Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Letërkëmbimi i Dritëroit me nxënësit e Gjakovës: Na trego fundin e “Ujku-t”

26.12.2013 - Një histori e shumë viteve më parë, në një dimër të egër me dëborë, që i kishte ndodhur Dritëro Agollit fëmijë, ka bërë kuriozë dhjetëra fëmijë të klasave të pesta.

Në tekstin e Leximit për këto klasa është përfshirë edhe një pjesë nga tregimi “Ujku”. Një histori e vërtetë, fundi i së cilës nuk jepet në libër. A se autorët i kanë rënë shkurt, a kanë dashur të nxisin fantazinë e fëmijëve, kjo mbetet për t’u diskutuar. Tregimi na kthen shumë vite pas, kur Agolli, fëmijë, shkonte në shkollë mes dëborës dhe rrethohet nga një tufë ujqish. Për t’u shpëtuar ai ngjitet në një pemë.

Se ç’ndodh më pas, nuk mësohet në tekstin e Leximit dhe kanë qenë jo të paktë ata fëmijë që janë bërë kuriozë për fundin e historisë. Kështu ka ndodhur edhe me nxënësit e klasës së pestë të shkollës “Kelmend Rizvanolli” në Gjakovë, të cilët kanë zgjedhur të zgjidhin dilemën e tyre, duke i dërguar një letër shkrimtarit. Një letër e shkruar me shkrim dore, me shumë kujdes dhe me një shqipe të pastër. Pasi i rendisin disa nga variantet e tyre për mënyrën se si fëmija i dikurshëm i shpëtoi ujqërve, ata i luten shkrimtarit t’ua tregojë fundin e historisë. “Ne duam të dimë se cila është e vërteta. Do të ishim shumë mirënjohës nëse do të na e tregoje”, shkruajnë fëmijët, që në fund kanë nënshkruar me emrat e tyre, shumica, emra shqiptarë, si Dielli, Rrezja, Erlisi, Valëza etj.

I prekur nga kjo letër, shkrimtari Dritëro Agolli, u është përgjigjur fëmijëve, duke u treguar shkurtimisht fundin e historisë së vërtetë. Tregimi i mbështetur mbi këtë histori, është shkruar në vitin 1963 dhe ka qenë pjesë e përmbledhjes “Zhurma e erërave të dikurshme”, e cila u ndalua. Një nga arsyet ishte edhe tregimi “Ujku”, pasi kritika e kohës vlerësoi se autori aludonte për vrasjen e ndonjë “ujku të madh komunist”. “Libri im ‘Zhurma e erërave të dikurshme’, kur u botua në 1964, u ndalua edhe për tregimin ‘Ujku’, pasi mendonin se unë gjoja kisha në mendje të vritej një udhëheqës i rëndësishëm, jo një nëpunës i vogël siç ishte këlyshi i ulkonjës”, shkruan Agolli, ndër të tjera. Bashkë me letrën, shkrimtari u dërgoi fëmijëve edhe tregimin e plotë. Mësohet se letra të ngjashme dhe telefonata, shkrimtari Dritëro Agolli ka marrë edhe nga nxënësit e Tiranës, çka tërheq edhe një herë vëmendjen drejt përmbajtjes së teksteve shkollore.

TREGIMI I PLOTË I DRITËRO AGOLLIT, DËRGUAR NXËNËSVE TË GJAKOVËS

“Ujku”

Isha i vetëm në mes asaj lugine anës Devollit, të mbuluar me dëborë. Ndofta kishte edhe të tjerë që ecnin si unë, që ngrinin së ftohti si unë, po as i shihja as i ndjeja. Isha atëherë trembëdhjetë vjeç, por kisha një trup të gjatë dhe krahë të fortë. Kthehesha në fshatin tim nga shkolla që mbante ndonjë orë larg. Trastën e librave e kisha hedhur në qafë dhe me opingat e lidhura me gjalmë leshi çaja dëborën që kërciste si kripë e thatë. Kur iu afrova dy lisave të mëdhenj, ndjeva një ulërimë të largët që i ngjante ulërimës së një qeni të llahtarshëm. Ndala dhe zemra më rrahu. Shkova diku në kodër dhe preva për një çast frymën:

-Ujk!- thashë.

Sytë e mi vajtën në dy lisat e mëdhenj.

-Vrapo!- i thashë vetes.

Dhe iu qepa lisave binjakë se kisha dëgjuar se kur derdhen në dimër ujqit, e mira e të mirave është të hipësh në ndonjë pemë për t’u shpëtuar dhëmbëve të tyre të egër.

