Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Fëmijët hanë më shumë perime nëse shoqërohen me ujë

28.05.2012 - Zëvendësimi i pijeve klasike të ëmbla me ujë ndikon në sasinë e perimeve që fëmijët e hanë në një shujtë, ka treguar hulumtimi.

Një hulumtim amerikan ka treguar se si fëmijët do të hanë më shumë perime nëse me to do t’u shërbeni edhe ujë, dhe jo pije dhe lëngje të ëmbëlsuara klasike.

Ky është përfundimi i hulumtimit të ri të Bettine Cornwell nga Universiteti amerikan Oregon dhe Anne McAlister nga Universiteti i Michigan.

Në revistën “Appetite” janë prezantuar studimet e tyre të ndara. Njëri ka përfshirë hulumtimin me 60 amerikanë të rinj në moshën prej 19 deri 23 vjeç për rolin e ndërlidhjes së ushqimit dhe të pijeve. Studimi i ri ka përfshirë eksperimente me 75 fëmijë në moshën prej tri deri pesë vjeç, për të vërtetuar rolin e pijeve te konsumimi i perimeve. Këta fëmijë parashkollorë janë testuar në ditë të ndryshme sipas skenarëve të ndryshëm të cilat kanë përfshirë pije të shërbyera me perime.

Të anketuarit më të vjetër kanë preferuar kombinimin e pijeve me gaz të shërbyera me gjëra të njelmëta, ushqim kalorik më shumë se pijet me gaz dhe perimet. Fëmijët parashkollorë kanë ngrënë më shumë perime të pagatuara, si karota dhe speca, kur janë shërbyer me ujë se sa kur janë shoqëruar me pije të ëmbëlsuara, kanë treguar hulumtimet.

“Preferencat tona të shijeve janë të ndikuara shumë nga ekspozimi të përsëritur ndaj disa ushqimeve dhe pijeve të caktuara”, ka thënë Cornwell, profesoreshë e marketingut në Fakultetin ekonomik të Universitetit Oregon. “Kjo fillon herët gjatë ekspozimit ndaj ushqimeve të cilat shërbehen në shtëpi dhe kombinimit të shujtave që u shërbejnë shumë restorante. Rekomandimi ynë i thjesht është të shërbehet uji me të gjithë shujtat. Restorantet shumë lehtë mund ta përdorin ujin si pije që u shtohet shujtave të fëmijëve”, ka shtuar ajo.

Të shërbyerit me ujë , ka thënë McAlister, mund të jetë ndryshim i thjeshtë por efikas distik, i cili do të ndihmojë në zgjidhjen e problemit në rritje të trashjes në SHBA, ku shënohet numër gjithnjë më i madh i rasteve me diabet te të rriturit e rinj dhe rritja e shpenzimeve shëndetësore në tërësi.

Uji si pije gjatë shujtave po ashtu do të reduktojë dehidrimin. Edhe pse vlerësimi i dehidrimit varet nga burimet, shumë vlerësime tregojnë që 75 për qind e amerikanëve të rritur janë kronikisht të dehidruar, ka thënë Cornwell.

Nga rutina e hershme, fëmijët mësojnë të lidhin pijet e ëmbla me shumë kalori, siç janë colat e ndryshme me gjëra të njelmëta dhe të yndyrshme, ushqimet me shumë kalori si patatet e fërguara. Nëse pija në tavolinë redukton shanset që fëmijët dhe të rriturit do të hanë të gjitha perimet, atëherë ndoshta është koha që ta ndryshojmë atë pije dhe ta zëvendësojmë me ujë”, ka theksuar Cornwell./zhurnal/

/komuniteti