Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Çka duhet ditur për sterilitetin?

29.12.2011 - Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e definon sterilitetin (infertilitetin) si pamundësi e frytnimit pas minimum 12 muajsh të relacionit seksual të pambrojtur.

Gratë në periudhën reproduktive (fertile) kanë përafërsisht 20% shansë të arrijnë te shtatzania me relacione të rregullta seksuale. Kjo shansë është përafërsisht 85% në 6 muajt e parë, poçese gratë ndodhen nën moshën 35 vjeçare. Kështu që, po qe se nuk vjen deri te shtatzania tek çiftet të cilat brenda një viti kanë pasur relacione të rregullta seksuale pa mbrojtje, atëherë ata do të duhej definitivisht t'a vizitonin ndonjë qendër të specializuar për sterilitet.

Një nga faktorët më kritikë në trajtimin e infertilitetit është mosha, kështu që çiftet nuk do të duhej të vonoheshin me fillimin e trajtimit të tij. Një nuk duhet harruar, se tek femrat pas moshës 40 vjeçare, vjen deri te ulja rapide e fertilitetit.

Progresi shkencor viteve të fundit është i shpejtë dhe efikas në trajtimin e infertilitetit, për çka pacientët meritojnë që të informohen korrekt dhe me kohë. Në këtë drejtim, është shumë me rëndësi për pacientët që poashtu t'a kuptojnë sistemin riprodhues të femrës dhe të mashkullit, në mënyrë që t'a kuptojnë problemin e infertilitetit.

Dihet poashtu, që nga themelimi i njerëzimit, se dëshira për të pasur fëmijë dhe familje paraqet një nga instinktet më bazike njerëzore. Fatkeqësisht, edhe sot, statistikat globale tregojnë se një në shtatë çifte është i paaftë të ketë fëmijë pa asistencën e mjekut. Shkaktarët e njohur të kësaj dukurie janë: shtatzania e shtyrë për shkak të karrierës, martesat e vonshme si dhe stresi i shkaktuar nga puna dhe jeta në metropole. Kurse, duhet veçuar poashtu se shkaktarët e sterilitetit vijnë nga të dy partnerët në proporcion të barabartë.

Megjithë përparimit të shkencës mjekësore dhe zbulimit të metodave më të avansuara në trajtimin e infertilitetit, fatkeqësisht, as në ditët e sotme, nuk ekziston një zgjidhje definitive për të gjitha llojet e infertilitetit. Megjithatë, në tri dekadat e fundit pati të arritura revolucionare në këtë drejtim, siç është zbulimi i metodës së fertilizimit in vitro (IVF) apo “bebës nga epruveta”. Por, edhe pse kjo metodë njihet si mjaft efikase në shërimin e infertilitetit, IVF nuk është procedurë që duhet të përdoret tek çdo person me probleme të fertilitetit. Andaj, hulumtimet e shkaqeve të infertilitetit duhet të fokusohen para së gjithash në mundësinë e pacientëve që të arrijnë tek shtatzënia me metoda klasike më të thjeshta dhe më pak invazive të mjekimit të sterilitetit. Kështu që, protokoli standard për trajtimin e sterilitetit është aplikimi paraprak i tri inseminacioneve artificiale, dhe, poçese me këtë rast nuk arrihet deri te shtatzania, atëherë preferohet që të aplikohen metoda më të avansuara siç është fertilizimi in vitro (IVF/ICSI), e cila paraqet procedurën e fundit në trajtimin e infertilitetit. Tetë nga dhjetë pacientë infertilë (80%) mund të kenë sukses me metodat klasike të trajtimit të infertilitetit apo me inseminime artificiale pa pasur nevojë që t'i nënshtrohen procesit të fertilizimit in vitro (IVF).

Andaj, është shumë e rëndësishme për pacientëtqë të udhëzohen që nga fillimi i problemit në adresën e duhur, respektivisht t’i adresohen subspecialistit për infertilitet dhe fertilizim in vitro e jo gjinekologëve të përgjithshëm, pasi që ky problem i ka edhe specifikat e veta dhe jo të gjithë gjinekologët janë të gatshëm që t’ua zgjedhin pacientëve problemet e këtilla mjekësore. Si pasojë e humbjes së orientimit, pacientët, fatkeqësisht, humbin vite të tëra duke bredhur nga një mjek tek tjetri përderisa t’a takojnë mjekun specialist të kësaj lëmie i cili më në fund do t’ua zgjidhte problemin e tyre.

Dr Gjina Zeqiri, MSc, PhD
"IVF Center" Prishtinë

/komuniteti