-Shpejt! Era frynte dhe degët e lisave të lartë vërshëllenin, por tani e ndjeja veten më të siguruar se atje poshtë në dëborë. Dhe megjithëse isha lart dhe e dija se asgjë e keqe nuk mund të më ndodhte, m’u drodh zemra dhe dhëmbët filluan të më kërcisnin. Poshtë meje, fare pranë, dy metra larg këmbëve, vinin vërdallë pesë ujq. Dy ishin të mëdhenj e tre më të vegjël, të cilët i shëmbëllenin këlyshëve të një bushtre.

Ai më i bëshmi dhe më i egri duhet të ishte i ati i tre të vegjëlve, kurse ajo më e dobëta e më e holla që rrinte pranë të vegjëlve patjetër ishte e ëma. Ujku, i ati i këlyshëve, herë pas here e ngrinte kokën nga unë dhe mua më dukej se i kërciste dhëmbët. O, si ishte ajo koka e tij! Ajo ishte shumë më e madhe se e qenit. Balli ishte i gjerë dhe qafa e trashë e mbuluar me një lesh të murrmë që i rrinte si një jakë e trashë.

Veshët qëndronin të ngritur lart e dukeshin sikur dëgjonin gjithçka që ç’bëhej rreth e qark, dëgjonin edhe të rrahurat e zemrës sime. Po sytë? Si shkëlqenin ata me një dritë si të verdhë me një dritë të frikshme. Ai dy herë m’i nguli mua ata sy dhe ajo dritë e verdhë për pak sa m’i mori mendtë, por u mbajta.

. -Mos u tremb! Ai nuk mund të ngjitet. Shtrëngohu pas degës, -i thashë vetes. Ndërsa ujqërit e vegjël hidheshin mbi dëborë e loznin me t’ëmën, i ati i tyre u shtri mu në fund të lisit dy metro poshtë meje.

-”O, ujk i paturpshëm”- mendova unë duke u dridhur. U mata njëherë të merrja një copë dëborë që kish mbetur në degët e lisit e t’ia hidhja atij të paturpshmi drejt e në kurriz, por pata frikë mos e egërsoja, dhe heshta. Kisha dëgjuar për ujqërit në përralla, kisha lexuar bile edhe tregime për ta, por më sy kurrë nuk i kisha parë. Tani i kisha nën këmbët e mia. Ndofta, po të mos ishte lisi i madh, lisi i fortë, mua ata do të më kishin shqyer, ashtu siç shqyen pak javë më parë atë hallvaxhinë që vinte fshat më fshat me një tepsi me hallvë e me sheqerka në kokë e që bërtiste: “Hajde, hallvë të mirë”! U drodha! Tre ujqërit e vegjël po grindeshin me njëri-tjetrin. Ata po shqyenin trastën time e po hanin bukën që më kishte mbetur. Ujku i madh, i ati, vazhdonte të rrinte shtrirë, po i shikonte me zemërim të vegjlit dhe t’ëmën e tyre. Ai ndofta nuk kishte qejf që ata të grindeshin për një copë bukë që ndodhej në fund të trastës sime. Por, më shumë duhet t’i vinte inat për ulkonjën që ishte e shkujdesur e nuk ndërhynte t’i ndante ata sharlatanë të pabindur. Zënkat mes tre të vegjëlve u trashën. Ata filluan të kafshojnë njëri-tjetrin e të bëjnë një zhurmë që fundja nuk mund të durohej nga babai nevrik. Atëherë ai u hodh dhe me një të kërcitur të dhëmbëve dhe me një ulërimë të llahtarshme i solli në vete bijtë e tij plangprishës. Ku jemi këtu? Duhet të kemi një çikë respekt, ashtu siç i ka hije një ujku të nderuar, apo duhet të jemi për çdo gjë grindavecë? Pa fjalë! E të vegjlit u larguan të heshtur, e duke kthyer herë pas here prapa kokat e tyre me sy të dëshpëruar e të fyer. Ujku pastaj e hapi gojën, mori me dhëmbë trastën time e shkundi dy-tri herë dhe ranë mbi dëborë shishja e bojës, fletorkat, librat, pena me kalemin dhe copat e bukës. Ai e ndau dhe i ftoi të bijtë të hanë të qetë. Unë shikoja nga lisi. Mua më pëlqyen ujqrit e vegjël, e sidomos njëri, që kishte një qafë të trashë dhe sy më të mençur se të tjerët. Kurse ulkonja dhe ujku më dukeshin të liq. Ujku, me të vërtetë nuk më pëlqente, se ai në një mënyrë mjaft të paturpshme dhe krejt haptazi, synonte të më hante mua dhe ndofta trupin tim t’ua ndante, si atë copën e bukës, të vegjëlve të tij. Për këtë qëllim ai nuk përtonte të priste nën lis, gjersa unë të zbrinë dëborë dhe pastaj ai të më hidhej! Po mbahesha me gishtat e mi të hollë e të mpirë nga era e dimrit. Shikoja kurrizin e tij të zi me lesh të trashë si tel, me lesh të ashpër. Po fillonte të ngrysej, po ujku vazhdonte të rrinte i shtrirë nën këmbët e mia me veshë të ngritur, duke më ndjekur çdo lëvizje. Patjetër ai më kishte zënë pritë, që të më zinte e të më bënte copa për t’ua ndarë pastaj atyre çamarrokëve të tij të pabindur. Unë njëherë shikoja kurrizin e tij, njëherë këlyshët e njëherë rrugën. Si nuk vjen njeri! Ku janë udhëtarët? Mos vallë tërë natën do të rri në majë të lisit? Më hyri një e ftohtë. Gjithë trupi më ishte mpirë dhe gishtërinjtë nuk i ndjeja. Kur dhëmbët e mi po kërcisnin nga të ftohtët, ata filluan të shqetësoheshin. Kryetari i familjes së tyre, ai që ishte poshtë meje, u ngrit dhe iu afrua të tjerëve. Ulkonja filloi të shikojë rreth e rrotull. Duhet të ndjenin ndonjë zhurmë të largët. Mundet që udhëtarët të jenë diku pranë, mendova unë dhe një shpresë më ndriti sytë. Unë po kërkoja me sy atë ujkun e vogël që më pëlqeu, atë me qafë të trashë. Por, pa pritur ata u zhdukën. U zhdukën me një lehtësi kaq të madhe, me një shpejtësi kaq të paparë, sa mua nuk më besohej. Në këto e sipër, që prapa kodrës, dolën katër veta. Para tyre ecte një qen i madh. Unë nuk po vendosja të zbrisja nga lisi. Ende kisha frikë, përveç asaj isha mpirë i tëri. Kur të katër njerëzit u afruan, u hodha nga lisi papritur, aq sa ata u trembën.

