Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Engjëjt e braktisur – rrëfimi nga QKUK-ja për foshnjat që refuzohen nga nënat e tyre

30.10.2017 - Vetëm nëntë muaj mund ta shijojnë ngrohtësinë e nënave, atëherë kur foshnjat gjenden në barkun e tyre. Por, për fatin e keq, disa prindër zgjedhin që bebet e tyre t’i lënë nën mëshirën e askujt, duke i braktisur që në momentin e lindjes. Në repartin e fëmijëve të braktisur aktualisht janë 11 foshnja që janë braktisur për 8 muajt e parë të këtij viti. Në Klinikën e Neonatologjisë tregojnë se pikërisht në sallën e lindjes këto “nëna” e bëjnë deklaratën e tmerrshme, se i porsalinduri i tyre është i padëshiruar.

Përqafimin e parë pas braktisjes së prindërve, këtyre foshnjave ua jep motra Lushe Jusufi, kryeinfermiere në repartin e fëmijëve të braktisur.

Ajo për Express ka folur me shumë dhembshuri për trajtimin e këtyre foshnjave në këtë repart.

“Ndjenja është shumë e mirë me iu dhanë ndihmë këtyre fëmijëve, posaçërisht që janë të braktisur prej njerëzve më të dashur, prej prindërve të vet. Është diçka e papërshkrueshme me iu ndihmu këtyre fëmijëve”, rrëfen ajo.

Kryeinfermierja Lushe Jusufi tregon se momentalisht përkujdeset për pesë fëmijë, të cilët janë lënë jetimë nga prindërit e tyre.

“Të gjithë për momentin janë në gjendje të mirë shëndetësore, ka disa me probleme shëndetësore, por jo të mëdha”, thotë ajo.

Ajo tregon se kushtet për trajtimin e këtyre fëmijëve nuk janë të mira. Përpos mungesës së hapësirave, ky repart ballafaqohet edhe me mungesën e veshmbathjeve, si dhe infermierëve të cilët do të merreshin vetëm me trajtimin e këtyre foshnjave.

“Kushte ka pak, hapësirë po mendoj. Pampersat (pelenat) na sigurohen nga barnatorja qendrore. Tesha zakonisht kane sjellë shoqatat, tash sjellin stafi, mjekët, motrat, kush ka pasë fëmijë iu sjellin tesha. Kemi nevojë më shumë për motra, për staf përkujdesjen e këtyre foshnjave, meqenëse kërkojnë kujdes për 24 orë”, shpjegon tutje ajo.

E ndërkohë në dhjetë muajt e parë të këtij viti, në Klinikën e Neonatologjisë janë braktisur 11 foshnja. Drejtori i kësaj Klinike, Xhevdet Gojnovci, ka shpjeguar për Express rreth trajtimit të tyre në Klinikën që ai drejton.

“Deri në këto momente kemi 11 foshnja që janë braktisur nga të dy prindërit, gjithsej kemi 28 foshnja, 17 prej tyre ani se kanë qenë me probleme sociale kanë qëndruar në Klinikën e Neonatologjisë, gjegjësisht në repartin për rastet sociale, 17 prej tyre i kanë marrë prindërit dhe përkujdesen për ta", thotë ai.

Ai shpjegon se foshnjat e braktisura në Neonatologji mund të qëndrojnë aty deri në 28 ditë pas lindjes, por, sipas tij, ka raste më specifike ku foshnjat janë me ndonjë sëmundje dhe ato deri në shërimin e plotë trajtohen në Neonatologji.

“Këto ose na lajmërojnë, varësisht prej rasteve se a lindin në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike apo diku në terren kur lajmërohet policia e që e sjellin në neonatologji, ata 24 orë trajtohen në kujdesin intensiv për monitorim, pas 25 orëve dërgohen në repartin... ku qëndrojnë deri në 28 ditë”.

Gojnovci thotë se ka edhe raste kur foshnjat braktisen nga nënat jashtë Klinikës Obstetrike Gjinekologjike.

“Vetëm tri raste i kemi që janë sjellë nga ambientet e jashtme, ndërsa të tjerat të gjitha janë që kanë lindur në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike".

Tutje drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, deklaron se nënat në sallën e lindjes deklarojnë që fëmija është i padëshirueshëm.

“Në sallën e lindjes nënat deklarojnë që fëmija është i padëshirueshëm për prindërit, ne e sjellim në Klinikën e Neonatologjisë”, tregon drejtori Gojnovci.

Megjithëkëtë, Gojnovci thekson nevojën për shtimin e numrit të infermierëve të rinj. “Ne kemi mungesë të infermierëve në Klinikën e Neonatologjisë dhe përcaktimi i infermierëve për këtë çështje është nevojë imediate”.

E kryeinfermierja Nushe Jusufi shpjegon për momentin e ndarjes me këto foshnja.

“... ne gjithmonë ndjejmë dhembshuri për këta fëmijë. Ne jemi të familjarizuar me këta fëmijë, të gjithë stafi, mjekët e motrat".

Kjo e fundit jep një mesazh për nënat e reja që të mos i braktisin fëmijët e tyre.

“Kush ka mundësi me iu ndihmu këtyre fëmijëve. Qendrat të punojnë më shumë me nënat".

Edhe drejtori Xhevdet Gojnovci ka një mesazh për nënat lehona, të cilat po i braktisin foshnjat e tyre.

Ndërkohë, gjatë gjithë vitit të kaluar 21 foshnje janë braktisur nga prindërit. Ndër shkaqet kryesore që këto nëna të reja braktisin fëmijët, janë kushtet sociale dhe ekonomike, por edhe mospajtimi mes çiftit dhe familjes së vajzave për t’i mbajtur këta fëmijë.

Burimi: GazetaExpress

Anik. A (7 vite më parë)
Eh valla kur ua kana mi bo fëmijet duhet edhe mu kujdes për ta se ata bubrreca nuk janë , nuk rriten aq lehtë. .Kur nëna heq dorë nga fëmija i saj , qka me prit nga të tjerët , dhembshuri , kujdes , dashuri ? Unë as nuk mund ta imagjinoj si kanë zemër ato nëna pa fije zemre e turpi ti lejnë fëmijet e tyre në duar të huaja pavarsisht kushteve dhe rrethanave ? Më shumë njerzillak po kanë kafshët sesa vet njeriu.Të paktën kafshët nuk i braktisin të vegjlit e tyre.Turp për këtë shoqëri dhe këtë kohë " Moderne " ku nënat i braktisin bebet e tyre sikur të ishin lecka.Ku mund ta gjej ai fëmijë ngrohtësi dhe dashuri më të mirë se në prehrin e nënës ?!

/komuniteti