Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Kujdestaret e shtëpisë së foshnjes

10.03.2013 - Irma është nëna e Anisës; Xhevahirja, nëna e Genit; Ardiana, nëna e Enxhit, ndërsa Rozeta është nëna e Lizës. Në të vërtetë ato nuk janë nënat biologjike të këtyre fëmijëve. Janë punonjëse të shtëpisë së foshnjes në Tiranë, por që për shkak të lidhjeve të forta të krijuara gjatë punës ndër vite, secila prej tyre ka marrë një fëmijë në kujdestari të veçantë duke e quajtur birin e saj.

Irma Karameta, kuzhiniere, tregon: “Kur vijnë, ne zgjedhim një fëmijë. Nuk është se përqendrohemi vetëm tek ai që kemi zgjedhur, por i mbajmë më me hatër.”

Të punosh me fëmijë të braktisur nuk të bën thjesht një kujdestare të përgjegjshme. Këto gra thonë se kanë investuar gjithë dashurinë për fëmijët e institucionit.

Ardiana Shulku thotë: “Më pëlqen shumë si profesion dhe dashuria ndaj këtyre fëmijëve është e madhe. Edhe kur kthehemi në shtëpi flasim për këta fëmijë.”

Kalojnë orë të ditës dhe natës me këta fëmijë dhe puna e tyre nuk nuk mund të ndahet mes kujdestares dhe ndjesisë së të qënurit nënë.

Të japësh shpirtin në punë në këmbim të një dashurie të pafajshme dhe të sinqertë është shpërblimi me sublim që një grua mund të marrë gjatë punës së kujdestarisë. Por, pjesa më e vështirë për këto kujdestare, nëna, është koha kur duhet të ndahen përgjithnjë nga foshnjat.

Një nga kujdestaret shprehet: “Unë e konsideroj vajzën time një nga fëmijët këtu. Tani ajo është në proces birësimi dhe ditën e parë që i ka ardhur mamaja e re, unë jam ndjerë shumë keq sepse jam lidhur shumë me të që kur ka ardhur nga materniteti.”/tch/

/komuniteti