Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

10 gjëra që mund të bësh për veten me fëmijët nëpër këmbë

17.07.2018 - 1. Bëj Spa në shtëpi

Ju mund të kini dëshirë të shkoni të relaksoheni në një qëndër Spa, por ju mund ta arrini këtë edhe në shtëpi kur nuk është mundësia për të shkuar deri aty. Zgjohuni 20 minuta më herët se të tjerët dhe bëni një banjë të ngrohtë me tinguj të një muzike të qetë në sfond.

2. Fli gjumë

Ju mund të flini kur fle fëmija, por në rastet kur fëmija nuk fle gjumë, mësojeni atë të luajë i pavarur dhe shtrihuni pranë tij për të marrë një sy gjumë.

3. Bëni lista

Menaxhimi i kohës është problemi i të gjithë prindërve, ndaj bëni lista me detyrat që duhet të bëni për të kursyer kohë dhe për të mos ngarkuar mendjen me çdo detaj.

4. Hiqni prizën

Nuk ka mënyrë më të mirë për të pushuar sesa thjesht të heqësh prizën. Krijoni ambjente të vogla në shtëpinë tuaj ku nuk ka celularë, televizor, tablet apo kompjuter.

5. Lexoni libra ose revista

Krijoni momentet tuaja të leximit në shtëpi ndërsa fëmijët luajnë ose në park lodrash ndërsa hidhni ndonjë sy kur ata luajnë.

6. Filloni një hob të ri

Kërkoni të bëni diçka që ju pëlqen; qëndisje, lexim, not, fotografi, pikturë. Mos i lini dëshirat tuaja pas dore duke menduar që s’keni kohë. Nëse të pëlqen diçka shumë, sigurisht që mund të gjendet koha.

7. Përgatituni për të kërkuar punë

Shpesh nënat neglizhojnë mundësitë e tashme apo të ardhme lidhur me mundësitë e punësimit për arsye se ndjehen të zëna me rritjen e fëmijëve. Pavarësisht se nuk mund të keni energjitë e duhura për të punuar, mbajini sytë nga tregu i punës dhe kini CV-në tuaj gjithmonë gati sepse asnjëherë nuk i dihet çfarë ofertash mund t’ju vijnë.

8. Shkoni në dhomën tuaj

Shkoni në dhomën tuaj, shtrihuni dhe lereni derën hapur që të keni një sy nga fëmijët, por në të njëjtën kohë të merrni kohën tuaj për tu qetësuar. Dhoma juaj është hapësira juaj e qetësimit dhe nuk duhet të frekuentohet vetëm për gjumin e natës.

9. Organizohuni

Të organizosh dhe të vesh rregull në shtëpi me fëmijët nëpër këmbë mund të duket si lodhje kot, por nga ana tjetër të presësh derisa fëmijët të rriten për të vendosur rregull në shtëpi do të thotë të jetosh 10-15 vjet në rrëmujë. Filloni të organizoni pak nga pak, çdo ditë një ambjent të vogël dhe do të çuditeni sa e organizuar dhe e strukturuar do të jetë shtëpia juaj për një kohë të shkurtër.

10. Kryeni aktivitete fizike

Aktivitetet fizike nuk janë të mira vetëm për trupin, por edhe për mendjen që do të thotë ju ndihmojnë për t’ju rritur durimin me fëmijët.

Ecni, bëni një xhiro me biçikletë bashkë me fëmijët, bëni yoga bashkë me fëmijët ose thjesht vendosni muzikë dhe kërceni me fëmijët tuaj. Thjesht çohuni dhe lëvizni që t’ju qarkullojë gjaku, t’ju vijnë energjitë dhe të rinoni veten tuaj.

Autore: Elona Çeço

/komuniteti