Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

10 të vërteta që nuk t’i thotë asnjë, por i mëson vetë kur bëhesh nënë!

13.12.2017 - Gjatë periudhës së shtatzënisë, të gjithë mbingopemi nga informacionet në internet ose nga familjarë/miq që janë prindër. Çfarë nuk mësojmë!

Përshembull, mësojmë që po bërtite gjatë shtatzënisë dhe u acarove, do të tronditet fëmija. Mësojmë që po lëvizi shumë natën, ai/ajo do të bëhet i/e shkathët. Mësojmë se nëse i vë Mozart-in, ai/ajo e dëgjon në bark dhe e ndihmon të bëhet një fëmijë i qetë.

Kur jemi shtatzëna, ne vetëm lexojmë dhe besojmë çdo gjë që lexojmë, madje kanë filluar të tallen edhe gjinekologët, se shpesh bëhemi të bezdisshme, duke sfiduar edhe vetë mjekët me informacionet që marrim online.

Pasi shkollohemi deri në doktoraturë për mëmësi, vjen momenti kur bëhemi nëna! Dhe që nga dita e parë, nisim papritur të kuptojmë se paska disa të vërteta të mëdha, që s’na i ka thënë askush!

 

E vërteta 1: Intuita është me e frikshme se ç’e mendoje

Askush nuk të thotë që instikti i nënës është aq i fortë, saqë edhe pse e ke fëmijën e parë, edhe pse nuk ke rritur, qoftë nuk ke komunikuar kurrë me një njeri nën moshën 5 vjeç në jetën tënde, sërish je në gjendje të kuptosh gjuhën e fëmijës tënd që ditën e parë.

Ju ka ndodhur që të jeni në shtëpi ditët e para pas lindjes me “ekspertët” që janë zakonisht mamaja apo vjehrra dhe papritur fëmija qan? Mamaja thotë që i pihet. Vjehrra thotë që grindet në gjumë.

Kurse ti, që ke vetëm 2 javë që e ke takuar atë njeri të vockël, çohesh dhe shkon direkt tek krevati (sikur të thërret një zë nga lart) dhe i kontrollon pampersin. Bingo! Erdhi koha ta ndërrosh!

Një shembull tjetër shumë interesant është edhe zgjimi, sapo fëmija nis të qajë. Gjatë atyre pak orëve gjumë (po e lëmë 5 orë që të ndiheni mirë) nëse krevati do të dridhej nga tërmeti, burri juaj do të gërhiste me fuqinë e një ariu, fqinji sipër teje do të hidhte fishekzjarre, me shumë gjasa as nuk do t’i dëgjonit. Por sapo fëmija juaj nxjerr tingullin e parë, ju jeni në këmbë dhe gati!

Se si i kuptoni këto gjëra, vetëm Zoti e di, por aty mëson se që nga ai moment e deri në vdekje, lidhja shpirtërore/intuitive me fëmijën tënd, do të jetë lidhja më e fortë që do të kesh në jetë.

 

E vërteta 2: Nuk ka rëndësi sa i bukur është krevati i bebes, sepse krevati yt është ai që i shijon

Sa shumë ëndërrojmë për krevatin e bebes kur jemi shtatzëna. E duam bojëqielli, e duam rozë, e duam me lodra sipër, e duam me perde, e duam me Minnie Mouse apo e duam me jorgan me dandellë!

Imagjinojmë veten që çohemi çdo mëngjes e shkojmë tek krevati i fëmijës dhe ai/ajo hap sytë e na buzëqesh! Ha ha ha! Do të qeshni edhe ju me këtë fantazi. Sepse ajo çfarë ndodh është krejt e kundërta!

E para, shumë nga ne as e përdorin fare krevatin e vogël gjatë natës, por i marrim direkt në krevatin tonë. Të tjerë e nisin mbarë dhe pastaj nuk u rezistojnë dot kërkesave të fëmijëve, të cilët duan të flenë në krevatin e madh.

Vetëm kur bëhesh me fëmijë, e kupton që sado ti mundohesh t’i edukosh të flenë vetëm dhe sado që ata flenë, kur u thua “Do flesh në krevat me ne?” menjëherë sheh se si u shndritin sytë, sikur u ke thënë “Do të shkojmë në Disneyland?”

