20.04.2015 - Këshilli i Prindërve të Kosovës është i shqetësuar me kërkesën e SBASHKU-t për fillimin e grevës së mësimdhënësve të nivelit parauniversitar të Kosovës, njoftoi sot përmes një komunikate për opinion.
Ne i kuptojmë kërkesat e sindikalistëve të Arsimit dhe gjendjen e rënduar financiare të personelit arsimor. Por njëkohësisht kërkojmë nga Sindikata e Arsimit që ta shqyrtojë më me seriozitet kërkesën për ndërprerje të mësimit, pasi që në këtë mënyrë po i shkaktohet barrierë procesit edukativo-arsimor dhe në rend të parë po humbin nxënësit.
Ne, Këshilli i Prindërve të Kosovës , kërkojmë nga Kryesia e SBASHK-ut që të përdorë metoda të tjera sindikale për realizimin e kërkesave të tyre e kurrsesi një veprim të tillë mos ta bëjnë në kurriz të nxënësve dhe prindërve .
Po ashtu kërkojmë nga MASHT-i dhe Qeveria e Republikës së Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet ligjore ndaj mësimdhënësve dhe shkollave në përgjithësi.
Nëpërmes kësaj komunikate ne, Këshilli i Prindërve të Kosovës, u bëjmë apel të gjithë nxënësve dhe prindërve të tyre që mësim të mbahet sipas orarit të paraparë dhe mos të bëhet ndërprerja e mësimit.
Nga drejtorët e shkollave dhe personeli arsimor kërkojmë që të krijohen kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të mësimit, - thuhet në komunikatën e Këshillit të Prindërve.
Burimi: koha.net

