Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Rubeola

Çfarë është Rubeola?

Virusi i Rubeolës

Rubeola, ndonjëherë quhet fruthi gjerman, dhe është e njohur si sëmundje e fëmijërisë dhe kryesisht lëndon lëkurën dhe nyjet limfatike. Shkaktohet nga virusi i rubeolës. Kjo sëmundje e fëmijërisë është nga ato klasiket nga infeksionet me puçrra.

Ky infeksion shumë lehtë shpërndahet nga personi në person me kontakt direkt me lëngjet e infektuara të trupit apo nga piklat e teshtimës apo kollitjes. Rreziku nga shpërndarja e infeksionit tek të tjerët është më i madh disa ditë deri në dy javë pasi që të paraqiten njollat.

Disa individë mund të sëmuren dhe shpërndajnë infeksionin, duke mos e ndjerë fare veten të sëmurë. Koha nga infeksioni deri te paraqitja e njollave (periudha e inkubimit) është zakonisht dy deri në tre javë. Ne jemi mësuar të shohim fëmijë me rubeolë çdo vit, por tani sëmundja është bërë më e rrallë pas rutinës së marrjes së vaksinës ndaj rubeolës.

Simptomet dhe shenjat

Fëmiu me rubeolë mund te mos duket shumë i semurë. Zakonisht kanë temperaturë të lehtë dhe nyjet limfatike të enjtura butësisht pas veshëve dhe në qafë. Fëmijët më të mëdhenj në moshë mund të kenë kokëdhembje, rrjedhje të hundës, sy të skuqur dhe dhembje apo ënjtje në nyje. Këto simptome do të jenë prezente për disa ditë para se të paraqiten njollat karakteristike.

Njollat duken si pika të vogla të kuqe.

Fillojnë në fytyrë pastaj shpërndahen në trup. Mund të kruhen dhe zakonisht zgjasin 3 deri në 5 ditë. Kur njollat zhduken, lëkura e infektuar mund të bie.

Komplikimet

Rubeola rrallë mund të krijojë komplikime serioze. Te fëmijët më të mëdhenj në moshë mund të shkaktojë dhimbje dhe ënjtje në nyje që mund të zgjasin deri në 2 javë.

Infektimi me rubeolë gjatë shtatëzanisë mund të shkaktojë dëmtime në fetus, si psh. retardim mental, zhvillim jo të plotë të organeve në trup dhe shurdhim. Fetusi mund të rrezikohet nga defektet në lindje posaçërisht nëse nëna infektohet me rubeolë gjatë tremujorit të parë të shtatëzanisë.

Trajtimi / çfarë duhet të bëni

Kontaktoni mjekun tuaj nëse mendoni që fëmiu juaj ka rubeolën. Antibiotikët nuk ndihmojnë pasi që virusi shkakton rubeolën.

Gjithashtu edhe shtatëzënat të cilat mendojnë që mund ta kenë rubeolën duhet ta kontaktojnë mjekun. Një test gjaku mund të tregojë nëse gruaja mund ta ketë sëmundjen apo jo, apo është vaksinuar ndaj rubeolës, për të mbrojtur fetusin nga infeksioni.

Nuk ka trajtim për rubeolën por ju mund të bëni që fëmiu juaj të ndihet më rehat. Sigurohuni që fëmiu juaj të pushojë dhe të konsumojë sasi të konsiderueshme lëngjesh. Jepini ilaçe për të ulur temperaturën nëse është e nevojshme. Asnjëherë mos i jepni aspirin fëmiut me temperaturë, sepse mund të shkaktojë Sindromin e Reit, një sëmundje e rrezikshme për jetën dhe trurin.

Kontaktoni mjekun nëse fëmiut i rritet temperatura, ka shëndet të lig apo nëse përkeqsohet gjendja e tij.

Nëse fëmiu ka rubeolë, duhet të mbahet në shtëpi deri në 7 ditë pasi që të paraqiten njollat. Foshnjet e lindura me rubeolë konsiderohen të infektuara së paku deri sa të mbushin një vjeç.

Preventiva

Mënyra më e mirë për ta parandaluar fëmiun të infektohet me rubeolë, është ta vaksinoni.

Vaksina ndaj rubeolës merret në dy seri dozash, doza e parë në moshën 12-15 muajsh, dhe doza tjetër në moshën 4-6 vjeç. Fëmijët të cilët kanë probleme me sistemin imunitar nuk duhet të marrin vaksinën.

Duhet të përdoret me kujdes tek fëmijët që janë alergjik në vezë, sepse vaksina përmban vezë.

Mesatarisht 10 % e fëmijëve do të kenë pak temperaturë dhe njolla të lehta 5 deri në 14 ditë pas vaksinimit, kjo nuk është e rrezikshme dhe fëmiu nuk është i infektuar.

/komuniteti