Dhe kështu deri nga mosha 7-8 vjeç, gjumi i tyre është një vajtje-ardhje nga krevati “i destinuar” tek krevati juaj, kurse gjumi juaj është një cep krevati me një gjysmë batanije dhe një këmbë e vogël mbi fytyrë, që sado ju shtyn gati për t’ju hedhur poshtë, prapë e duroni dhe e shijoni!

 

E vërteta 3: Edhe bebet shahen!

Qartë, qartë! E kuptojmë që bebet janë ëngjëj, janë të bukur, por askush nuk ju thotë që ndonjëherë, sidomos në fillim, ju kaloni shumë orë pa gjumë, gati duke qarë se përse kjo bebe e pafajshme, nuk ka pikën e mëshirës për ju, por vetëm qan ose si ka mundësi, që kjo bebe-ëngjëll nuk ngopet asnjëherë, por kërkon të pijë çdo dy orë!?

Me gjoks të fryrë, me pika qumështi nëpër këmishë nate, me rrathë poshtë syve dhe flokë si të Tina Turner, ju nuk do të jeni gjithmonë “mikpritëse” ndaj tekave të bebes, ndonjëherë dhe do ta shani nëpër dhëmbë, por natyrisht, ndërsa e shani, po e ushqeni me kujdesin më të plotë, po e puthni dhe ledhatoni.

Dashuria për fëmijën nuk ka kufij, por pagjumësia po!

 

E vërteta 4: Askush nuk të thotë që gjumi i kalamajve shijon më shumë se seksi

E dimë se sa i bukur dhe sa qetësues është seksi, por askush nuk guxon t’ju thotë se një nga momentet më të bukura të një dite, është momenti kur fëmijët e vegjël i zë gjumi. Mundësisht kur i zë gjumi para orës 9!

Në shtëpi bie qetësia. Nuk ka më zëra maçokësh e arinjsh në Bang Bang apo tinguj të ca këngëve acaruese që lëshojnë lodrat kineze!

Askush s’ta rrëmben telekomandën, askush nuk të thërret të shohësh 100 herë të njëjtën lojë, madje të urdhëron të marrësh pjesë tek ajo loja (që më pas ndërpritet me një lojë tjetër e ti ke një mal me punë për të mbaruar në kuzhinë), askush nuk të ndjek nëpër shtëpi duke qarë që t’i rregullosh diçka (që i prishet për herë të 100-të).

Je vetëm ti, yt shoq dhe qetësia që e kërkon përgjatë gjithë ditës. Madje nuk thonë kot: Dy janë momentet më të bukura në të përditshmen e një nëne, kur fëmija zgjohet në mëngjes (dhe ti falenderon Zotin për këtë diell që të ndriçon shtëpinë) dhe kur ai/ajo flenë (dhe ti falenderon Zotin që të ranë veshët e këmbët në qetësi!).

 

E vërteta 5: Askush nuk të thotë që një ditë nuk do t’ia dish për ato librat e psikologëve!

Më vjen të qesh tani, kur lexoj shkrime nga psikologë fëmijësh që të këshillojnë se nëse fëmija juaj nuk bindet, atëherë ju duhet të flisni me të, derisa ai/ajo ta kuptojë! Sinqerisht, ku m’i gjejnë këto fëmijë që binden me bisedime bilaterale?

Dhe ku m’i gjejnë këto nëna që kanë aq nerva çdo ditë sa t’i ulin fëmijët në një tavolinë të rrumbullakët për të arritur një marrëveshje dypalëshe, në të mirë të mbarëvajtjes së marrëdhënies së tyre dhe shëndetit mendor të familjes në përgjithësi!

Vërtet? Sepse unë besoj që përtej fjalive të bukura, këshillave të vyera të disa psikologëve, teoria me praktikën janë një jetë dritë larg.

Ti vjen e lodhur nga puna, me gjithë bagazhin e streseve të përditshme, përgatit darkën për fëmijët, herë pas here merr pjesë në lojërat e tyre, u lexon librat që duan, u rri në kokë tek detyrat, u përgjigjesh 1001 pyetjeve me durimin e kalitur, ndërkohë që pastron shtëpinë dhe lan enët dhe pastaj vjen ai moment që ata duhet të flenë.

