26.08.2014 - Një rast i dhunës familjare ka ndodhur në komunën e Suharekës me ç’rast dyshohet se bashkëshorti ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij e cila ishte shtatëzënë.
Sipas policisë viktima është rrahur fizikisht deri në atë shkallë sa në Shtëpinë e shëndetit në Suharekë është konfirmuar vdekja e fëmiut 8 muaj në barkun e nënës së saj.
“Rreth orës 08:00 të mëngjesit, policia në Suharekë ka pranuar një informacion i cili bënte me dije se në Shtëpinë e Shëndetit ishte sjell një grua shtatzënë e cila me gjasë ishte dhunuar fizikisht nga bashkëshorti i saj dhe kishte komplikime shëndetësore”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas Policisë, si rezultat i konfrontimit fizik, bashkëshorti e ka goditur gruan në stomak dhe si pasojë e goditjes fëmiu tetë muajsh ka vdekur në barkun e nënës.
“Dyshohet se burri e ka goditur gruan me grushte në stomak dhe si pasojë e goditjeve fëmija rreth tetë muajsh ka vdekur në barkun e nënës. Më pas është kryer aborti në përkujdesjen e mjekëve dhe trupi i pa jetë i fëmijës është dërguar për autopsi. Është informuar prokurori i shtetit lidhur me rastin e më pas, i njëjti, ka nënshkruar vendimin për ndalimin e bashkëshortit të dhunshëm. Me rastin po merren edhe institucione tjera si: Qendra për punë sociale dhe Qendra për mbrojtjen e viktimave”, njofton Policia e Kosovës.
Këtë rast e ka dënuar edhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) duke kërkuar nga organet kompetente që autori i krimit të dyfishtë, (dhunë fizike dhe vrasje), të merr dënimin e dyfishtë./kosovalive360/

