për shkak se vështirë mund të plotësohen kriteret siç është një metër e gjysmë oborr për çdo fëmijë, vend të lojrave, vend parking, të mos jetë vend i zhurmshëm, andaj kësi lloj objektesh në kryeqytet është e vështirë të gjenden.
E drejtoresha e çerdhes, “Yllkat” Sheribane Çitaku, tha se aty janë 248 fëmijë dhe se interesimi për regjistrimin e fëmijëve është shumë i madh, por hapësira është e vogël.
“Kur e hapim konkursin, kemi rreth një mijë kërkesa, ndërkaq duhet të pranojmë vetëm 12 fëmijë”, tha ajo, duke shtuar se çmimi është 50 euro.
E çerdhet private, edhe pse më të shtrenjta, për prindërit, shpesh janë zgjidhje. Nezaqete Daku, drejtoreshë e çerdhes “Neci”, thotë se çmimi për një fëmijë këtu është 80 euro. Ky çmim në çerdhet private, varësisht nga kushtet që ofrojnë, mund të shkojë deri në 100 euro që është dyfishi i çmimit në çerdhet shtetërore.
Problemi i mungesës së çerdheve për fëmijët në kryeqytet, nëse mund ’u besohet premtimeve që ç’është e vërteta, nuk jepen për herë të parë, mund të gjejë një zgjidhje. Natyrisht, nëse në tenderin e ardhshëm nuk do të vendosen kritere të cilat nuk ka qenë vështirë të dihet se nuk janë të zbatueshme./zeri/

