19.08.2013 - Procedurat e përdorura gjatë lindjes së fëmijës për të pakësuar rrezikun ndaj nënës apo fëmijës, mund të jenë të lidhura me një rritje të rrezikut të autizmit.
Sipas një studimi rreth 1 për qind e fëmijëve në Shtetet e Bashkuara diagnostikohen me autizëm, që ndikon tek aftësia e fëmijës për komunikim dhe zhvillim të aftësive sociale. Disa studime kanë gjetur lidhje me faktorët e lindjes, si për shembull mosha e nënës dhe nëse foshnja ka lindur para kohe ose jo, por shkaqet e autizmit janë ende një mister.
Studiuesi Simon Gregory i Universitetit Duke dhe kolegët e tij donin të zbulonin nëse autizmi ishte i lidhur me procesin e stimulimit të dhimbjeve të lindjes, ose shpeshtimin e tyre, shkruan VOA.
Shkencëtarët analizuan një bazë të gjerë të dhënash që krahasonte mbi 600 mijë kartela mjekësore të lindjeve nga shteti i Karolinës së Veriut me dokumentat e shkollave që të tregonin nëse fëmija ishte diagnostikuar me autizëm.
“Meqenëse bëhej fjalë për shumë lindje, shumë fëmijë me autizëm, ne ishim në gjendje të analizonim jo vetëm faktorët tradicionale rrezikues, por edhe nëse stimulimi i dhimbjeve të lindjes kishte lidhje me rrezikun e autizmit” shprehet Gregory.
Ata arritën në përfundimin se fëmijët që kishin lindur me ndihmën e stimulimit të dhimbjeve, ishin më të prirur të diagnostikoheshin si autistë. Por arsyeja e saktë nuk është e qartë. Zoti Gregory thotë se mund të jetë e lidhur me një hormon të quajtur Oksitocin, që u jepet grave shtatzëna për të përshpejtuar dhimbjet dhe që është gjithashtu i lidhur me sjellje sociale tek të cilat ndikon autizmi.
Një gjetje interesante ishte se lidhja mes autizmit dhe stimulimit apo përshpejtimit të dhimbjeve, ishte më e fortë tek djemtë.“Pra ne zbuluam se tek djemtë rrezikshmëria e kategorive të stimulimit dhe përshpejtimit ishte më e madhe, sesa tek vajzat. Ky ndoshta ishte një nga rezultatet më interesante të studimit” u shpreh me tej ai./albeu/

