Paulina Nushi Muhaxhiri është gazetare në emisionin “Jeta në Kosovë” dhe KALLXO.com. Tashmë janë bërë disa vjet që ajo punon si gazetare hulumtuese në një ndër emisionet më të shikuara në Kosovë. Përvec punës ajo është edhe nana e Anikës 16 muajshe. Në këtë intervistë do të mësoni më shumë për të dhe familjen e saj.
Bebaime: Të gjithë ju njohin nga storjet tuaja në KALLXO.com dhe emisionin “Jeta në Kosovë” gjithmonë duke trajtuar tema e problematika të ndryshme, por pak dijnë për ju dhe familjen tuaj.
Paulina Nushi Muhaxhiri: Unë vi nga Peja, atje kam kryer shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërsa studimet universitare dhe pasuniversitare i kam kryer ne Prishtinë ku më pas u punësova. Pas punësimit erdhi takimi me burrin tim Albion Muhaxhirin i cili gjithashtu është gazetar/moderator për më shumë se 16 vjet dhe nga ai takim gjëra u bënë më serioze dhe hap pas hapi u martuam dhe sot kemi një vajzë që quhet Anika e cila me ardhjen e saj na ka bekuar jetën.
Bebaime: Kohëve të fundit në KALLXO.com ju po i sjellni publikut “Këshillat e Mjekut” nga ideja për të trajtuar problemet shëndetësore me profesionistë.
Paulina Nushi Muhaxhiri: Unë prej se kam filluar punën e përcjelli fushën e shëndetësisë, ideja për të sjellur “Këshillat e Mjekut” në KALLXO.com erdhi për shkak të interesimit të njerëzve për të lexuar informata të sakta e profesionale. Duke e ditur se në google mund të gjejmë cdo gjë e shumë herë informata të pavërteta atëherë ideja e këshillave të mjekut erdhi për të u’a krijuar një adresë lexuesve ku ata mund të informohen pa pasur nevojë të riverifikojnë atë që kanë lexuar. “Këshillat e Mjekut” realizohet gjithmonë me mjekë profesionistë të dëshmuar në punën e tyre. Përvec këtyre storjeve ne vazhdojmë edhe më hulumtimet tona në fushën e shëndetësisë për emisionin “Jeta në Kosovë”
Bebaime: Na folni pak më shumë për Anikën?
Paulina Nushi Muhaxhiri: Anika është gjithçka e mirë në jetën tonë, ardhja e Anikës na ka mbushur me më shumë dashuri, pozitivitet dhe energji. Kur vjen koha për ta marrë nga kopështi unë bëhem si një fëmijë i entuziasmuar.Ai momenti kur takohemi pas disa orëve larg njëra tjetrës është gjithmonë plot emocion. Anika është prej atyre fëmijëve që jep shumë dashuri, është energjike dhe shumë kurioze, tashmë që ka filluar të ecë është bërë aktivitet sportiv vrapimi pas saj. Ajo është dashuri e madhe që ta mbush zemrën plot.
Bebaime: Shumë nëna kanë drojë që t’ia besojnë dikujt për t’ia lënë fëmijën e tyre në mbikëqyrje kur vjen koha rë rikthehen në punë. Ju e keni pasur vështirë?
Paulina Nushi Muhaxhiri: Ka qenë i vështirë rikthimi në punë, por unë jam shumë e lumtur që Anika është në përkujdesje të mësueseve shumë të mira, kopështi ku unë e dërgoj Anikën është në një institucion ku i japin shumë rëndësi ushqimit të shëndetshëm dhe kujdesit ndaj fëmijëve.Të them të drejtën Anika nuk është se ka raste për të qenë në kujdesin e dikujt tjetër përvec neve-(prindërve), mësueseve dhe nanës time në ndonjë rast, prandaj ajo është mësuar me këtë grup njerëzve me të cilët qëndron me qejf.
Bebaime: A gatuan ndonjëherë bashkëshorti për vajzën?
Paulina Nushi Muhaxhiri: Sigurisht se kish me pas qejf por me një grua si unë si vjen rradha. Unë me aq shumë dëshirë përgatiti për Anikën prandaj të them të drejtën nuk dua as të i’a lë në dorë këtë pjesë sepse unë e shijoj shumë (pak egoiste nga ana ime por ai e kupton ). Pjesa e përgatitjes së ushqimit është pjesa e preferuar e qëndrimit në shtëpi, ka ditë kur kam pushim nga puna që rri gjith ditën në kuzhinë duke bërë gjëra të ndryshme edhe për ne edhe për çikën.
