Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Substanca BPA dhe ushqimet e fëmijëve

09.12.2011 - Prej shumë dekadash, lënda kimike BPA përdoret për prodhimin e shisheve plastike dhe veshjen e kutive të konservave.

Studimet kanë treguar se lëndët kimike mund të shkaktojnë kancer, sëmundjen e zemrës dhe çrregullime në trurin e fëmijëve, prandaj në Shtetet e Bashkuara po pakësohet përdorimi i kësaj substance tek shishet e fëmijëve.

Fondi për kancerin e gjirit ka publikuar një raport për praninë e lëndës kimike BPA tek ushqimet e konservuara, të cilat përdoren kryesisht për fëmijët.

Reiçëll Gibson, ashtu sikurse si shumë nëna të tjera që punojnë, duan t’i ushqejnë sa më mirë fëmijët. Prandaj, ajo zgjedh ushqime organike në shishe prej xhami.

"Por, - thotë ajo -Jam e sigurt, se kapaku i shishes dhe veshja e saj ndoshta përmbajnë lëndën bisfenol A, për arsye se ka një lloj substance polimere, prej dy lëndësh sintetike që përdoren tek këto produkte.”

Shqetësimi i saj është i ligjshëm. Bisfenol A, ose BPA thuhet se luan rol në kancerin e gjirit dhe të prostatës, si dhe sëmundje të tjera tek kafshët.

Substanca BPA përdoret gjerësisht tek lëndët e ndryshme plastike, përfshirë veshjen e kutive të konservave. Kjo substancë sipas studimeve, prish balancën e sekrecioneve endokrine të organizmit, pra dëmton gjëndrat dhe hormonet.

Fondi i kancerit të gjirit përpiqet për eliminimin e substancave të dëmshme që shkaktojnë kancerin dhe që ndodhen në mjedisin tonë.

Ky grup publikoi një raport, i cili gjente nivele të larta të substancës BPA tek ushqimet e konservuara të fëmijëve. Koni Engel punon në Fondin e Kancerit të Gjirit.Ajo thotë:

“Fondi i kancerit të gjirit zhvilloi analiza për ushqimet e konservuara që u jepen fëmijëve dhe gjeti se ato përmbanin substancën BPA. Nivelet më të larta madje gjendeshin në supat për fëmijë të firmës Campbell, Disney Princess dhe Toy Story.“

Zonja Engel thotë se substanca BPA në veshjen e kutive të konservave depërton tek ushqimet.

Doktoresha Leena Hilakivi-Clarke është studjuese në Qendrën Kërkimore Lombardi në Universitetin Georgetown. Ajo thotë se studimet me kafshët tregojnë për një lidhje të drejtpërdrejtë mes substancës BPA dhe kancerit të gjirit:

“90 për qind e njerëzve, kur u matet niveli i substancës BPA në organizëm, dalin positive. Pra kjo substancë gjendet tek shumica e njerëzve.”

Doktoreshë Hilakivi thotë se kancerit mund t’i duhen deri në 50 vjet për t’u zhvilluar në organizmin e njeriut. Atë e shqetëson më tepër tipi 2 i diabetit tek fëmijët dhe thekson se substanca BPA ka ndikim të ndryshëm tek fëmijët dhe tek të rriturit.

“Vërtet po shtohet rreziku për prekjen e fëmijëve me diabetin e tipit 2, por fëmijët në përgjithësi mendohet se preken më lehtë nga sëmundjet endokrine, ashtu sikurse edhe gratë shtatzëna dhe foshnjet e tyre të palindura.”

Përveç kancerit dhe diabetit, studime të tjera kanë arritur në përfundimin se substanca BPA shkakton infertilitetin, pubertetin e parakohshëm tek vajzat dhe obezitetin.

Shumë nga zbulimet shkencore mbi substancën BPA janë kundërshtuar dhe studimet vazhdojnë.

Disa shtete amerikane kanë ndaluar praninë e kësaj substance tek shishet e fëmijëve, lodrat dhe pajisjet e ndryshme për ta. Një zëdhënës i kompanisë "Campbell", produktet e së cilës rezultuan me përmbajtjen më të madhe të substances BPA, tha se ka besim se produktet e kompanisë janë të sigurta.

Ai tha se ka fakte, sipas të cilave prania e kësaj substance në veshjen e kutive të konservave nuk përbën rrezik për njerëzit.

Një tjetër kompani e cituar në studim, “Annie”, tha se po kërkon alternativa të tjera për zëvendësimin e substancës BPA në prodhimet e tyre./voa/

/komuniteti