Por nuk ndodh! Ti i fut në krevat, mbyll dritën dhe sa largohesh, drita hapet dhe i sheh sërish në këmbë! I flet me qetësi siç thonë psikologët! Mendon se i sqarove dhe pastaj e mbyll dritën dhe ikën sërish! Kur prapë dëgjon zhurma dhe sheh dritën ndezur! Është ora 21:30.

Nesër ata do të çohen herët për shkollë! Ti shkon prapë dhe duke ndjekur PRAPË këshillën e psikologëve, u shpjegon që duhet të flenë që të mos zgjohen të lodhur nesër për në shkollë dhe se e gjithë familja duhet të flejë. I puth dhe mbyll dritën! Ata prapë nuk dëgjojnë dhe hapin prapë dritën.

Dhe ti dyshon tek vetja, sepse psikologët të kanë bërë të dyshosh tek autoriteti yt! Pastaj kujtohesh që ndoshta ke të bësh edhe me 6-vjeçarë dhe nëse ata do të bindeshin kaq lehtë, mund edhe të kishin qeverisur në atë moshë! Kështu që kur s’të pi ujë diskutimi, kalon në variantin “kërcënim” dhe u thua se do t’u heqësh/hedhësh diçka që ata e duan shumë (lodër etj) në rast se nuk flenë

Por as kjo s’ndihmon. E ndërkohë ty po të zien koka, teksa hyn e del nga dhoma dhe nuk ke më fjali për t’u thënë! Atëherë përdor armën e fundit! Atë që psikologët e dënojnë: I fut një të ulëritur. I tërheq nga krahu dhe i hedh pupthi në krevat. “MOS TË TË SHOHË MË QË HAP DRITËN! URGJENT NË GJUMË! MORE VESH!??” dhe aty bie qetësia.

Po psikologët?! Aaa të dhj**sha psikologët!

 

E vërteta 6: Gjykohesh më pak kur je beqare!

Kur je e pamartuar dhe s’ke fëmijë, mendon se gjykohesh shumë: Gjykohesh që s’ke fëmijë, gjykohesh për zgjedhjet romantike që bën, gjykohesh për degën që zgjedh, gjykohesh për veshjet, për jetën e natës, për kërcimin, për grimin dhe kur vendos të martohesh ose/edhe të bëhesh me fëmijë, mendon se të paktën tani, meqënëse ne jemi një shoqëri shumë tradicionale, do të gjykohesh më pak, sepse ke “fituar” familje dhe fëmijë!

Por askush nuk të thotë, që pikërisht kur bëhesh nënë, pesha e gjykimit rëndon dyfish, sepse asaj i shtohet edhe pesha e fajit që ndjen, edhe kur s‘ke faj.

Gjykohesh që kur lind fëmijë, se a e linde vetë apo me operacion? Gjykohesh nëse heq qumështin e gjirit, gjykohesh si vishesh kur bëhesh nënë, gjykohesh nëse del herët në punë, gjykohesh se sa orë punon, gjykohesh nëse vendos të ikësh një fundjavë me bashkëshortin diku për t’u çlodhur kur fëmijën e ke vetëm disa-muajshe dhe e lë në duart e sigurta të mamit ose vjehrrës.

Oh, po, gjykohesh edhe nëse merr dado, gjykohesh edhe nëse vendos ta lësh punën e ta rrisësh vetë. Të gjykojnë kur nuk flet për fëmijët apo nuk poston foto të tyre, të gjykojnë edhe kur poston dhe flet për ta.

Madje vetëm kur bëhesh me fëmijë dhe del nëpër rrugë me karrocë, e kupton se papritur shumë gra fitojnë të drejtën të të japin edhe mendim mbi karrocën, se si e ke veshur beben, se përse nuk i ke vënë një napë ta mbrojë era etj. etj.

Gjykohesh jo vetëm nga ato që s’janë bërë ende nëna, por e tmerrshmja është kur gjykohesh nga nëna si ty, që duhet të jenë më të ndjeshme ndaj asaj çfarë kalojmë gjatë mëmësisë.

 

E vërteta 7: Askush nuk na thotë që kur ngrohet koha, fillon makthi për kalamajtë!

Kur je shtatzënë, jeta në të ardhmen të duket si një “pranverë” e Vivaldit, por nuk e di që kur sapo vjen pranvera, nisin edhe shqetësimet se ku dreqin do ta çosh çdo ditë fëmijën.

