23.04.2014 - Rreth 1.500 fëmijë rriten nga prindërit në burgjet e Bolivisë. Të burgosurit i mbajnë fëmijët brenda pranë vetes, nga frika se ata mund të bien pre e keqtrajtimeve jashtë.
Rosy është një nënë e re punëtore, e cila çon vajzat e saj në shkollë çdo mëngjes para se të shkojë në treg për të blerë përbërësit për gjellët që ajo i bën dhe i shet gjatë ditës. Çdo mbrëmje, ajo i merr vajzat nga shkolla dhe ato shkojnë në shtëpi në San-Pedro, burgun më famëkeq të Bolivisë.
“Në fillim, kam pasur shumë frikë. Mendoja se gjithçka mund të ndodhte këtu, por ditët kanë kaluar”, shprehet Rosy për rritjen e fëmijëve të saj prapa grilave. “Gjithçka varet nga prindërit, se si organizohemi në për t’i mbrojtur dhe për t’u kujdesur për fëmijët. Njëjtë është edhe jashtë”.
Sipas shifrave zyrtare, 1.500 fëmijë bolivianë jetojnë me një prind prapa grilave, mirëpo shifra mund të jetë shumë më e lartë – veçanërisht gjatë pushimeve, kur fëmijët vizitojnë prindërit e tyre të burgosur. Qindra femra dhe fëmijë që jetojnë bashkë me të burgosurit kalojnë nëpër portat e metalta të burgjeve çdo ditë për të shkuar në punë apo shkollë, ka raportuar The Guardian.
Sipas të drejtës boliviane, fëmijët mund të largohen nga burgu kur ata të mbushin gjashtë vjet, por shumë prej tyre jetojnë aty shumë më gjatë me prindërit që nuk duan t’i lënë të shkojnë. Ata kanë frikë se fëmijët e tyre do të keqtrajtohen nëpër shtëpi, dhe nuk ua zënë besën pjesëtarëve të familjes së gjerë, shumë prej të cilëve janë shumë të varfër, për t’u kujdesur për ta. Kjo bën që disa prindër të vlerësojnë se rritja në burg është opsioni më i mirë, apo i vetmi për një fëmijë.
Organizatat ndërkombëtare, përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e kanë kritikuar praninë e fëmijëve në burgjet boliviane. Ndonëse burgjet në Bolivi janë relativisht më pak të dhunshme se në vendet e tjera të Amerikës Latine, prapëseprapë ndodhin gjëra të tmerrshme.
Vitin e kaluar, një vajzë është përdhunuar nga disa meshkuj në një familje në San-Pedro, ndërsa një fëmijë ka vdekur në burgun Palmasola, në Santa-Kruz, teksa përleshjet ndërmjet disa të burgosurve kanë shkaktuar një zjarr që ka mbytur plot njerëz. Këto ngjarje kanë nxitur përpjekje të reja për t’i larguar fëmijët nga burgu, veçanërisht ata të moshës 11-vjeçare dhe më të moshuar.
“Pavarësisht se sa e mirë është familja, asnjë burg nuk është i favorshëm për zhvillimin pozitiv të një fëmije”, ka thënë Lidia Rodriguez nga Zyra për të drejtat e njeriut e Bolivisë. Rodriguez ka thënë se mund të jetë e vështirë për të gjetur të afërm jashtë burgjeve që janë të gatshëm për t’u kujdesur për një fëmijë, por disa të burgosur nuk motivohen nga mirëqenia e fëmijëve të tyre. Përkundrazi, ata i mbajnë fëmijët pranë, sepse ata shpresojnë se kështu do të lirohen para kohës.
Bashkëshorti i Rosyt, Juani, ka blerë një qeli të vogël për rreth 600 funte. Të burgosurit nuk janë të obliguar të paguajnë për rrymë dhe ujë, dhe marrin një vakt në ditë. Ushqimi gjithashtu ofrohet për fëmijët nën moshën gjashtëvjeçare. Me këto elementare të siguruara, 60 funtet në muaj që Rosy i fiton duke u shitur ushqim të burgosurve dhe vizitorëve mjaftojnë për të kaluar muajin./gazetaexpress/

