Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Për dhëmbë të shëndetshëm, jo gjumit me biberon

Specialistët bëjnë të ditur se njollat ngjyrë kafe të krijuara tek dhëmbët e fëmijëve të vegjël janë paralajmërues të prishjes së tyre. Duke pohuar se zakonisht njihen shkaqet e prishjes së dhëmbëve tek fëmijët, specialistët nënvizuan edhe një herë rëndësinë e përkujdesjes ndaj tyre.

Bëhet e ditur se mos lejimi i të fjeturit me biberon, mos përdorimi i sheqerit, ëmbëlsues dhe mjaltit në shishen me biberon ndihmon në ruajtjen e shëndetit të dhëmbëve.

Mjeku Kadir Çetinkara theksoi se prishjet e dhëmbëve ndikojnë negativisht në zhvillimin e fëmijëve dhe se prindërit duhet të tregohen shumë të kujdesshëm ndaj tyre.

Duke pohuar se njollat ngjyrë kafe shfaqen sapo të dalin dhëmbët Çetinkara theksoi se “dhëmbët tek të cilët shfaqen njolla ngjyrë kafe, më vonë thyhen dhe bien. Këto njolla janë shenjë e prishjes së dhëmbëve dhe si rrjedhojë dhëmbët thyhen nga prishja. Shkaku i prishjes në këtë periudhë të hershme është biberoni. Por parandalimi i tyre është i mundur. Ne nuk duhet t’i lëmë fëmijët të flenë me biberon në darkë. Dhe në shishe nuk duhen hedhur lëndë si sheqer, ëmbëlsues, mjaltë, pekmez. Fëmijës duhet t’i jepet ujë pasi të ushqehet. Pas ushqyerjes dhëmbët e fëmijëve janë të lagur dhe mund të fshihen lehtë me ndonjë beze të pastër. Nëse këta njolla shfaqen edhe në rastet kur nuk përdoret biberoni me shishe apo biberon i thjeshtë, atëherë mund të mendohet për një hipopilazi. Hipopilazi do të thotë njolla të krijuara nga përdorimi i ilaçeve nga ana e nënës në periudhën e shtatzënisë apo të lidhura me ndonjë sëmundje me temperature të kaluar nga fëmija."

Duke nënvizuar faktin se përkujdesja ndaj dhëmbëve tek fëmijët është po aq e rëndësishme sa tek të rriturit Çetinkara thotë se koncepti “dhëmbë qumështi janë, do t’i bien” është shumë i gabuar. Ai pohoi se këta dhëmbë nuk janë aq të lehtë sa duken dhe se prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm ndaj higjienës së dhëmbëve të fëmijëve dhe të mos tregohen indiferentë. Çetinkara gjithashtu tha se dhëmbët e prishur duhet të mjekohen menjëherë tek dentisti dhe të mos lihen pas dore./start/

/komuniteti