Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Të notuarit me foshnjen

Të mësuarit e foshnjes sa më herët me ujin është shumë e rëndësishme, si për nga ana e sigurisë ashtu edhe si argëtim. Fëmija juaj nuk do të mund të kordinohet mjaftueshëm për të mësuar notin në mënyrë të drejtë gjer në moshën dy-tre vjeç, por ju mund ta bëni atë të ndihet më konfident dhe më i relaksuar në ujë dhe poashtu edhe ta bëni notin një mënyrë argëtuese për të ushtruar që të dy.

Kur mund të filloj notin me foshnjen time?

Prindërve zakonisht u këshillohet që të presin gjersa fëmija i tyre të përfundojë me imunizimin, dmth. marrjen e vaksinave gjatë muajve të pare, dytë, tretë… para se ti dërgojnë foshnjat e tyre për not. Por tani ekspertët shëndetsorë më nuk besojnë që kjo është e nevojshme, prandaj është në ju që të vendosni nëse doni ta dërgoni foshnjen tuaj për not në det apo pishinë. “Nuk ka arsye mjekësore për të pritur deri sa fëmija juaj të vaksinohet. Sidoqoftë, shumica e pishinave startojnë orët e notit që me 12 muaj” thotë Libi Taker, mësuese e notit dhe specialiste e kurseve për prindër dhe fëmijë. Poashtu, mbani në mend, që publiku zhurmues në pishina noti mund të jetë i frikshëm për të posalindurin tuaj, prandaj edhe preferohet që të prisni edhe ca sa të rritet”.

Çfarë duhet ti vesh foshnjes?

Panolinat e notit janë një investim i mirë por nuk janë të detyrueshme në shumicën e pishinave të notit. Shumica e pishinave insistojnë që foshnjat duhet të veshin kostum larjeje. “Mos u brengosni nëse foshnja juaj pëson ndonjë ‘aksident’, sepse stafi e di saktësisht se çfarë duhet bërë”, thote Libi Taker. Krahët e ujit (gomat për krahë), nuk janë të përshtatshme për foshnja nën 1 vjeç, por ka mjete të tjera të pershtatshme për këtë grupmoshë.

Çfarë ju duhet të merrni me vete

Para se të bëni udhëtimin tuaj të parë për në pishinë, telefononi paraprakisht për të pyetur nëse mund të gjendet atje ndonjë kosh, karrike shtyrëse dhe një tavolinë për ndërrimin e rrobave të foshnjes.

Ju poashtu duhet të merrni me vete:

• Një shishe të ngrohtë për kohën pas notit nëse jeni duke e ushqyer me shishe.

• Një peshqir

• Ndonjë puding/pemë – sepse foshnjat që notojnë uriten.

• Libra apo lodra për foshnja më të rritura.

• Disa lodra të banjos që të luajë foshnja.

• Mos e harroni çantën tuaj të panolinave.

Njoftoni foshnjen tuaj me ujin

Ja se si mund ti ndihmoni foshnjes tuaj të mësojë të kënaqet me spërkatjen në ujë:

• Bëjeni kohën e larjes argëtim. Butësisht spërkateni trupin e tij me ujë dhe lëreni shtrirë në shpinë duke e lëvizur butësisht përmes ujit.

• Kur filloni të shkoni në pishina publike, lusni edhe ndonjë shoqe të vijë me ju apo bashkangjituni në sesionet e nënave me foshnja. Nëse ju ndjeheni të relaksuara dhe konfidente, edhe foshnja juaj do të ndjehet sikur ju.

• Kur shkoni për herë të parë në pishinë, sigurohuni që fytyra e foshnjes tuaj është afër fytyrës tuaj duke ju mundësuar kontakt me sytë, duke e mbajtur afër jush. Pasi që të relaksoheni të dyja dhe të ndjeheni më të sigurta mund ti hapni krahët tuaj dhe të frushkulloni foshnjen tuaj përreth.

Argëtohuni në ujë

Këtu janë disa mënyra për të ndihmuar fëmijën tuaj ti gëzohet ujit dhe të mësojë bazat e notit:

• Lëreni fëmijën tuaj të spërkatet me ujë dhe të luajë me lodrat e tij të banjos.

• Fusni gojën tuaj nën ujë dhe tregojini atij si të krijojë fluska. Ky është një mësim i rëndësishëm për foshnjat, sepse mësojnë të mos thithin ujë nëse janë zhytur nën ujë. Për foshnjat e vogla, zhytni ndonjë lodër nën ujë, dhe lëreni të shfaqet në sipërfaqe të ujit apo bëni sikur ju zhyteni.

• Kur foshnja mund të qëndrojë ulur, rreth moshës 6 muajshe, uluni me foshnjen tuaj anës pishinës dhe këndoni. Kur filloni rrefrenin, futeni atë në ujë dhe spërkateni.

• Shtrijeni fëmijën në shpinën e tij, me kokën mbështetur në shpatullat tuaja. Inkurajojeni të gjuajë me këmbë.

• Sipas Libi Taker, mësuese noti për fëmijë, është e sigurtë zhytja e foshnjave nën ujë për një sekondë apo dy (disa hulumtime tregojnë që foshnjat e vogla nuk thithin ujë kur janë nën ujë), por ju mund të ndiheni më konfidentë nëse këtë e bëni nën udhëzimet e ndonjë mësuesi/trajneri noti për fëmijë.

Çfarë masash duhet të marrë?

Për ta mbajtur foshnjen tuaj të sigurtë gjatë lotit:

• Kontrolloni temperaturën e pishinës e cila duhet të jetë 28 – 30 gradë C, këtë mund ta bëjnë edhe përgjegjësit e pishinës.

• Sapo fëmija juaj fillon të dridhet, marrni atë nga pishina dhe mbështjelleni atë ngrohtësisht.

• Filloni me seancat prej 10 minutash duke e vazhduar gradualisht gjer në 20 minuta. Nëse foshnja juaj është nën moshën 1 vjeç, shmangni qëndrimin në ujë më shumë se 30 minuta.

• Nëse fëmija juaj e ka të ftohtë apo nuk ju duket mirë me shëndet, mos shkoni në not.

• Nëse fëmija juaj ka ankesë të lëkurës, kontrolloni me mjekun tuaj për tu siguruar se klori nuk i irriton lëkurën e tij.

/komuniteti