18.07.2013 - Së paku 21 fëmijë kanë vdekur, ndërsa afër 80 sish janë hospitalizuar pas helmimit me ushqimin që u është shërbyer në shkollën shtetërore në Çaprti, në lindje të lndisë, ka njoftuar dje pushteti i atjeshëm.
Pas tragjedisë kanë shpërthyer demonstrata të dhunshme në vend, kur vendësit e zemëruar i kanë ndezur autojmetet policore dhe prornën publike.
Kreu i shtetit federal të Indisë Bihar, Abhixhit Sinha, ka deklaruar se 27 fëmijë, me moshë mes tetë e 11 vjeç, si dhe kuzhinierja e shkollës ndodhen në spitalin e qytetit Patna, me ç’rast dhjetë fëmije janë në gjendje të rëndë, ka transmetuar agjencia AP.
Së shpejti janë bartur në spitalin lokal, e më vonë në spitalin e qytetit Patna. Shujtat kanë qenë të përgatitura në kuzhinën shkollore, por personeli ka ndërprerë shërbimin e drekës pasi që fëmijët kanë filluar të vjellin.
Ministri i arsimit të shtetit federal të Indisë Bihar, P. K. Sahi, ka deklaruar se hetimet preliminare, tregojnë që ushqimi përmban gjurmë të organofosfateve, të cilat përdoren si insekticid në të mbjellat e orizit dhe grurit. Besohet se ushqimi nuk është larë para se të jetë përdorur për të ushqyer fëmijët. Bihari konsiderohet si një prej shteteve federale më të varfra të Indisë, kurse qeveria ne Nju Delhi, në kuadër të programit social u siguron shujta falas nxënësve të varfër në shkollat shtetërore në shumicën prej 29 shteteve federale./zeri/

