07.09.2011 - Konsultohuni me pediatrin tuaj nëse dyshoni që foshnja apo vogëlushi juaj ka simptome të jotolerancës në laktozë.
Egzistojnë disa teste të cilat pediatri mund të ju udhëzojë:
1. Testi i jashtëqitjes
Më së shpeshti bëhet tek të posalindurit dhe foshnjat, nëse egziston dyshimi që janë jotolerante në laktozë. Me këtë test matet sasia e acidit në jashtëqitje, sepse laktozën e patrazuar bakteriet e shpërndajnë në zorrë dhe krijojnë acidin qumështor dhe të tjera, të cilat mund të zbulohen në jashtëqitje.
2. Testi i konsumimit të laktozës
Nëse fëmiu juaj do të bëjë këtë test, nuk duhet të hajë para vizitës tek mjeku, që të matet më saktësisht niveli i sheqerit në gjak. Gjatë vizitës tek mjeku, fëmiu juaj do të duhet të pijë lëng me përqindje të madhe të laktozës, e cila në gjak dekompozohet në glukozë dhe galaktozë. Pas dy orësh merret mostra gjakut dhe matet niveli i glukozës në gjak. Nëse niveli i glukozës në gjak nuk rritet, atëherë organizmi nuk e tret laktozën në mënyrë të drejtë, që dmth. egziston jotoleranca në laktozë.
3. Testi i frymëmarrjes
Ky test kërkon poashtu konsumim të lëngut me nivel të lartë laktoze. Bakteriet të cilat gjenden në zorrë e tretin laktozën e patrazuar duke liruar kështu dioksid karboni dhe hidrogjen. Zorra e hollë e absorbon hidrogjenin duke e bartur përmes gjakut në mushkëri. Gjatë këtij testi niveli i hidrogjenit gjatë një frymëmarrjeje matet në intervale të caktuara.
4. Testi i përsëritur i konsumimit të gjërave ushqimore
Mundohuni ta zvogëloni sasinë e prodhimeve qumështore të cilën ia jepni fëmiut dhe në këtë mënyrë ndoshta do të gjeni sasinë e prodhimeve qumështore e cila nuk i përshtatet. Domethënë, shumica e fëmijëve krijon një sasi të vogël enzimesh të nevojshme për degradim të laktozës, prandaj rekomandohet konsumimi i sasive më të vogla të prodhimeve qumështore më shpesh gjatë ditës, në mënyrë që të përshtatet konsumi i laktozës me sasinë e prodhuar të laktazës./bebaime.com/

