Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Këshilli i Prindërve të Kosovës kërkon mos të ndërpritet mësimi

13.01.2015 - Këshilli i Prindërve të Kosovës ka shprehur shqetësim lidhur me kërkesën e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe të Kulturës së Kosovës (SBASHK) për fillimin e grevës së mësimdhënësve të nivelit parauniversitar.

Përmes një komunikate për media, ky këshill ka bërë apel tek të gjithë nxënësit dhe prindërit e tyre që mësimi të mos ndërpritet.

“Ne i kuptojmë kërkesat e sindikalistëve dhe gjendjen e rënduar financiare të personelit arsimor. Por, njëkohësisht kërkojmë nga Sindikata e Arsimit që ta shqyrton më me seriozitet kërkesën për ndërprerje të mësimit pasi që në këtë mënyrë po i shkaktohet barrierë procesit edukativo-arsimor dhe në rend të parë po humbin nxënësit”, thuhet në komunikatën për media.

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kërkuar nga Kryesia e SBASHK-ut që të përdorë metoda tjera sindikale për realizimin e kërkesave të tyre e kurrsesi një veprim të tillë mos ta bëjnë në kurriz të nxënësve dhe prindërve.

“Po ashtu kërkojmë nga MASHT-i dhe Qeveria e Republikës së Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet ligjore ndaj mësimdhënësve dhe Shkollave në përgjithësi. Nga Drejtorët e shkollave dhe personeli arsimor kërkojmë që të krijohen kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të mësimit”, thuhet në komunikatë.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) ka paralajmëruar se të martën do të mbajnë grevë në orën e parë në ndërrimin e paradites dhe atë të pasdites dhe në rast se nuk arrijnë ndonjë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës do të shkohet në grevë të përgjithshme, me përjashtim të institucioneve të arsimit parashkollor.

/komuniteti