Ndodh jo rrallë të digjemi nga rrezet e diellit, kur e kemi tepruar me ekspozimin ndaj tij. Megjithatë, kjo nuk duhet të na shqetësojë, pasi përveç medikamenteve të fabrikuara, mund të përdorim në këto raste edhe recetat me bimë mjekësore.
Kështu, mund të përmendim melhemin nga lëvoret dhe gjethet e shtogut, të cilat vendosen në një enë të pastër me vaj ulliri dhe dyllë natyror. Këto zihen në zjarr. Kullohen dhe përzihen mirë. Plagët lyhen në shtresa të holla.
Një tjetër mënyrë është edhe përdorimi i luleve të blirit, ku nga 3 deri në 10 gram lule vendosen në 1 litër ujë të valuar, mbyllen mirë për 3 orë, kullohen dhe me lëngun e ftohur lyhet vendi i djegur. Për t’i penguar të ënjturit pas djegies, lëkura e djegur mund të lyhet me uthull molle.
Po ashtu, mbi vendin e djegur mund të vendoset edhe mjaltë. Mjalti e pengon të mbledhurit me dhimbje të lëkurës, dhe ndihmon në shërimin dhe rigjenerimin e lëkurës. Këshillohet të përdoret mjaltë sa më i errët.