Infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes janë njëri nga shkaqet e vdekshmërisë së foshnjave si pasojë e pneumonive që ato shkaktojnë. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik në Shqipëri shprehen të shqetësuar për shifrat e larta që raportohen në zonat rurale në krahasim me ato urbane.
Sipas të dhënave më të fundit që u publikuan në studimin demografik, rezultoi se fëmijët në fshat janë më të prekur nga infeksionet respiratore dhe gastroenteritet çka tregoi një nivel të lartë pabarazie mes fshatit dhe qytetit.
Çdo fëmijë shqiptar është prekur më shumë se një herë nga infeksionet në aparatin tretës dhe infeksionet respiratore. Studimi i fundit demografik tregoi se 5 për qind e nënave kishin pranuar se fëmijët e tyre kanë raportuar se fëmijët e tyre janë prekur nga këto dy sëmundje.
Specialistët e shëndetit publik thonë se do të fokusojnë punën e tyre në reduktimin e këtyre shifrave për të rritur shkallën e informimit tek nënat e reja, duke sensibilizuar fëmijët në shkolla për rritjen e higjienës personale, duke futur në institucionet parashkollore programe të reja me qëllim mbrojtjen nga këto infeksione.