Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Lindja “artistike” e fëmijës

Lindja “artistike” e fëmijës

17.10.2011 - Nëse gjithçka shkon si duhet, artistja Marni Kotak do ta lindë fëmijën e saj të parë përpara audiencës në Galerinë e Arteve në Brooklyn. Kotak ka vendosur që ta shndërrojë galerinë në një dhomë lindjesh.

Ajo e quan këtë performancë si “gjendje artistike e humanes” dhe se kur ka vendosur ta bëjë këtë është bazuar në jetën e përditshme. Në punimet e saj të mëhershme ajo kishte humbur virgjërinë në kuadër të performancës artistike, ndërsa në bashkëpunim me burrin e saj artist, Jason Robert Bell ishin “rimartuar” si pjesë e performancës së titulluar “The Wedding”.

“Në punën time kam për qëllim që përvojën time në jetën e përditshme tua përcjellë artistikisht njerëzve. Kësisoj, unë angazhohem të gjej momente autentike që i lidhin shikuesin mes vete dhe i bëjnë ata më të afërt dhe emocionalë me artin”, ka thënë Kotak. Ajo ka vendosur që performancën e saj të radhës ta quajë “The Brith of Baby X”, që do të mbahen në galerinë e Brooklynit, “Microscope Gallery”. Performanca e saj do të nisë të shtunën, kur ajo do të vendoset në galeri, të cilën do ta shndërrojë në një dhomë spitali, duke e çuar atje shtratin e gjyshes së saj dhe një karrige luhatëse që i ka takuar gjyshit të saj. Kësisoj, ajo do të qëndrojë aty derisa t’i vjen çasti për të lindur.

“Më nevojitet që të përgatitem fizikisht dhe psikikisht që lindja e fëmijës tim të bëhet në një ambient sa më të ngrohtë të mundshëm”, ka thënë artistja.

Ekspozita e Kotakut përfshin edhe pjesën “You are my Baby”, e cila është dhënë për herë të parë në festivalin “Saten Island’s Lumen Festival” në qershor. Aty Kotak kishte filmuar fytyrat e audiencës duke i projektuar ato në barkun e saj të fryrë nga shtatzënia.

Në galeri nga e shtuna do të vendoset edhe skulptura e babait të fëmijës që do të lindë aty.

“Shtatzënisë sime po i vjen fundi. Një jete të re po i vjen koha. Kësisoj edhe ekspozita do të zhvillohet dalëngadalë”, ka thënë artistja.

Ekspozita ishte koordinuar që para tri javësh, kur mjeku i Kotakut kishte thënë se tetori do të jetë muaji kur artistja do të lindë. Ndërsa në sajtin e galerisë është vendosur lajmërimi për publikun, ku të gjithë luten “që të jenë të përgatitur për të qenë dëshmitarë në një lindje artistike”.

Ndërsa, sipas këtij lajmërimi, Kotak gjatë lindjes do të ketë pranë burrin e saj, një mjeke dhe një ndihmëse.

E krejt kjo për Kotak është vetëm fillimi. Ajo planifikon që me fëmijën e saj të bëjë performanca artistike. Njëra veç sa ka nisur të përgatitet dhe është pagëzuar “Rasing Baby X”./koha/

/komuniteti