Në shumë vende, përdorimi i oksidit nitrik, që njihet si gazi i qeshjes, është gjithnjë e më i popullarizuar për një lindje më të lehtë.
Nënat betohen se ai funksionon. Oksidi nitrik përdoret zakonisht si një anastezik gjatë operacioneve të vogla apo tek dentisti. Oksidi nitrik përzihet me oksigjenin dhe shkakton një ndjenjë të relaksimit dhe euforisë tek shumica e pacientëve. Gazi i qeshjes lidhet për qelizat e gjakut në mushkëri dhe udhëton në tru.
Përdorimi në shtatzëni
Këtë gaz e përdorin në spitale në Mbretërinë e Bashkuar, Australi, Skandinavi... Ai nuk e largon dhimbjen plotësisht, por ndihmon që të mendoni më pak për të. Disa gra e konsiderojnë atë një alternativë të mirë të barnave të cilat jepen për ta nxitur dhe lehtësuar lindjen. Shoqatat e gjinekologëve këtë trajtim kryesisht nuk e rekomandojnë, por edhe nuk e hedhin poshtë apo nuk e ndalojnë. Tani për tani dihet se ai nuk ka efekte negative për nënën dhe fëmijën.
Gjatë lindjes, gruas i jepet në sasi prej 30 deri në 70 për qind. Ajo e thith gazin dhe kështu gazi futet shpejt në gjak. Ai në tru arrin brenda 15 sekondave, transmeton Koha.net. Sasia që arrin në tru varet nga forca e gazit dhe sa shumë e keni thithur. Nuk dihet saktësisht se në ç’mënyrë e lehtëson dhimbjen oksidi nitrik.
Rreth 50 për qind e grave kanë raportuar se gazi ua kishte lehtësuar dhimbjen në mënyrë efektive (të kënaqshme), 20 për qind pohuan se dhimbja u ishte lehtësuar pak në një periudhë të caktuar kohore, dhe 30 për qind thonë se nuk ka qenë efektiv për to.
Gazi kalon shpejt nëpër placentë dhe nëpër qarkullimin e foshnjës. Ndryshe nga ilaçet e tjera, atë nuk e përpunon mëlçia, prandaj edhe nuk i lë disa pasoja. Ai shpejt "avullohet" nga trupi, dhe edhe nga gjaku i foshnjës përmes sistemit të frymëmarrjes. Ai duhet të fillohet të përdoret posa të fillojnë kontraktimet. Posa të ndalojë gruaja me thithjen e gazit gazmor, ai avullohet shpejt nga trupi.
Gruaja është e zgjuar dhe ka kontrollin mbi trupin dhe dhimbjet. Gazi nuk ndikon në kontraktimet.
Disavantazhet
Duhet ta dini se përdorimi i oksidit nitrik gjatë lindjes mund të shkaktojë të përziera dhe tendencë për të vjellë, konfuzion, dezorientim, prandaj shumë mjekë nuk e konsiderojnë si një mjet të besueshëm për lehtësimin e dhimbjeve dhe për vetë lindjen.
Pasoja të menjëhershme për fëmijën dhe nënën nuk ka, por nuk është dëshmuar nëse ka pasoja që mund të shfaqen më vonë në jetë. Një studim është marrë me këtë temë. Ai është kryer në Jacobson et al. në Stokholm. Ata erdhën në përfundimin se fëmijët, nënat e të cilëve gjatë lindjes kishin marrë oksid nitrik, më vonë në jetë kishin më shumë gjasa të jenë të varur nga amfetamina se sa fëmijët që nuk kanë lindur me përdorimin e gazit të tillë.
Shumë njerëz e konsiderojnë këtë studim të diskutueshëm dhe nuk heqin dorë nga gazi. A është më i dëmshme se disa ilaçe, a po duan ta largojnë mënjanë për ta mundësuar shitjen e barnave të caktuara...? Ka shumë pyetje, por ju gjithsesi konsultohuni me mjekun tuaj në lidhje me këtë trajtim. Lindja natyrore për çdo grua rekomandohet në radhë të parë dhe është e mundur të lehtësohen dhimbjet me përgatitje të mirë gjatë shtatzënisë, e cila sigurisht është dëshmuar si mjaft e sigurt si për ju ashtu edhe për fëmijën tuaj.
Burimi: KOHA

