19.11.2014 - Në Klinikën e Gjinekologjisë në Kosovë brenda vitit braktisen deri në 40 fëmijë, sidomos nga nënat e reja. Express sjell rrëfimin mbi rastet specifike, siç janë ato edhe ato kur fëmijët 14 vjeç bëhen nëna, por edhe nëna që, me të dalë nga objekti i spitalit, e hedhin në rrugë fëmijën e vet.
Përderisa shumë bashkëshortë paguajnë shuma të ndryshme për trajtime mjekësore që të bëhen të aftë biologjikisht për t’u bërë prindër dhe të kenë fëmijë, disa të tjerë fëmijët e tyre të porsalindur i braktisin pa mëshirë, duke mos dashur t’ua shohin as fytyrën.
Raste të tilla ndodhin edhe në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku brenda vitit braktisen deri në 40 fëmijë, sidomos nga nënat e reja. Ndër rastet specifike janë edhe ato kur fëmijët 14 vjeç bëhen nëna, por edhe nëna që, me të dalë nga objekti i spitalit, e hedhin në rrugë fëmijën e vet.
Ndër shkaqet kryesore që këto nëna të reja braktisin fëmijët janë kushtet sociale dhe ekonomike, por edhe mospajtimi mes qiftit dhe familjes së vajzave për t’i mbajtur këta fëmijë.
Disa nga nënat ndjejnë dhimbje dhe ndjenjë pendese pas një akti të tillë, e disa të tjera ndihen të çliruara pas lindjes dhe braktisjes së fëmijës. Nushe Loxhaj - Bicaj është punëtorja sociale që bën pranimin e fëmijëve të braktisur në QKUK, e cila do të tregojë më shumë rreth procedurës së dorëzimit, shkaqet dhe rastet specifike të braktisjeve.
“Nëna thotë se unë e kam jetën përpara, nuk mendon fare për foshnjën. Një rast para dy viteve nëna e ka marrë fëmijën dhe posa ka dalë nga klinika e ka lënë jashtë. Kemi raste të nënave që janë të lindura në vitin 2000 dhe janë bërë nëna në vitin 2014” tregon Nushe Hoxha - Bicaj
Pas një afati të caktuar kohor, fëmijët e braktisur nga spitali përmes qendrës për punë sociale strehohen në SOS Fshatin e fëmijëve, ku një staf i specializuar kujdeset për ta 24 orë.
Detyra e kësaj qendre është vetëm përkujdesja dhe puna me ta, ndërsa të gjitha kompetencat dhe rolin kryesor e ka Qendra për Punë Sociale.
Pasiqë të bëhen të gjitha verifikimet dhe prindi përfundimisht të heqë dorë nga fëmija, ai fëmijë përgatitet për adoptim.
Familjeve u lejohet të përcaktojnë gjininë e fëmijës që dëshirojnë ta adoptojnë, por jo edhe të zgjedhin se cili do të jetë ai fëmijë. Se cili fëmijë do të bëhet pjesë e cilës familje vendos Qendra për Punë Sociale.
Familjet e interesuar për t’i bërë këta fëmijë pjesëtarë të familjes së tyre duhet t’i përmbushin disa kushte dhe kritere. Procedura dhe përgatitjet që duhet t’i kalojnë familjet adoptuese na i tregon Vehbi Mujku drejtor i Qendrës për Punë Sociale.
“Një fëmijë i gatshëm për adoptim është kur mbush 10 muaj apo 1 vit. Familja adoptuese mund të zgjedh gjininë e fëmijës por jo të zgjedh se cili do të jetë ai fëmijë. I apeloj të gjitha nënat që në rast të braktisjes së fëmijës, një gjë të tillë ta bëjnë në spital, sepse vendosja e foshnjës afër një kontejneri është një vepër e rënd që dënohet me ligj” shprehet Mujku.
Sipas statistikave, në nivel global çdo 2 sekonda braktiset nga një fëmijë.
Burimi: gazetaexpress.com

