Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Cila është mënyra më e mirë për të mësuar shkrim e këndim?

03.09.2013 - Në Gjermani shumë fëmijë mësojnë sot shkrim me të dëgjuar dhe me ndihmën e një tabele tingujsh. Kjo metodë u aplikua për herë të parë para 20 vjetësh dhe ende debatohet për avantazhet dhe disavantazhet e saj.

Jashtë ndriçon dielli, por brenda në klasë është freskët. Paul dhe Dennis janë ulur së bashku në kompjuter. Ekrani është akoma i bardhë. Vetëm titullin kanë formuluar deri tani të dy nëntëvjeçarët. "Mbreti Gagaga" quhet hartimi i tyre. Ata tani duhet ta trillojnë së bashku historinë dhe ta shkruajnë.

Dennis dhe Paul në parim dinë të shkruajnë që nga dita e parë e shkollës. E vetmja gjë, që atyre iu është nevojitur për këtë në fillim, ka qenë dëgjimi, e ashtuquajtura tabela me tinguj. Atje janë të shënuar tingujt kryesorë të gjuhës gjermane, me fotografinë përkatëse anash."F" është pranë "dritares", "U" pranë "orës".

Në traditën e Jürgen Reichen

Mësimi nga e ashtuquajtura tabela me tinguj 

Paul dhe Dennis janë në klasën e tretë të shkollës fillore "Harmonie" në Eitorf në Bon. Ata nuk kanë më nevojë për tabelën e tingujve. Metoda, me të cilën ata të dy kanë mësuar të shkruajnë, në Gjermani shpesh quhet "të shkruarit e lirë". Ajo bazohet në konceptin e pedagogut zviceran, Jürgen Reichen dhe është praktikuar në masë nga ekspertë e didaktikës në 20 vitet e fundit, sidomos nga Hans Brügelmann, profesor i pedagogjisë së arsimit fillor, i dalë në pension.

Që nga viti 1990 shumë shkolla në Gjermani mësojnë "të shkruarit e "lirë" duke rënë në qendër të kritikave të ashpra. Të tilla si, kur fëmijët mësojnë të shkruajnë vetëm me anë të dëgjimit, ato më vonë do të kenë probleme të mëdha me drejtshkrimin. Një vështrim në fletoret e shkollave fillore duket se u jep të drejtë kritikëve. Fjalitë, si "Dea hont schbilt im gatn", prindërit e kanë thuajse të pamundur t'i deshifrojnë.

Kritikët profetizojnë "pasoja fatale"

"Problemi është, se fëmijët e kanë jashtëzakonisht të vështirë, që t'i shkërmoqin fjalët në shkronjat e duhura", thotë Wilfried Metze. Ish mësuesi i shkollës fillore në Berlin është prej vitesh një nga kritikët e "të shkruarit të lirë". "Me kohë fëmijët fitojnë përshtypjen se kemi një alfabet fonetik, se shkruhet ashtu si dëgjohet", thotë Metze. Dhe kjo pastaj ka efekte fatale në drejtshkrim.

Pamje nga një orë mësimi në shkollën fillore Harmonie në Eitorf Pamje nga një orë mësimi në shkollën fillore "Harmonie" në Eitorf

Në shkollën fillore "Harmonie" "të shkruarit e lirë" mësohet po ashtu si dhe rregullat ortografike.

Walter Hëvel i njeh këto kritika. Në shkollën e tij fillore “Harmonie" në Eitorf, e cila aplikon reforma pedagogjike, ai si drejtor ka vendosur me bindje “të shkruarit e lirë”. "Zanafilla e demokracisë është të mësuarit," thotë Hëvel. "Kjo do të thotë, unë duhet të gjej metoda, përmes të cilave njerëzit të kuptojnë, se mund t'i mësojnë vetes diçka."

Walter Hëvel pranon se nxënësit e tij kanë patur deficite drejtshkrimi në një apo dy vitet e para. "Por pas katër ose pesë vjetësh janë më mirë se të tjerët, sepse ata mund ta shkruajnë gjuhën e tyre", argumenton Hëvel. Pastaj nxënësit e tij e mbajnë fare lehtë hapin me ata, që mësojnë të shkruajnë në mënyrë tradicionale, në mënyrën lexim-shkrim, me të cilën fëmijët së pari mësojnë secilën shkronjë dhe rrokje të gjuhës gjermane dhe pak më vonë fillojnë me shkrimin e fjalëve, fjalive dhe hartimeve.

Por cila është tani mënyra më e mirë për të mësuar për të shkruar? Një përgjigje të thjeshtë për këtë duket se nuk ka. Una Rohr-Sendlmeier drejton sektorin e psikologjisë zhvillimore dhe psikologjisë arsimore në Universitetin e Bonit dhe kryen prej vitesh studime në grindjen lidhur me "të shkruarit e lirë". "Një pengesë shumë të madhe përbën fakti, se në Gjermani shumica e didaktikave janë studjuar shumë pak, ose aspak", thotë psikologja. Tekstet megjithatë përdoren në mësim. Herë pas here profesorja merr e-maile nga prindër të shqetësuar, të cilët merakosen për drejtshkrimin e fëmijëve të tyre.

Nxënësit më të dobët kanë nevojë për rregulla

Pamje nga një orë mësimi në shkollën fillore Harmonie në Eitorf Pamje nga një orë mësimi në shkollën fillore "Harmonie" në Eitorf

Në parim Una-Rëhr Sendlmeier nuk ka asgjë kundër tabelës së tingujve. Fëmijët e aftë për të mësuar, që vijnë nga familje të arsimuara, të cilëve u është lexuar shpesh në moshën parashkollore, janë në gjendje t'i shkruajnë shumë heret vetë hartimet e tyre. Ndërsa për fëmijët më të dobët metoda mund të paraqesë një problem shumë të madh, veçanërisht kur atyre u mungojnë njohuritë paraprake për strukturën e gjuhës gjermane. Këtu mund të bëjnë pjesë për shembull fëmijët me sfond emigracioni, për të cilët gjermanishtja nuk është gjuha amtare. "Prandaj unë këshilloj medoemos, që sidomos fëmijët me dobësi duhet të fillojnë me mësim të rregullt dhe më vonë mund të lihen të shkruajnë të lirë", thotë Una Rëhr-Sendlmeier.

Shumica e mësuesve në Gjermani kombinojnë sot gjithsesi metoda të ndryshme, thotë Rëhr-Sendlmeier. Ata përdorin tabelën e shkronjave dhe mësojnë natyrisht edhe rregullat ortografike. "Nëse "të shkruarit e lirë" gërshetohet me mësimin e rregullave, atëherë fëmijët nuk dështojnë medoemos në shkollë", thotë Una-Rëhr Sendlmeier. Por të dyja janë të rëndësishme.

Në shkollën fillore "Harmonie", vlerësohen që të dyja, tabela e tingujve dhe rregullat drejtshkrimore. Ajo që pengoi hartimin për "mbretin Gagaga" ishte diçka krejt tjetër: koha e mirë. Paul dhe Dennis pas kapitullit të parë dolën jashtë për të luajtur futboll./dw/

/komuniteti