Të vjen keq ta mbash mbyllur, por ndërkohë je në punë, apo ke obligime të tjera dhe fatkeqësisht nuk ke një vilë me oborr apo një kënd lojërash me distancë kilometrike nga një rrugë makinash dhe me shumë dado e njerëz të mirë përreth që ta lësh pak vetëm!

Ti ose bashkëshorti duhet të jeni me të dhe kur vjen vera e mbyllet kopshti apo shkolla, axhenda e veprimtarive bëhet më e vështirë dhe shpesh përfundon tek i njëjti kënd lojërash dhe teksa fëmija argëtohet sikur e ka parë për herë të parë atë kënd, ti ke bërë 200 likes, 50 komente dhe 30 telefonata, ndërprerë 20 herë nga shtyrje lisharseje apo të thërritura: “Kujdes mami! Jo atje! Hajde këtu!”

Le të themi, që kjo periudhë jo aq e këndshme për ne, është një nga “sprovat” e sakrificës që një nënë apo baba duhet të bëj për fëmijët e saj/tij: Të bëj çdo ditë të njëjtën gjë kundër dëshirës së vet, po për kënaqësinë e tjetrit!

 

E vërteta 8: Askush nuk të thotë që ndonjëherë celulari shpëton jetë!

Kur themi “Shpëton jetë” nuk e kemi fjalën realisht për jetë njerëzish, por ama ai celulari, aq i kritikuar nga psikologët e sociologët, se u bën dëm fëmijëve, na shpëton të paktën 1 orë shëndetin tonë mendor.

Unë nuk kam parë ndonjëherë një fëmijë pasiv. Kam parë aktivë dhe hiperaktivë. Në të dyja rastet, kam parë fëmijë që gjatë gjithë kohës duan diçka dhe bashkë me atë “diçka” duan edhe vëmendjen tonë, që e tregojnë qoftë duke na ndjekur nga mbrapa, duke na thërritur çdo 5 sekonda, apo thjesht duke bërtitur nëpër shtëpi, që ne të ndërgjegjësohemi për praninë e tyre.

Çfarëdo të duan, që kur zgjohen e derisa flenë, ata na e bëjnë të ditur çdo sekondë që janë aty! Është e vështirë të mbarosh qoftë një punë që kërkon përqëndrim, apo një bisedë, kur ke fëmijë të vegjël rrotull. Por ndonjëherë, të duhet ta mbarosh atë punën apo atë bisedën, sepse jeta nuk rrotullohet vetëm rreth lojës me Shopkins-a apo rreth krëhërit të “Twilight Sparkle!”

Kështu që aty për aty, gjen zgjidhjen më komode, që natyrisht është celulari. Sepse sapo fëmijët shohin celularin, e ke të garantuar të paktën një 45-minutësh qetësi. Madje është më i mirë se televizori, se edhe duke parë TV, ata e humbin përqëndrimin pas 15 minutash, kurse celulari dhe të gjithë ato ngjyrat e imazhet i ngulin për një kohë të gjatë në heshtje.

Natyrisht, çdo gjë ka masë, por nga ana tjetër, nuk ka përse të ndihemi fajtorë, që me raste e gjejmë këtë si zgjidhje!

 

E vërteta 9: Askush nuk të thotë që do të humbasësh disa “miq”.

Njëra shkruante: “Kur ngela shtatzanë me bashkëshortin, marr një mikeshën time në telefon dhe i them “Do të të them një lajm. Jam shtatzanë”! Dhe ajo ma ktheu: “Vërtet? Kushedi sa do të çmendet ai (për –ishin tim)”

Aty e kuptova që mua nuk më lidhte më asgjë me atë person, e cila në një moment kaq të rëndësishëm të jetës sime, donte të më tërhiqte tek një e kaluar që për mua nuk kishte kurrfarë rëndësie.”

Ky është një nga qindra rastet që vajzat dhe gratë të cilat presin një fëmijë, kuptojnë se nuk kanë çfarë të ndajnë me shumë prej shoqeve të cilat dëshmojnë, se nuk janë mikëpritëse apo nuk kuptojnë rëndësinë e sjelljes në jetë të një fëmije.

