Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Adoptimet: Kur babai bën edhe rolin e nënës

Në botë, gjithmonë e më shumë të rinj beqarë preferojnë të adoptojnë fëmijë për t’i rritur të vetëm. Kjo ndodh edhe për meshkujt. Ndoshta, sepse roli i tyre ka ndryshuar: ata mund të kujdesen njëlloj si gratë për shtëpinë dhe fëmijët, duke u dhënë atyre gjithë dashurinë e nevojshme.

Ata duan t’i kapësh për dore, të gjejnë dashuri, të ardhme, familje. Fëmijët e adoptuar braktisin gjithçka: të kaluarën, gjuhën, madje edhe kujtimet, të cilave një ditë do të mund t’u kthehen natën, në ëndrra apo në qetësinë e papritur. Mbështeten krejtësisht tek një nënë dhe një baba i ri. Por, çfarë lloj prindërish duhet të jemi për të administruar një botë ndjenjash kaq delikate? Duhet të jenë të dy prindërit apo vetëm njëri, i cili mund të ofrojë të gjithë dashurinë dhe përkujdesjen e të dyve? Për të rritur një fëmijë, aq më tepër të braktisur, sipas idesë që qarkullon duhet një baba dhe nënë, të monitoruar nga shërbimet sociale, në gjendje të presin dhe mbështesin ata që kanë vuajtur në jetë.

Megjithatë, beqarët prej vitesh në të gjithë Europën, përfshi këtu Francën, Gjermaninë, Austrinë, Zvicrën, Anglinë, Irlandën Spanjën dhe SHBA-në mund të adoptojnë një fëmijë. Gjithsesi, moda e familjeve me një prind të vetëm në Europë nuk është më një gjë e re. Sipas shifrave, në vendet e Europës perëndimore, familjet e përbëra nga një prind i vetëm janë më shumë se një milion, dhe prej tyre 88.8 për qind të përbëra vetëm nga nëna.

Gjithsesi, sipas psikologëve, jeta e parë me sytë e një fëmije të braktisur përbëhet nga të dy prindërit, nga një shtëpi e ngrohtë dhe e sigurt, d.m.th, nga gjithçka që ka humbur apo që nuk e ka njohur kurrë. “Ideale për një fëmijë është që të rritet me një nënë dhe një baba, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Sigurisht, nëse çiftet nuk munden, edhe beqarët janë shumë mirë, sepse është më mirë një prind i vetëm se sa të qëndrosh në një institut. Por gjithsesi, për t’u rritur mirë janë të nevojshëm të dy. Ndërkohë, është koha që adoptimet të mbështeten, pasi numri i fëmijëve të braktisur sa po vjen e po shtohet. Kriza, frika për humbjen e punës, po ndihen shumë edhe në këtë fushë: frika që kanë çiftet për të sjellë në jetë një fëmijë biologjik në pasigurinë ekonomike të së ardhmes reflektohet edhe tek prindërit e ardhshëm adoptues”, - shpjegojnë psikologët. Ndërkaq, sipas tyre, “të adoptosh një fëmijë nuk do të thotë të garantosh të drejtën e të rriturve për të qenë prindër, por të drejtën e një fëmije, i privuar nga lidhjet e tij fondamentale, të jetojë në një familje, që mund të jetë më e mira për të”.

Por, a ekziston me të vërtetë kjo familje ideale edhe pse përbëhet nga një prind i vetëm? Sipas psikiatërve dhe psikologëve, ekspertë në çështjet e fëmijëve, frika e mëparshme nuk duhet të ekzistojë. Kush rritet me një prind të vetëm, nuk vuan nga asnjë lloj problemi psikologjik në të ardhmen. “Kur nisi të përhapej ideja e familjeve me një prind të vetëm, ne psikiatrit dhe psikoterapistët ishim shumë të shqetësuar, sepse kishim frikë se në të ardhmen fëmijët mund të kishin probleme me identitetin dhe shumë mungesa të tjera. Eksperienca na ka treguar se përkundrazi, fëmijët e rritur në familje me një prind të vetëm nuk kanë asnjë problem krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre. E njëjta gjë vlen edhe për adoptimet.

 

Meshkujt në rolin e grave

Sipas sondazheve, në vende të ndryshme të Europës, koha mesatare që burrat u kushtojnë fëmijëve, shtëpisë, pazareve, pastërtisë, është rritur 11 minuta në 20 vitet e fundit. Koha maksimale nuk arrin më shumë se 45 minuta në ditë. Ndërsa numri i baballarëve që i njohin dhe i respektojnë angazhimet familjare, është shumë i vogël ose i papërfillshëm. Sipas vrojtuesit kombëtar mbi çështjet familjare, në administratën publike vetëm 18% e baballarëve ka marrë leje pune për probleme familjare (dhe vetëm për një ditë), ndërsa në ndërmarrjet private përqindja është edhe më e ulët.

Ka meshkuj të cilët frikësohen nga pushteti femëror, ose më saktë frenohen për t’u treguar burrave të tjerë që bëjnë “punë grash”. “Një prind i mirë vlerësohet nga gjendja e tij emocionale, aftësia e të kuptuarit, mbështetja, jo nga sasia e parave që fiton. Kush arrin të largohet nga ky stereotip, është më i lumtur”, - thonë ekspertët. Ata janë plotësisht të ndërgjegjshëm se po prishet një model kulturor, sipas të cilit janë gratë ato që duhet të kujdesen për gjithçka. “Struktura e marrëdhënies së çiftit ka marrë formën e kohës në të cilën jetojmë aktualisht. E duke qenë të dy të barabartë, edhe raportet bëhen më të mira e më të lehta”, - vazhdojnë më tej ata.

/komuniteti