23.02.2015 - Sadije Krasniqi nga fshati Gllanasellë e Komunës së Drenasit pret që pas një muaji të bëhet nënë. Ajo thotë se ka vendosur të lindë me prerje cezariane. Pavarësisht se nuk i di pasojat, ajo thotë ta ketë ndarë mendjen për këtë punë. Statistikat nga Gjinekologjia tregojnë për një rritje të lartë të përqindjes së këtij fenomeni.
Në vitin 2000, nga lindjet e përgjithshme vetëm 7.5 për qind e tyre lindën fëmijë me prerje cezariane. Viti 2014 solli rritje deri në 33 për qind të këtyre rasteve.
Në Kosovë gratë shtatzëna mund të zgjedhin mënyrën se si ato dëshirojnë t’i lindin foshnjat e tyre, pasi që kjo çështje nuk është e rregulluar me ligj. Kjo ka bërë që lindjet me prerje cezariane të shënojnë rritje.
Liria për të zgjedhë për mënyrën e lindjes së fëmijës ia ka dhënë mundësinë Sadijes të përcaktohet vullnetshëm që të bëhet nënë me prerje cezariane.
"Unë edhe 1 muaj do të lind kismet, dhe do të lind me prerje cezariane, pasi kam shumë dhimbje dhe nuk po mundem t’i duroj. Besoj se do të jetë për mua më lehtë dhe më mirë për fëmijën tim”, thotë Sadija.
Megjithatë, ajo nuk është e informuar për pasojat e kësaj mënyre të lindjes. "Jo nuk di saktë, vetëm kështu kam dëgjuar që është më mirë", shton ajo.
Por Mihane Zymberi nga fshati Lladovë e Komunës së Gjilanit ka vendosur të lindë në mënyrë spontane – siç quhet në terminologjinë mjekësore, kurse në popull njihet si ‘lindje normale’. Ajo pret që pas 3 muajsh ta sjellë në jetë beben e saj.
"Edhe tre muaj do të lind dhe do të lind normal, sepse unë kam lind tri herë. Herën e parë dhe të dytën kam lind normal, kurse në të treten me lindje cezariane. Por edhe këtë herë do të lind normal, pasi lindja e kaluar më ka lënë shumë pasoja në shpinë dhe tash kam dhimbje të shumta në qafë. Kështu që, do të lind normal sepse është më e shëndetshme edhe më mirë", thotë ajo.
Për gjinekologen Myrvete Paqarada, e cila punon në QKUK, njëra ndër arsyet e rritjes së rasteve me prerje cezariane është edhe mungesa e vetëdijes dhe informimit të mjaftueshëm për nënat rreth rrezikun që ka prerja cezariane krahasuar me lindjet spontane.
“Shpeshherë nënat dëshirojnë ta lindin foshnjën me prerje cezariane, pasi që nuk durojnë t’i presin dhimbjet e lindjes prej 16 deri 18 orë”, thotë gjinekologia Paçarada. “Janë shumë shkaktarë që kanë sjellë deri tek rritja e trendi të prerjeve cezariane, derisa njëra ndër problemet është që nënat nuk janë të informuar për komplikimet e mundshme të operacioneve ose lindjeve me prerje cezariane”, shton Paçarada.
Sipas saj, nëse pacientja nuk dëshiron të lindë me prerje cezariane, atëherë nuk ka asnjë ligj që mbron të drejtën e mjekut që si profesionist i asaj fushe, ta obligojë nënën ta lindë foshnjën në mënyrë spontane, nëse ajo është e nevojshme.
“Lindja me prerje cezariane është një intervenim shumë serioz. Komplikimet me prerje mund të jenë dhe të natyrës kirurgjike”, shton gjinekologia Paçarada. Çdo plagë operative mund të infektohet si dhe ka shumë mundësi tjera të komplikimeve”, bën të ditur ajo.
Ajo thotë se në vitin 2000, nga lindjet e përgjithshme vetëm 7.5 për qind e tyre lindën fëmijë me prerje cezariane, kurse viti 2014 solli rritje deri në 33 për qind të këtij fenomeni.
Megjithatë, prerja cezariane nuk është parë të ketë ndikuar në zvogëlimin e vdekshmërisë të nënave dhe fëmijëve krahasuar me lindjet spontane.
Të paktën këtë mendim e mbron neonatologia Mynavere Hoxha.
“Ne nuk kemi vërejtur se rritja e shkallës së prerjeve cezariane e ka rritur mbijetesën e foshnjave. Është e vërtetë që foshnjat e lindura para kohe me një indikacion të qëlluar kanë pasur gjasa të mbijetojnë. Por kanë qenë lindje binjake e trinjake”, thotë Hoxha.
Megjithatë ajo thotë se mbijetesa e fëmijëve është rritur falë përmirësimit të cilësisë së ofrimit të kujdesit shëndetësor, me edukimin e stafit dhe përmirësimin e kushteve për mbijetesën e të porsalindurit.
Ndërkaq Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) kërkon nga mjekët që të bazohen në profesionalizëm dhe jo në presionet dhe kërkesat e familjarëve apo nënave.
“Është e rëndësishme që profesionistët shëndetësorë t’i përmbahen profesionalizmit, parimeve mjekësore dhe rekomandimeve të OBSh-së që dalin duke u mbështetur në hulumtimet shkencore dhe assesi të mos bien nën ndikimin e presionit të familjes dhe të nënave, të cilat nuk janë në dijeni të mjaftueshme për rrezikun dhe komplikimet që sjellin prerjet cezariane”, thuhet në raportin e OBSh-së të publikuar në fund të vitit 2014.
Megjithatë, mënyra e lindjes nuk është e rregulluar me ligj në Kosovë. Kjo konfirmohet edhe nga Ministria e Shëndetësisë.
"Nuk ka ligj ose rregullore, por vetëm ka procedura të cilave duhet t’i përmbahet secili mjek, pasi jo çdoherë duhet ndërhyrë me prerje cezariane. Këto lloj ndërhyrjesh duhen bërë me vullnetin e nënës dhe t’u tregohen paraprakisht pasojat që bartë kjo lloj lindjeje", thotë Pashk Buzhala - ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë.
Për më tepër, pasojat për nënat që lindin me prerje cezariane janë të shumta, duke filluar nga rreziku që e bartë gjatë gjithë jetës, pastaj dhimbjet e mëdha që do të shfaqen pas lindjes, mund të kenë dhimbje kurrizore dhe të kokës, do të kenë shenja të mëdha në barkun e tyre duke pasur parasysh se lindja bëhet me prerje. Nuk preferohet të ketë më shumë se dy lindje me prerje cezariane.
Burimi: Kallxo.com/Hafize Elshani

