10.04.2015 - Ne presim me padurim fjalët e para të një fëmije dhe situata fillon bëhet shqetësuese kur ato vonojnë. Lajmi i mirë është se shumica e fëmijëve që duket se fillojnë të flasin “vonë” e rikuperojnë vonesën brenda moshës dy vjeçare. Rreth një në katër fëmijë flet me vonesë dhe shumica e tyre e rikuperojnë vështirësinë pa ndihmë të specializuar.
Në kriteret e zhvillimit normal, fëmijët duhet të thonë 1 fjalë rreth moshës 1-vjeçare, kombinime dy-fjalëshe në moshën 18 muajshe deri në dy vjeç, dhe fjali me tre fjalë deri në moshën 3 vjeç. Kur specialistët vlerësojnë zhvillimin e gjuhës, ata fokusohen edhe tek repertori i fjalëve që kupton fëmija. Për shembull një fëmijë 18 muajsh mund të thotë 50 deri në 100 fjalë, por mund të kuptojë shumë më shumë. Komunikimi me gjeste dhe ndjekja e udhëzimeve nga fëmija, janë shenja që tregojnë se fëmija kupton mirë gjuhën dhe nuk duhet të shqetësoheni.
Gjenetika dhe temperamenti janë faktorë që ndikojnë në vonesën e gjuhës, sikurse është dhe gatishmëria e prindit që paraprin çdo nevojë të fëmijës (E do ujin?) në vend që të lerë fëmijën të kërkojë vetë.
Djemtë e zhvillojnë gjuhën pak më vonë se vajzat. Në moshën 16 muajshe, djemtë përdorin mesatarisht 30 fjalë, ndërsa vajzat rreth 50.
Fëmijët e lindur para kohe zakonisht marrin më shumë kohë për të zhvilluar gjuhën, por në moshën dy vjeçare ata e kanë arritur kriterin e zhvillimit normal të gjuhës. Lindja e parakohshme, pesha e vogël dhe ndërhyrja mjekësore gjatë lindjes mund të ndikojnë në një vonesë të gjuhës.
Fëmijët me infeksione të veshit gjatë vitit të parë mund të kenë vështirësi dëgjimi, rrjedhimisht gjuha merr më shumë kohë për tu vendosur.
Nëse një fëmijë po merr kohë për të zhvilluar gjuhën, por është duke përmirësuar shumë mirë aftësitë e tjera do të thotë se ajo thjesht po fokusohet më shumë në aftësitë e tjera aktualisht.
Shenja që tregojnë se fëmija mund të ketë një vonesë gjuhe
Në moshën 1-vjeçare: Nuk belbëzon, apo nuk imiton fjalë. Duket sikur nuk kupton kur i flet.
Në moshën 18 muajsh: Nuk thotë asnjë fjalë
Në moshën 2-vjeçare: Thotë vetëm disa fjalë dhe komunikon më shumë me gjeste apo duke treguar me gisht, ose vërehet një tkurrje e fjalorit të tij.
Në moshën 2 vjeç e gjysmë: Akoma flet rrokje-rrokje, nuk përfundon fjalët ose nuk ka fjalor me më shumë sesa 50 fjalë.
Në moshën 3-vjeçare: Personat e panjohur nuk e kuptojnë shqiptimin e tij, ose flet me fraza dy-fjalëshe.
Koha më e mirë për të marrë ndihmë profesionale për vonesat e gjuhës është mosha 2 vjeç e gjysmë pasi në këtë moshë fëmijët që flasin vonë do ta kenë rikuperuar vështirësinë, ndërsa fëmijët me vonesë gjuhësore do të kenë akoma të pranishme vështirësitë në gjuhë në këtë moshë. Pediatri juaj mund t’ju këshillojë për një vlerësim të mëtejshëm në një logopedist.
Burimi: Elona Çeço

