Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Baballarët kosovarë nuk mund të marrin pjesë në lindjen e fëmijëve

17.09.2018 - Prej vitit 1938 kur llogaritet filluar lindja në spitale, vazhdimisht është kërkuar që të rritet kujdesi ndaj nënës dhe fëmijës, por me kalimin e viteve ekspertet e fushës së mjekësisë thonë se prezenca e babait/partnerit në lindje ka efekte pozitive në gjithë procesin.

Por në Kosovë, shërbimi publik shëndetësor nuk ua mundëson baballarëve pjesëmarrjen në procesin e lindjes.

Drejtoresha e Klinikës Gjinekologjike Obstetrike Myrvete Paqarada tregon për KALLXO.com arsyet se përse një baba kosovar nuk mund të jetë pjesë e procesit të lindjes.

“Për me fillu ajo procedurë në Klinikë ne duhet të bëjmë një trajnim me nana që po e bëjmë. Ato përgatiten për lindjen, e njëjta gjë duhet të fillojë edhe me burrin edhe ai duhet të jetë i njoftuar për procesin e lindjes. Shumë herë kur u themi burrave që të shohin gruan e jo të marrin pjesë në lindje, ata refuzojnë me idenë se kanë frikë do të thotë edhe burrat tonë nuk janë të përgatitur paraprakisht për lindjen e gruas. Pastaj janë botëkuptimet se a duhet të marrin pjesë ne kemi pasur raste që kanë kërkuar të marrin pjesë”, tha Paqarada.

Ajo shton se ka shumë prindër që insistojnë të jenë pjesë e procesit të lindjes por kjo është dëshirë që nuk mund t’u plotësohet nga stafi i Klinikës.

“Klinika është ndërtuar shumë vjet përpara që për atë kohë ka pasur standarde ideale por nuk ka qenë e paraparë që burri apo familjarët të marrin pjesë në lindje dhe do ta shihni në sallë të lindjes do e shihini se kaloni në korridor dhe ai që kalon aty do i sheh edhe gratë tjera. Një prej kushteve është që ndërtimi i sallave të lindjes, sikur çdo boks, do të kishte toaletin e vet, vendin ku mundet me qëndru baba ku mundet me përgatit një kafe apo çaj apo të ulet të lexojë. Fatkeqësisht nuk i kemi ato kushte. Sikur t’i kishim ato kushte ne e kemi stafin e trajnuar dhe jemi përkrahës të mocionit që mundet burri apo ndonjë anëtar i familjes të jetë aty, por nuk ka kushte në klinikë për pjesëmarrjen e bashkëshortit në lindje”, thotë ajo.

Paqarada thotë se mundësia e pjesëmarrjes së prindit në lindje mund të ekzistojë kur të krijohen kushtet por fillimisht sipas saj duhet të bëhet ndërtimi i një materniteti në Prishtinë ku lindjet do të bëheshin atje, ndërsa vetëm rastet e komplikuara do të drejtoheshin për në QKUK.

/komuniteti