Bebaime: Sa ju ndihmon bashkëshorti rreth fëmijës?
Paulina Nushi Muhaxhiri: Ne nuk e ndihmojmë njëri tjetrin rreth Anikës, ne të dytë e kryejmë obligimin tonë rreth saj. Anika është vajza jonë dhe të dytë kemi obligim për tu kujdesur për të. Ne e lajmë bashkë, luajme bashkë me të, ajo e di se ushqimin e han me nanën sepse ashtu është mësuar por të tjerat është në rregull që t’i bëjë me të dytë. Përndryshe Abi është një baba i mrekullueshëm, një burrë i dashur dhe i përkushtuar dhe si e njohin të gjithë njerëzit të tjerë një njeri i edukuar dhe i qetë, prandaj me të gjithë këto tipare ndihma e tij në çdo sferë të jetës nuk më mungon.
Bebaime: Si mund të na përshkruani momentet e ardhjes së fëmijës tuaj në shtëpi. Jeni frikësuar se mos nuk do t’ia dilni, kush ju ka ndihmuar në ditët e para?
Paulina Nushi Muhaxhiri: E di vetëm një gjë që kur ja pash fytyrën në momentin e parë që erdhi në jetë e kuptova se nga atëherë jam përmbushur plotësisht. Fillimi ka qenë i vështirë sepse si nanë e re ke shumë pyetje, por fatmirësisht une kam kërkuar ndihmën e profesionistëve qoftë për të mësuar ta pastroj vajzën, qoftë për ta ushqyer e ndërruar dhe pastaj nuk e kam pasur problem për ta bërë vetë.
Bebaime: Nënat janë të lidhur emocionalisht me fëmijët e tyre. Ju ka ndodhur ndonjëherë që edhe ju të qani bashkë me Anikën, në ndonjë rast të caktuar?
Paulina Nushi Muhaxhiri: Qysh në ditën e dytë të jetës kur e mori vaksinën e parë, qante ajo qaja unë, e shumë raste të tjera.
Bebaime: Na përshkruaj pak se çfarë emocioni keni ndjerë në momentin kur keni kuptuar se do të bëheni nënë?
Paulina Nushi Muhaxhiri: Shtatëzania ime ishte e planifikuar por emocioni kur mora rrezultatin e analizave ishte tepër i madh. Më kujtohet se që nga ai moment unë kam menduar vetëm për fëmijën, kam qenë një grua shtatëzanë shumë e kujdesshme. Jam kujdesur për ushqimin, për mënyrën e jetesës dhe cdo gjë tjetër. Shtatëzania falë Zotit ka shkuar shumë mirë ashtu si edhe procesi i lindjes.
Bebaime: Kush ka qenë përkrahja jotë më e madhe në cdo periudhë të jetës ?
Paulina Nushi Muhaxhiri: Prindërit e mi kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahja ime më e madhe në jetë.
Bebaime: Cdo njeri e ka një idol, kush është idoli yt?
Paulina Nushi Muhaxhiri: Ilir Nushi është idoli im, njeriu të cilit i’a dedikoj krejt çka kam arritur në jetë. Kur kam qenë e vogël ëndërra ime ka qenë që të bëhem si Babi, unë ende vazhdoj të mendoj se kam shumë punë përpara se të arrijt të jem sa një përqindje e asaj çfarë përfaqëson Babi por vazhdimisht mësoj nga ai. Unë gjithmonë e them se kur flas për Babin nuk di të jem modeste prandaj edhe këtu po e them se jam shumë me fat që jam vajza e tij. Kam privilegjin kur them se jam vajza e Ilir Nushit.
Bebaime: Cila është këshilla juaj për nënat dhe gratë që janë shtatzëna?
Paulina Nushi Muhaxhiri: Shijoni çdo ditë të shtatëzanisë, të atyre goditjeve të ëmbëla që fëmija i jep në barkun tuaj. Më besoni diçka se një kohë pas lindjes më mungonte barku dhe goditjet e Anikes në bark por pastaj kur e merja në dorë më kthehej ajo ndjenja e të qenurit e plotësuar. Që nga momenti që merni një test pozitiv në dorë filloni ta shijoni bekimin e Zotit. Kur të bëheni nanë asnjëherë mos dyshoni në aftësitë tuaja, ju do ja dilni përkundër të gjithave.