Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Fëmijët rrezikojnë shtrembërim kurrizi!

20.01.2012 - Fëmijët kosovarë të klasave të para bartin çantat shkollore të cilat kalojnë kufirin e rekomandueshëm për 500 gramë, sipas një studimi të ri. Autori Ismet Potera thotë se kjo peshë tek fëmijët e vegjël mund të ndikojë në shtrembërimin e kurrizit të tyre.

Studimi i kryer vitin e kaluar, ku janë përfshirë 226 fëmijë kosovarë, ka dhënë rezultate jo të mira për nxënësit e klasave të para. Po ashtu, fëmijët e klasave të pesta dhe të teta mbajnë çanta mbi kufirin e lejuar.

Autori i studimit, Ismet Potera kishte intervistuar 95 nxënës të klasës së parë ose 35, 7 për qind të hulumtimit, si në qytete ashtu edhe në fshatra. Ai kishte peshuar dhe matur nxënësit si dhe çantat e tyre.

Tek nxënësit e klasës së parë është vërejtur se çantat shkollore peshonin prej një deri në mbi tre kilogramë dhe se mbi 90 për qind e fëmijëve e bartin atë në në shpinë.

Pesha mesatare për djem ishte 23,6 kg ndërsa për vajza 22,5 kg. Ndërsa, pesha mesatare e çantave për djem ishte 2,950 kg ndërsa për vajzat ishte tre kilogramë.

Sipas këtyre shifrave, djemtë e klasës së parë bartin gjysmë kilogram më shumë ndërsa vajzat bartin rreth 300 gramë më shumë se kufiri i lejuar.

Sipas standardeve të përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetit, ngarkesa fizike tek fëmijët nuk guxon të kalojë 10 përqindëshin e peshës trupore të fëmijëve.

“Kjo peshë, prej gjysmë kg, nuk është pak për moshën e fëmijës shtatëvjeçar, kur dihet se është moshë/fazë kur bëhet formësimi dhe rritja e trupit,” shkruan Potera në hulumtimin e tij i cili ishte publikuar nga ministria e arsimit si pjesë e grantit për punime shkencore.

Potera kishte theksuar se ka filluar të punojë në këtë çështje pasi që mungonte një hulumtim serioz për ngarkesën fizike ku çdo ditë dëgjoheshin ankesa nga prindër e nxënës.

Metodologjia e punës është bërë fillimisht nga një analizë teorike e literaturës për të gjetur një standard për të saktësuar çështjen e ngarkesës fizike. Përzgjedhja e mostrës ishte e rastit por përcaktimi për moshën e nxënësve ishte bërë nga autori.

Matjet janë bërë me peshore dhe metër ndërsa të dhënat tjera për nxënësit janë marrë nga dokumentacioni i klasës. Matjet ishin bërë në janar dhe shkurt të vitit 2011.

Potera po ashtu përshkruan disa rekomandime se si mund të ndërmerren disa hapa për zvogëlimin e këtij problemi duke thënë ndër të tjera se duhet të shikohet mundësia se çka mundet nxënësi të lë në shkollë dhe çka mund të bart me vete në shtëpi.

Autori i studimit thekson se ngarkesa dhe reformat në edukim kanë ndërlidhje me rëndësi me këtë fushë.

Ai thotë se me ndryshimin e fillimshkollimit nga mosha shtatë vjeçare në gjashtë nuk është bërë matja e aftësive fizike të nxënësve për këtë ndryshim.

“E njëjta ngarkesë fizike është edhe tani por hulumtimi është bërë para se të zbatohet Abetarja e re e cila për disa gramë e ka rënduar kurrizin e fëmijëve,” shkruan Potera.

Fëmijët e edukimit të ultë vazhdojnë të bartin këto çanta edhe pse ministria thotë se është në dijeni për këtë problem.

Drejtori i administratës së arsimit parauniversitar, Alush Istogu tha se ministria ishte në dijeni për këtë çështje edhe në kohën e ministrit Enver Hoxhaj dhe se grupet punuese tashmë kanë krijuar bërthamën e re të kurrikulës e cila është aprovuar nga ministria. Ajo duhet të ndihmojë rregullimin e këtij problemi.

“Grupet punuese janë duke shikuar që të përfundohet sa më shpejt që është e mundur kurrikula e re,” Istogu i tha Gazetës Jeta në Kosovë duke shtuar se edhe këtë vit fëmijët do të vijojnë mësimin me kurrikulën e vjetër./gazetajnk.com/

/komuniteti