Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Fshihet skandali i lodrave kancerogjene

Lodrat të cilat më së shumti shiten në Kosovë, me çmime rreth 1 euro, biberonët për të porsalindur, makinat lodra nga plastika, kukullat barbi, revolet me ujë... është zbuluar se përmbajnë materie shumë të rrezikshme kimike. Kjo është vërtetuar në laboratorin e Institutit “Giocattoli Sicuri” nga Roma tash një vit. 

Ky dokument ka qenë në duart e institucioneve të Kosovës tash një vit, nga të cilat është kërkuar që të tërhiqen këto lodra nga tregu sa më parë. Mirëpo, dokumenti i laboratorit italian është mbajtur i fshehtë, derisa biznesi me këto lodra të importuara nga Kina, Turqia dhe Serbia ka vazhduar të qarkullojë milionat në treg. 

Gazeta “Zëri” ka siguruar dokumentin, në të cilin radhiten një nga një lodrat dhe produktet tjera të plastikës për fëmijë, që kanë rezultuar me përmbajtje të lartë të substancave të rrezikshme kimike. Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka konfirmuar se këto lodra përmbajnë elemente kimike të rrezikshme të cilat dëmtojnë rëndë shëndetin e fëmijëve. 

Doganat e Kosovës edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e kanë mbajtur në sirtar këtë dokument duke e klasifikuar konfidencial që nga muaji mars i vitit 2013. 

Biberonët me materie kancerogjene 

Në raportin e emëruar si “Lodrat e sigurta” (Safe toys Kosovo), i cili ka 11 faqe janë rezultatet e 15 mostrave të lodrave të cilat janë dërguar nga Dogana e Kosovës në Itali në vitin 2012. Dogana italiane pastaj i kishte dërguar në Institutin “Giocattoli Sicuri” në Romë. Rezultatet nga ky institut ishin kthyer në Kosovë më 1 mars të 2013-s. 

Këto materie të rrezikshme kimike janë konstatuar se gjenden në biberonët të cilët përdoren te shishet për fëmijë. “Nitrosamine” dhe “Nitrosatable” janë dy elementet e rrezikshme kimike që i përmban ky biberon për fëmijë, i cili gjendet në tregun kosovar. Përveç këtyre dy elementeve kimike, ky biberon nga goma përmban edhe elementin tjetër tejet të rrezikshëm që është “Ftalatet” të cilat janë estere të acidit ftaleik. Në raportin laboratorik, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, shihet se produkti me numër R9730 “Baby Bottle Nipple”, që në shqip nënkupton biberon që përdoret për shishet e fëmijëve, nuk e ka kaluar testin kimik. Madje rekomandohet që ky produkt menjëherë të hiqet nga tregu. 

Këtë test nuk e ka kaluar as produkti tjetër lodër-kukull për fëmijë “Children Toy –Doll”, i vlerësuar nga laboratori italian i rrezikshëm bashkë me lodrën tjetër kukull “Baby Doll Bebi”.

Lodrat tjera janë makinat lodër për fëmijë “Children toy cars”, të cilat nuk e kanë kaluar as testin fizik, mekanik dhe kimik. Edhe lodrat enigmë (Puzzle), me numër të mostrës 4481, në këtë raport laboratorik thuhet se nuk kanë kaluar asnjërin nga testet, kimik, fizik dhe mekanik. 

Lodra tjetër, e cila nuk ka kaluar këtë test, është revole me ujë (Water pistol), po ashtu pozitiv në këtë test ka dalë edhe lodra - luftëtarë të vendosur, (Warriors set). Me materie tejet të rrezikshme kimike është vlerësuar edhe balona (Ballons), po ashtu lojë enigmë për fëmijë, figura të kafshëve, lodër buldozer, lodër lepur, si dhe biberoni për shishe të fëmijëve. 

Këto 15 lloje të lodrave të cilat janë dërguar mostër në laboratorin italian, nuk kanë përmbushur asnjë nga standardet evropiane të cilat lejohen të vendosen në treg. 

Më të rrezikuarit - fëmijët nën 3 vjeç

“Këtu shihet edhe veprimi kryesor dëmtues në shëndet, i cili pastaj pasohet nga çrregullimet apo sëmundjet e mundshme, të cilat janë të ndryshme duke filluar nga problemet e zhvillimit intelektual te fëmijët, problemet reproduktive te femrat e meshkujt e deri te paraqitja e formave të ndryshme të kancerit”, ka thënë Drita Zogaj, menaxhere e Cilësisë dhe drejtoreshë e Laboratorit. 

Sipas Zogajt, rruga kryesore e depërtimit të ftalateve në organizmin tonë është ajo orale/gojore dhe nazale/hundore. “Fëmijët janë më të rrezikuar se të rriturit e posaçërisht fëmijët e moshës së vogël deri 3 vjeç, për shkak të prirjes që të fusin gjëra të ndryshme në gojë”, ka shtuar Zogaj, duke thënë se për këtë arsye gjërat e plastikës/gomës të parapara për t’u përdorur në gojë, si cucllat, biberonët paraqesin rrezik të posaçëm nga ftalatet. 

Dogana dhe MTI ruajnë “konfidencialitetin” 

Nga zyra për informim e Doganës së Kosovës, thuhet se ata janë iniciues të kësaj analize. "Ne si Doganë e Kosovës kemi iniciuar që në tregun kosovar të merren mostrat dhe të bëhen analizat laboratorike për të parë se a ka rreziqe nga to, pasi që në vitet 2010-12 në gjithë Evropën dhe SHBA-në ishte bërë tërheqja e shumë lodrave, të konstatuara se përmbajnë elemente të rrezikshme kimike", thuhet në përgjigjet zyrtare të këtij institucioni. 

Ata mospublikimin e këtij dokumenti e arsyetojnë me marrëveshjen që kanë me Doganën e Italisë. ”Raporti nuk është bërë publik pasi që kemi pasur një marrëveshje me Doganën e Italisë që ky rezultat të mbetet konfidencial”. 

Nga ana tjetër Lulzim Syla, ushtrues detyre i kryeinspektorit të Inspektoratit të Tregut në MTI, ka thënë së edhe kjo Ministri ka qenë pjesë e aktivitetit për përzgjedhjen e mostrave të lodrave për fëmijë, të cilat janë dërguar në Itali për testim. “Dhe sapo jemi njoftuar me rezultatin se të njëjtat nuk i plotësojnë kriteret në aspektin e sigurisë kemi ndërmarrë masa që të fokusohemi në kontrollimin e tregut të këtyre produkteve dhe se në rastet kur janë hasur të njëjtat, atëherë janë ndërmarrë masa që të njëjtat të tërhiqen nga tregu", ka thënë për “Zërin” Syla.

Ndërkaq, të martën me 5 euro gazeta “Zëri” ka blerë pesë lloje të këtyre lodrave në një nga dyqanet në Prishtinë. Ato edhe më tutje vazhdojnë të vërshojnë tregun, derisa për shkak të standardit të ulët të kosovarëve, janë lodrat të cilat shiten më së shumti.

 

Burimi: Zëri

/komuniteti