Teuta Krasniqi është ndër aktoret më të mira në Kosovë. Ajo po ashtu është ndër aktoret më të pëlqyera të serive të ndryshme si “Kafeneja jonë”, “Zyra për gjithçka”, etj. Po ashtu ka luajtur në dhjetëra shfaqje teatrale, filma të ndryshme dhe ka udhëhequr shumë emisione nëpër televizionet tona. Teuta Krasniqi kësaj radhe në një intervistë për portalin www.bebaime.com shpalos një anë tjetër të butë dhe të ndjeshme, atë të nënës.
Bebaime.com: Sot, jeni ndër aktoret më të mira që ka Kosovë. Por, cila ka qenë ëndrra juaj në fëmijëri, keni ëndërruar se do të bëheni aktore kaq e madhe?
Teuta Krasniqi: Baleti, aktrimi, televizioni. Baletin e kam dashtë gjithmonë dhe ende ndjej keqardhje që nuk u bëra balerinë, por në atë kohë nuk ka qenë situata aspak e kënaqshme për aktivitete të ndryshme për fëmijë. Me aktrim kam filluar qysh në shkollë fillore me shfaqje të ndryshme shkollore dhe që atëherë kam qenë e sigurt se çka dua të studioj dhe që dua të bëhem aktore profesioniste. Po ashtu botën e spektakleve televizive e kam dashur gjithmonë dhe më kujtohen detaje të shumta të fëmijërisë sime kur e kam ditur me saktësi që një ditë do të jem aktore dhe fytyrë e njohur televizive. Nuk e kam të qartë nga e kam pasur gjithë atë vetëbesim, por mendoj që pikërisht kjo më ka ndihmuar që të mos heq dorë nga ëndrrat e mia. Mendoj që për secilin ka shumë rëndësi zhvillimi jonë i hershem dhe ëndrrat që i kemi për të ardhmen tonë.
Bebaime.com: Çka ju pëlqen më së shumti te profesioni juaj?
Teuta Krasniqi: Sfida. Aktrimi është profesion i vështirë dhe i pasigurt. Duhet të jesh shumë punëtor dhe ambicioz që të arrish të punosh atë që do dhe të jetosh kënaqshëm nga profesioni yt. Unë nuk mundem, e as nuk di të bëj diçka që nuk e dua me zemër. Aktrimin e dua dhe sfidat që mi ofron ky profesion përmes roleve të ndryshme dhe procesit të punës në grup, më pjekin si njeri dhe si profesioniste.
Bebaime.com: Keni luajtur edhe në teatër dhe në televizion. Cili ju tërheq më shumë teatri apo televizioni?
Teuta Krasniqi: Filmi. Filmin e dua me shpirt dhe aty ndjej se po e kryej një nga misionet e mia më të rëndësishme. Teatrin po ashtu e dua shumë dhe kam shumë më shumë përvojë në teatër se sa ne film. Teatri është i gjallë, i drejtpërdrejtë dhe kërkon shumë shpirt, është shumë sfidues. Televizioni po ashtu ka vendin e vet të rëndësishëm, por që ka krejt tjetër proces pune dhe përjetimi në krahasim me filmin dhe teatrin. I dua të tria dhe jam shumë e lumtur që i ushtroj të tria.
Bebaime.com: Te flasim për familjen, ju keni një vajzë. Na flisni pak për Tarën. Sa vjeçare është, shkon në kopsht?
Teuta Krasniqi: Faleminderit Zotit, po kam një vajzë Tarën. Tara është 5 vjeç dhe tani shkon në parashkollore.
Bebaime.com: Ju ka ngjarë juve Tara. Ka dhe ajo talent për t’u bërë në të ardhmen një aktore e shkëlqyer, sikur ju?