Jo vetëm kaq. Por vetë jeta të shkurton shumë shoqe, sidomos ato të cilat deri përpara se ti të ngelje shtatzanë, të qaheshin me orë të tëra për histori dashurie. Por tashmë nuk ke durimin e dikurshëm edhe sikur të duash. Shpesh, me pagjumësinë dhe punën e përditshme nga ana tjetër, nuk ke as kohë. Ashtu siç humb shumë filma, shumë libra e shumë thashetheme dhe rrjedhimisht shumë tema për të diskutuar.

Kur ke fëmijë të vogël, koha dhe mendja dhe dashuria që të merr ai fëmijë, nuk të lë shumë hapësira të tjera mendimi, madje ndonjëherë e kap veten që ke dëshirë të flasësh vetëm për të. Ose kur s’flet për fëmijën, flet për punën. Por shoqe që nuk kanë fëmijë ose i kanë të rritur dhe nuk ndajnë të njëjtin interes profesional me ty, shpesh nuk duan të dëgjojnë.

Dhe ja ku jeni, të dyja, ulur në kafe, për hir të një shoqërie të vjetër, por të pa-interesuara për të tashmen tuaj. E kështu nisin e firojnë disa njerëz nga jeta jote dhe mbeten vetëm kolegët, mamatë e shokëve të fëmijëve tuaj dhe natyrisht ata që të kanë njohur e të mirëkuptojnë në çdo ndryshim tëndin që nga puçrat e adoleshencës e deri tek strijet e shtatëzanisë.

 

E vërteta 10: Askush nuk ta thotë qartë që ajo çfarë je ti, bëhen fëmijët e tu!

Nuk kemi asgjë kundër baballarëve. Përkundrazi, ata skalisin personalitetin tonë po aq sa nënat dhe shumë baballarë janë vërtetë të jashtëzakonshëm në prindërim.

Por nëna ka një veti të jashtëzakonshme: Ajo është rregullatori i marrëdhënieve, është disiplinuesja, është shtylla që ekuilibron një familje.

Ju ka ndodhur që të vini për një arsye të caktuar vonë në shtëpi, ndërkohë fëmijët i keni lënë nën kujdesin e plotë të bashkëshortit, vjehrrës dhe mamasë dhe kur jeni kthyer keni kuptuar që fëmijët e kanë tepruar me ushqimin, kanë fjetur në orare të çregullta, ndoshta kanë refuzuar të bëjnë dush, kanë parë televizor në orare që ju nuk ja lejoni, kanë neglizhuar së bëri detyrat etj.

Pavarësisht se dashuria dhe përkujdesja e bashkëshortit dhe prindërve tanë është shumë e madhe (dhe shumë e rëndësishme), nëna duket se ka atë shkopin magjik të vendosjes së një sistemi dhe disipline.

Fëmijët kur janë me ne, ushqehen më shëndetshëm, flenë herët, u binden orareve të televizonit dhe nuk guxojnë të kërkojnë çokollata apo lodra, sepse e dinë që ne thjesht s’ua blejmë! Ndaj ka dalë ajo shprehja që “fëmijët me babanë apo tek gjyshërit tërbohen!”

Dhe jo vetëm kaq.

Kur bëhemi me fëmijë, kuptojmë edhe se sa ndikim kemi ne në perceptimin që kanë fëmijët për njerëzit që i rrethojnë dhe për botën në përgjithësi. Si sillemi ne karshi babait të tyre, u tregojmë atyre për modelin e gruas, sa diferencojmë ne fisin tonë me të babait të tyre; u mësojmë atyre për ekulibrin, respektin dhe mirënjohjen; sa gjykojmë ne prindërit e fëmijëve të tjerë apo të njohurit tanë, u mësojmë atyre për paragjykimin; si sillemi ne në komunitet (hedhim letra në kosh të plehrave; mbajmë rradhë; përshëndesim fqinjët), u mësojmë atyre për sjelljen në shoqëri.

Vetëm kur bëhesh nënë, e kupton që ti je thjesht një libër i hapur për fëmijën tënd dhe çdo veprim i yti, nëse nuk imitohet menjëherë, një ditë do t’i trashëgohet. Dhe ajo çfarë ti bën dhe je, është ajo çfarë ata do të besojnë se duhet të bëhet dhe të jetë një ditë.

Burimi: anabel.al

/komuniteti