Gjithçka që ha fëmija duhet të jetë e ushqyeshme. Ky rregull fillon që kur fëmija është në barkun e nënës dhe më tej kur e ushqeni me gji, kur ai ha ushqimet e familjes dhe kur ushqehet vetë. Fëmijët mund të jenë nazeli dhe me oreks të lëkundshëm, kështu sigurohuni që gjithçka që ata hanë, të jetë me të vërtetë e mirë për ta. Lërini mënjanë ushqimet pa vlera, si karamelet, pastat, çokollatat, patatinat etj.
“Po dëshira dhe kënaqësia e fëmijës?” do të pyesni ju. Në stomakun e vogëlushit ka shumë pak vend për të mbajtur ushqime, prandaj mendoni me kujdes kur e mbushni atë. Shpesh më shumë kënaqen prindërit që shikojnë fëmijët të hidhen përpjetë nga gëzimi për një çokollatë, se sa vetë fëmijët.
Fëmija juaj mund të gëzohet dhe kënaqet me shumë mënyra dhe vende të tjera - dhe jo duke i dhënë ushqime të kota.