Teuta Krasniqi: Tara ka ngjashmëri tepër të madhe me mua edhe në pamje, por në karakter jemi pothuajse të njëjta. Nuk e di sa është e udhës të flas me fjale lavdëruese për fëmijën tim, por e vërteta është që Tara prej tash po shpalos talente të ndryshme të saj, por që janë të lidhura shumë me botën e artit. Tara shkon në shkollë për balet, dhe po i ecën shumë mirë. Po ashtu vizaton shumë bukur dhe ka shumë imagjinatë të krijojë figura dhe kartolina nga materialet e ndryshme. Muzikën e do shumë dhe ka dëshirë të këndojë, ndërsa për aktrim nuk ka shfaqur shumë dëshirë deri tani, edhe pse unë e di qe e ka brenda saj edhe këtë dashuri, por që unë nuk dua ti imponojë asgjë.
Bebaime.com: Si do ta përshkruani me disa fjalë Tarën?
Teuta Krasniqi: Vërtetë është e vështirë çka do të them në këtë pyetje, sepse secila nënë i gjen fjalët më të bukura për më të shtrenjtit fëmijët e saj. Çdo fjali që do ta thosha më duket shumë e varfër që ta shpreh apo ta përshkruaj vajzën time, por po i them disa veçori të karakterit të saj: E mbarë, inteligjente, këmbëngulëse, e hareshme dhe shumë, por shumë e dashur dhe paqësore.
Bebaime.com: Qe nga lindja e Tares, sigurisht ka shume momente interesante qe do ti kujtoni gjate, por cili është më i veçanti?
Teuta Krasniqi: Fatmirësisht ka aq shumë momente të bukura që i përjetojmë bashkë çdo ditë, saqë e kam vështirë ti ndaj, por është një moment që e kam vulë në zemër. Tara ka qenë më e vogël se 2 vjeç dhe po mundohesha ta vë në gjumë dhe pas rreth një orë që unë po këndoja ninulla dhe ajo ende s’flinte e unë isha shumë e lodhur, ajo më tha: "Mami, të dua shumë". Aq shumë mu rrit zemra e mu bë mal, saqë e harrova lodhjen e ndeza dritën dhe filluam të luajmë sikur të ishte pika e ditës.
Bebaime.com: Ju jeni shumë e angazhuar në projekte të ndryshme, si ia dilni që të gjeni kohë edhe për Tarën?
Teuta Krasniqi: Unë gjitha punët i koordinoj në atë mënyrë që i përshtatet orarit të vajzës sime. Nëse nuk më konvenon orari atëherë e refuzoj projektin. Vajza ime është prioritet i padiskutueshëm për mua dhe nuk mendoj që asnjë punë apo projekt ja vlen që unë ti mungoj vajzës sime. Ne fakt shumë projekte kam refuzuar vetëm për të qenë sa më shumë kohë me Tarën dhe mos ta ndjej mungesën time. Por, natyrisht që më duhet të punoj dhe ka ditë kur mbes gjithë ditën në xhirim apo kam ndonjë periudhë më të ngarkuar me prova, por në princip gjithmonë mundohem që gjatë kohës sa është Tara në çerdhe, unë ti mbaroj gjitha punët.
Bebaime.com: Na përshkruani momentin kur për herë të parë keni pasur në duart vajzën tuaj. Si jeni ndjerë në ato momente, cilat kanë qenë fjalët e para që i keni thënë?
Teuta Krasniqi: Ai është momenti më i bukur që mund ta përjetoj një grua. Atë ditë ka lind Tara dhe atë dite ka lind mami Teuta, sepse thuhet që "kur lind një bebe lind edhe një nënë" dhe kjo është shumë e vërtetë. Jeta ime nga ai moment ka marr kuptim dhe e falënderoj Zotin për këtë bekim kaq të madh. Pas dashurisë më të madhe që e kam përjetuar në moment kur ma kanë vendos vajzën në gjoks, e qe mu shkri zemra nga gjithë ajo dashuri e pastër, fjalët e para kane qenë "a është mirë beba", dhe nëna ime që e kisha aty pranë meqë është anesteziste, ma konfirmoj që beba është shume mirë dhe gjithçka kaloj shumë mirë. Pastaj nuk doja as të flija, por vetëm të rrija duke e shikuar dhe duke e dashur në mënyrën më të bukur e të pastër të mundshme, këtë krijesë të bekuar, e aq të bukur, e që është fëmija im.
