20.04.2015 - Deri sot, është bërë një përparim marramendës në hulumtimin e kancerit, por ne ende nuk e dimë me saktësi se kush shkakton shumicën e llojeve të tij.
E dimë se janë shumë faktorë që na bëjnë të rrezikuar për disa lloje të kancerit. Disa prej këtyre faktorëve janë jashtë kontrollit tonë, por janë disa faktorë në të cilët ne mund të ndikojmë. Fatmirësisht, tani ka teste që mund të na ndihmojnë për të detektuar disa lloje të kancerit në stade të hershme.
Çka është HPV?
HPV është shkurtesë për Human Papilloma Virus, që paraqet një grup prej 150 tipe të këtij virusi. Disa prej tyre shkaktojnë papillomat (lythat), por disa tipe tjera janë të njohur si shkaktarë të kancerit të qafës së mitrës.
Çka është kanceri i qafës së mitrës?
Kanceri i qafës së mitrës fillon në qelizat e qafës së mitrës, e cila është pjesë e mitrës që hapet në vaginë.
Në çfarë mënyre infeksioni me HPV çon në kancer të qafës së mitrës?
HPV virusi përhapet përmes marrëdhënies seksuale dhe mund të shkaktojë infeksion të qafës së mitrës. HPV infeksioni shkakton ndryshime të qelizave të qafës së mitrës në pre-kancer qeliza, të cilat janë të kurueshme. Kur këto qeliza nuk vërehen ose nuk trajtohen, mund të shndërrohen në qeliza të kancerit të qafës së mitrës.
Kush mund të infektohet me HPV?
Çdo mashkull ose femër që ka pasur marrëdhënie seksuale.
Si parandalohet infeksioni me HPV?
Edhe pse ka vaksina për parandalimin e infeksionit, ato nuk janë të sigurta për të gjitha tipet e virusit, poashtu nuk parandalojnë infeksionet nga sëmundje tjera transeksuale.
Në shumicën e rasteve kanceri i qafës së mitrës mund të parandalohet edhe pa vaksinë. Skriningu dhe përcjellja e duhur do të parandalonin shumicën e rasteve me kancer të qafës së mitrës. Pap testi mund të gjej ndryshimet e hershme në qafën e mitrës, para se ato të bëhen kancer. Këto qeliza të ndryshuara pastaj mund të trajtohen për të parandaluar shfaqjen e kancerit.
Nëse jeni seksualisht aktiv, ju mund të zvogëloni rrezikun nga infeksioni me HPV dhe kanceri i qafës së mitrës:
Duke pasur marrëdhënie seksuale vetëm me një partner, i cili poashtu ka marrëdhënie seksuale vetëm me ju
Duke praktikuar përdorimin e kondomit çdo here (nuk janë komplet të sigurtë për HPV, pos për sëmundje tjera transeksuale)
Duke ndaluar duhanpirjen
Duke bërë Pap test rregullisht
Kur duhet të testohemi?
Sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit, Pap testi duhet të bëhet më së shumti 3 vjet pas marrëdhënies së parë seksuale, ose nga mosha 21 vjeçare dhe duhet të përsëritet çdo 3 vjet rregullisht.
Pas moshës 30 vjeçare, nëse tri herë me radhë keni pasur Pap test normal, mund të bëni Pap test çdo 3 vjet ose çdo 5 vjet nëse bëni Pap test bashkë me HPV test.
Pas moshës 65 vjeçare, nëse tri herë me radhë keni pasur Pap test normal, pa ndryshime abnormale në 10 vitet e fundit, ju mund të ndaloni bërjen e Pap testit.
Nëse udhëzuesit respektohen mjaftueshëm, ndryshimet në qafën e mitrës zbulohen në faza të hershme dhe lehtë mund të kurohen. Shumica e rasteve me kancer të qafës së mitrës zbulohet te femrat të cilat nuk kanë bërë Pap test kurrë ose për shumë vite.
Nëse në Pap test janë gjetur ndryshime që i shkakton infeksioni me HPV, bëhet HPV testi për të kërkuar tipet e HPV virusit që më së shpeshti shkaktojnë kancerin e qafës së mitrës,
Kush është më i rrezikuar nga kanceri i qafës së mitrës?
Femrat e rrezikuara nga kanceri i qafës së mitrës janë: ato më imunitet të zvogëluar për shkak të transplantimit të ndonjë organi, kemoterapisë, përdorimit të steroideve, ose ato me HIV, dhe duhet të bëjnë Pap testin një herë në vit, dhe ato femra, nënat e të cilave kanë marrë diethylstilbestrol gjatë shtatzënisë, andaj duhet të bëjnë Pap teste vjetore edhe pas moshës 30 vjeçare. Bërja e Pap testit rregullisht mund të jua shpëtojë jetën.
Burimi: revistaflatra.com