-Po ti ç’do këtu?-thanë ata.

-Ujqit!- thashë unë. Qeni ishte i shqetësuar dhe lehte. Të katër njerëzit vrapuan pas gjurmëve. Unë pas tyre. Nuk mund të kthehesha në fshat vetëm. Pas një copë herë, që mbrapa drizave të mbuluara me dëborë, u hodhën pesë qenie të gjalla. Qeni iu vu mbrapa. Unë i njoha. Ishin ujqit. Një krismë. Ujqit u shpërndanë. Edhe një krismë. Ujqit u hodhën përpara me tërë shpejtësinë e tyre. Krismë tjetër. Dhe pashë që njëri u nda prej tufës, u nda dhe ra në dëborë, duke u përpëlitur. Dy nga ujqit u kthyen ta shihnin, po pas një krisme, ata ia mbathën. U afruam me vrap. Shtaza e murrme ishte shtrirë në dëborën e kuqe nga gjaku. E njoha: ishte njëri nga ujqit e vegjël, pikërisht ai që më kishte ngrënë bukën nga trasta ime, ai me sy të mençëm. Mua më erdhi keq. Ai ishte më i vogli.

-Duhej vrarë i madhi! -thashë unë dhe i vajta fare pranë. Sytë i kishin mbetur të hapur. Ngjyra e tyre si e verdhë dukej akoma e turbullt. Njëra këmbë ishte e thyer. Era ia frynte leshin e tij të murrmë të qafës së trashë.

-Diku larg ndjehej një angullimë.

-Auuu!… -Është ulkonja. Thërret të birin!, -tha njëri nga gjahtarët që dridhte një cigare me sy nga egërsira e shtrirë.

Shikoja ujkun e vogël. Nuk e di pse isha aq i mërzitur, aq i lodhur./panorama/

(12 vite më parë)
hehe sa e bukur, s\'me mbahet mend ta kem lexuar tek leximi kte.. po gjithsesi sh tregim i lezetshem qenka :)

/komuniteti