Bebaime.com: Ndonëse, Tara është fëmija i parë, dhe në të shumtën e rasteve nënat kanë probleme më fëmijën e parë, kryesisht frikë se a do t’ia dalë vetë. Keni pasur edhe ju këto shqetësime dhe kush kryesisht u ka ndihmuar?
Teuta Krasniqi: Gjate 9 muajve të shtatzënisë kam lexuar libra si duhet të rritet fëmija dhe pasi që lindi Tara jo që s’më kujtoheshin çka shkruante në ata libra, por në momente të caktuara ndjehesha si e humbur dhe më dukej vetja që nuk po di asgjë. Në fakt ai ishte stres dhe nevojë për të qenë një super nënë dhe dikur e kuptova që duhet të jem vetëm nënë e mirë dhe s’kam nevojë të dal nga lëkura ime, sepse me gjithë dashurinë dhe kujdesin, aq mjaftoja. Kam qenë shumë e stresuar në shumë situata dhe e obsesionuar me pastërti, mënyrë të ushqyerit dhe kujdes shpesh të tepruar. Ende më kritikojnë njerëzit e afërt që shpesh vazhdoj ta bëj këtë, por që nuk mund të ndryshoj. Përgjigjja ime është: "Kujdesi për fëmijë nuk është kurrë i tepruar", dhe vazhdoj prapë me timen.
Bebaime.com: Ju keni qenë mjaft e zëshme që nënat ti ushqejnë fëmijët e tyre me qumështin e gjirit, ndërkaq shumë nëna të reja fëmijët e porsalindur i ushqejnë me qumësht formulë. Sipas, jush, pse nënat duhet të përkushtohen më shumë në gjidhënie?
Teuta Krasniqi: Unë jam shpallur kampione e vullnetit të mirë nga Unifem, Unicef dhe disa organizata tjera dhe për këtë epitet, vazhdoj të ndihem shumë e nderuar. Me Unicef kemi pas edhe disa projekte për vetëdijesim për ushqyerjen e fëmijëve me qumësht gjiri. Unë kam qenë shumë e përkushtuar që ta ushqej vajzën me qumësht gjiri, por që nuk kam pasur mundësi ta bej këtë pas muajit të tretë dhe jam detyruar të kaloj në formulë. Mendoj që pas kësaj pamundësisë sime, e kam përjetuar aq keq saqë nuk arrij ta kuptoj pse ato nena që kanë qumësht gjiri nuk vazhdojnë ti ushqejnë foshnjat të paktën për një vit. Por, ne nuk jemi këtu për ta gjykuar askënd dhe secila nënë vendos në atë mënyrë që e di se çka është më e mirë për fëmijën e vet.
Bebaime.com: Cila është këshilla juaj për gratë shtatzëna dhe nënat e reja?
Teuta Krasniqi: Për shtatzënat: Shumë dashuri, aspak stres, mbi të gjitha ushqim të shëndetshëm, muzike relaksuese, ajër të pastër dhe njerëz pozitiv, ndërsa për nënat e reja e kam një këshillë nga zemra, e që po e lidh me një fjalë të urte: "dëgjoj 100 vetë e bej si di vet", më besoni që as shkenca e mjekësia, as librat e filmat, as "adetet" e këshillat nuk kanë rezultat më të mire se sa ta dëgjoni instinktin tuaj kur bëhet fjalë për fëmijën tënd. Të gjitha duhet bërë, kontrollet mjekësore, këshillat e mjekut, të kemi parasysh këshillat e nënave, me përvoje se ne, por në fund përgjigjen e duhur secila nënë e mire e ka brenda vetes dhe gjithmonë ai është ilaçi më i mire dhe i duhur për fëmijën dhe neve. Instinkti amësor është shqisa jonë e gjashtë, është mrekulli që Zoti i madh na ka bekuar me të, besojeni.
Intervistoi: TEUTA SINANAJ