Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Rënia para kohe e dhëmbëve të qumështit ndikon në rritje

16.08.2012 - Humbja para kohe e dhëmbëve të qumështit mund të shkaktojë probleme serioze gjatë procesit të rritjes dhe zhvillimit tek fëmijët.

Nëse dhëmbët e qumështit bien herët atëherë vonojnë daljen e dhëmbëve të përhershëm , madje në disa raste mund të bëhen shkak të mosdaljes së tyre. Specialistët këshillojnë vizitat çdo 6 muaj tek dentisti edhe për fëmijët.

Kurimi i sëmundjeve të gojës dhe dhëmbëve tek fëmijët krijon bazën e dentarisë mbrojtëse. Dhëmbët e qumështit fillojnë të dalin nga mosha 3 mujore deri në 3 vjeç, më pas ndiqet nga periudha e dhëmbëve të përzierë 6-12 vjeç në periudhën më aktive në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve. Gjatë kësaj periudhe është shumë i rëndësishëm ekuilibrimi i zakoneve të ushqyerjes.

Shkaku kryesor i dhëmbëve të prishur është sheqeri dhe konsumimi i tepërt i produkteve të pasura me niseshte. Sigurisht që është pothuajse e pamundur t’i mbajmë larg fëmijët nga produktet me niseshte apo sheqer. Por më e rëndësishmja është shmangia e konsumimit të tepërt, të mundësohet konsumimi i tyre bashkë me vaktet kryesore dhe të fitojnë zakonin e larjes së dhëmbëve.

Kujdes me qumështin e natës

Veçanërisht në rast të dhënies së shishes me biberon ku qumështit i hidhet mjaltë, reçel, sheqer. Në raste të tilla fëmijët duhen mësuar me larjen e rregullt të dhëmbëve dhe me pirjen e një gote uji pas qumështit.

Vlerësoni dhëmbët e qumështit

Në krahasim me dhëmbët e përhershëm, dhëmbët e qumështit përmbajnë më shumë lëndë organike dhe prishen më lehtë. Familjet të cilat i shohin dhëmbët e qumështit si dhëmbë të cilët do të ndërrohen shpejt në të vërtetë rrezikojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre. Humbja para kohe e këtyre dhëmbëve shkakton probleme serioze në zhvillimin e fëmijëve. Dhe problemet që mund të shfaqen më pas tek dhëmbët e përhershëm lindin si pasojë e dhëmbëve të prishur të qumështit. Prandaj nuk duhen nënvlerësuar dhe duhen bërë të gjitha përpjekjet për t’i ruajtur derisa të ndërrohen.

Larja e dhëmbëve

Larja e dhëmbëve tek fëmijët mund të zgjasë mesatarisht 2 minuta. Por pika më e rëndësishme këtu është cilësia e pastrimit sesa koha e tij. Prindërit duhet t’u qëndrojnë vazhdimisht pranë fëmijëve gjatë periudhës së mësimit me furçën dhe pastrimin e dhëmbëve.

Një herë në 6 muaj drejt e tek dentisti

Ashtu si të rriturit edhe fëmijët duhet të zhvillojnë kontrolle të herëpashershme tek dentisti. Gjatë këtyre vizitave duhet të analizohen kohëzgjatja e dhëmbëve, zakonet e larjes së dhëmbëve, zhvillimi i nofullave dhe zakone të tjera si thithja e gishtit, kafshimi i lapasave, buzëve, ngrënia e thonjve. Fëmijët të cilët kanë vese të tilla duhet të kontrollohen edhe nga një ortodentist. Dentisti do t’ju informojë rreth mënyrave mbrojtëse të dhëmbëve. Në mes tyre mund të përmendim mbrojtësit fissure (mbushje që mbrojnë dhëmbët e përhershëm) , aplikimet me flor e të tjera./Start/

/komuniteti