28.04.2016 - Sa më shumë goditen fëmijët, aq më të prirur janë ata për të kundërshtuar prindërit dhe për të përjetuar sjellje të mëdha antisociale, agresivitet, probleme të shëndetit mendor dhe vështirësi konjitive, tregon analiza e 50 viteve studim e kryer nga ekspertët e Universitetit të Austin dhe Miçiganit.
Studimi i publikuar këtë muaj ka analizuar 160.000 fëmijë dhe është një nga studimet më të plota që është kryer ndonjëherë me këtë temë.
"Ne gjetëm se shpullat lidheshin me pasoja fatale të pamenduara dhe ndryshe nga ç’mendonin pridërit që godisnin fëmijët e tyre, ato nuk lidheshin me bindjen e fëmijës ndaj prindit” tha Elizabeth Gershoff, profesore. "Studimi tregon se shpullat rritin gjasat për shfaqjen e një sërë pasojash të padëshirueshme tek fëmijët. Ato sjellin rezultatin e kundërt nga ai që mendon se do të arrijë prindi nëpërmjet tyre” thotë Grogan-Kaylor.
Profesorët studiuan ndikimin afatgjatë të shpullave tek të rriturit që ishin goditur nga prindërit e tyre kur ishin të vegjël. Sa më shumë ishin goditur, aq më shumë sjellje antisociale dhe probleme të shëndetit mendor shfaqnin ata si të rritur. Ata po ashtu ishin më të prirur të përdornin dhunë ndaj fëmijëve të tyre. Sipas një raporti të vitit 2014 nga UNICEF, 80% e prindërve në botë godasin fëmijët e tyre.
Burimi: Elona Çeço

