Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Video-lojërat dhe shëndeti mendor

Disa studime të reja tregojnë se në se fëmijët shpenzojnë kohë të gjatë me lojëra elektronike, kjo mund t’u sjellë atyre probleme shëndetësore. Studimi i fundit tregon se përdorimi me masë i këtyre lojërave është zgjidhja më e mirë.

Fëmijët që duken shumë të dhënë pas lojërave elektronike mund të bëhen të varur prej tyre dhe të tregojnë shenja të sëmundjeve mendore. Ky është përfundimi i një studimi të ri të publikuar në revistën Pediatrics.

Një grup shkencëtarësh ndërkombëtarë vëzhguan gati 3 mijë nxënës të shkollave fillore dhe tetëvjeçare për dy vjet dhe zbuluan se ata që përdornin më shumë lojërat elektronike kishin problemet më të mëdha.

Dr. Michael Manos nuk morri pjesë në studim por është psikolog në spitalin e fëmijëve në Klivlend.

Ajo që zbuluan – dhe ky është studimi i parë që arrin në këtë përfundim – është se fëmijët që luajnë pa pushim me video-lojëra, kanë një nivel depresioni, ankthi dhe frike sociale të shtuar. Kështu që kur i ndalin lojërat, të gjitha këto shenja ulen.

Studiuesit i quajnë fëmijët që duken shumë të dhënë pas lojërave elektronike “lojtarë patologjikë”. Në këtë grup bëjnë pjesë ata që luajnë video lojëra gati 31 orë në javë, krahasuar me moshatarët e tyre që luajnë 19 orë në javë. Kur u krahasuan këto dy grupe fëmijësh, u zbulua se fëmijët në kategorinë e parë ishin më të prekur të vuanin nga frika sociale.

Studimi zbulon gjithashtu se fëmijët që ishin më impulsiv dhe më pak të shoqërueshëm me fëmijët e tjerë harxhonin më shumë kohë me video lojëra.

Është logjike që një fëmijë që është depresiv ose një fëmijë që e kap ankthi do të kërkoj të luaj video lojëra pasi aty e gjen veten në një mjedis të sigurt. Kjo mund t’i shpëtojë ata nga simptomat e depresionit apo të ankthit.

Studimi zbuloi gjithashtu se heqja e fëmijëve nga zakoni i lojës pakëson depresionin si dhe simptomat e tjera.

Duhet të bësh vetëm një gjë – të kufizosh kohën e lojës. Megjithatë fëmijët që janë lojtarë patologjikë do t’i rezistojnë kësaj dhe kështu prindërit mund të kenë nevojë të kërkojnë ndihmën e mjekëve të shëndetit mendor.

Akademia Amerikane e Pediatërve rekomandon kufizimin e kohës për lojëra elektronike, në kompjuter apo televizor, në jo më shumë se një orë në ditë. Për nxënësit e shkollës tetëvjeçare rekomandimi është jo më shumë se dy orë në ditë.

Shoqata e Programeve Elektronike të Argëtimit nuk është dakord me studimin dhe e quan atë me të meta./VoA/

/komuniteti