Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Dorëzohet medikamenti jetëshpëtues për bebet në QKUK

28.12.2017 - Në Klinikën e Neonatologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës u bë dorëzimi i medikamentit surfaktant, i cili i nevojitet bebeve të lindura para kohe, për t’i zhvilluar mushkëritë. Ky donacion prej më shumë se 200 shishesh të medikamentit jetëshpëtues mbulon nevojën vjetore të lindjeve të parakohshme në QKUK.

Ky donacion u bë i mundshëm përmes bashkëpunimit të suksesshëm dhe të vazhdueshëm në mes të Aksionit për Nëna për Fëmijë dhe organizatës ndërkombëtare AmeriCares.

Foshnjat që përjetojnë probleme të frymëmarrjes, kanë mungesë të surfaktantit, shtresë e lëngshme brenda mushkërive. Bebet zakonisht nuk fillojnë prodhimin e surfaktantit deri disa javë pas lindjes. Pa sasi të mjaftueshme të surfaktantit foshnjet mund të pësojnë deri kolaps të mushkërive dhe foshnjat e parakohshme nuk mund të marrin frymë. Andaj, surfaktanti është thelbësor në parandalimin dhe trajtimin e RDS (Sindromit të Distresit Respirator) dhe redukton shkallën e vdekshmërisë të shkaktuar nga RDS. Gjatë 10 viteve të fundit, donacionet e Surfaktantit kanë shpëtuar jetën e 1,800 foshnjave të lindura parakohe dhe me peshë të ulët në Kosovë.

Ardhja e këtij medikamenti jetëshpëtues në Kosovë është bërë e mundur nga ngjarjet bamirëse të mbajtura në vitin 2017 si ‘Let’s Dance ’ në Prishtinë, ngjarja ‘Meet Us Halfway’ në New York, SHBA dhe ‘ Darka e Diasporës’ në Zvicër.

Burimi: cicerima

/komuniteti