08.04.2015 - Identifikimi i hershëm i vështirësive është i rëndësishëm në mënyrë që të ofrohen shërbimet e duhura për fëmijën. Ky identifikim ndihmon ecurinë tek fëmijët e rrezikuar për të patur vonesa të zhvillimit. Gjithashtu, identifikimi i hershëm i tyre ndihmon në parandalimin e problemeve të mëtejshme si dhe në ndërtimin e mirëqënjes emocionale të fëmijës.
Disa prindër mund të shqetësohen nëse ka vonesa në arritjen e disa fazave të zhvillimit si qëndrimi ulur, ecja apo gjuha e folur. Në varësi të fushës ku dyshohen vështirësitë, ka disa teste apo vlerësime që zhvillohen për të matur aftësitë e fëmijës në konjicion, motorikë, komunikim apo lexim.
Megjithëse fëmijët ndryshojnë nga njëri tjetri në kuadër të pjekurisë dhe i përjetojnë ndryshe kushtet ambjentale gjatë rritjes, ka disa shenja të hershme që mund të tregojnë se një fëmijë ka vështirësi në të nxënë.
Diagnostikimi i vështirësive në të nxënë është një sfidë. Këtu janë disa shenja të para të një çrregullimi të të nxënurit.:
• Vonesa në zhvillimin e gjuhës dhe të të folurit
• Vështirësi me koordinimin motor dhe sensor.
• Vështirësi përqëndrimi në detyrë
• Aftësi të dobëta sociale dhe ndërveprim i ulët
• Vështirësi me kujtesën
• Motivim i ulët për lexim dhe/ose shkrim
• Vështirësi në perceptim dhe arsyetim
Fëmijët me vështirësi në të nxënë, ashtu sikurse çdo fëmijë, kanë nevojë për dashuri, mbështetje dhe inkurajim. Një qëndrim pozitiv nuk do të japë sukses të menjëhershëm, por i pajis fëmijët me vetëbesim dhe vendosshmëri që përpjekjet e tyre kanë rëndësi dhe rrjedhimisht do të përkthehen në sukses.
Burimi: Elona Çeço

