Rreth 28 mijë nxënës pritet që këtë vit të ulen për herë të parë në bankat shkollore.
Shkollat në Kosovë, të martën do t’i hapin dyert për të mirëpritur edhe shumë nxënës të tjerë, pasi do të fillojë viti i ri shkollor.
Azem Guri, këshilltar në Ministrinë e Arsmit, ka thënë se tashmë gjithçka është gati për fillimin e procesit mësimor në nivelin parauniversitar, raporton KTV.
Por Guri, nëpërmjet telefonit ka bërë të ditur se në gjashtë shkolla, katër nga to në Komunën e Drenasit, një në Pejë dhe një në Kaçanik, nuk do të fillojë mësimi për shkak të renovimeve.
Ndërsa sipas tij, orët e humbura do të kompensohen.
Edhe në Komunën e Prishtinës janë kryer me kohë të gjitha përgatitjet dhe mësimi do të fillojë në të gjitha shkollat.
Drejtoresha e Arsimit në këtë Komunë thotë se pothuajse të gjitha shkollat kanë pasur nevojë për renovime.
Nagavci thotë se i gjithë stafi është angazhuar në këtë proces dhe pret që të ketë rezultate, transmeton Koha.net.
Njëjtë sikur vitet e kaluara, edhe këtë vit, tekstet shkollore do të jepen falas për të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe sipas Ministrisë së Arsimit, shpërndarja e tyre ka shkuar sipas planit nëpër të gjitha drejtoritë komunale të arsimit.

