Edita Dula u bë e njohur nga seriali “Familja moderne”. Ajo aty aktronte në rolin e Hanës, një vajzë e fuqishme që edhe burrat i frikësoheshin. Por, në realitet Edita është një njeri krejt tjetër, familjar, nënë dhe humaniste. Ajo në një intervistë për portalin bebaime.com shpalos shumë detaje interesante nga jeta e saj private.
Bebaime.com: Edita është aktore shumë e njohur në Kosovë. Aktualisht me çfarë jeni duke u marrë?
Edita Dula: Aktualisht jam duke punuar në emisionin “Oxygen Show”, edhe pse kam pasur angazhime ndërkohë në ndonjë serial vendor, mirëpo në “Oxygen”, kam punë primare. Jam tejet e kënaqur dhe shumë ndihem rehat aty, thjesht si në shtëpinë time. Stafi është fantastik, kurse sa i përket punës time mundohem ti shkruaj tekstet që t’ju përshtaten mysafirit, rrethanave.
Bebaime.com: Përpos punës që bëni në “Oxygen show”, merreni edhe me diçka tjetër?
Edita Dula: Merrem edhe me një aktivitet tjetër që nuk është punë që sjell të ardhura, por e bëjë me kënaqësinë më të madhe. Kam një grup të mbyllur në “FCB closed grup”. E kam formuar në bashkëpunim me Qëndresa Bujupi-Imeri, është grupi “She's-fal Gjëra për fëmijë”, ka diku rreth 8000 mijë anëtarë nëna, të cilat vazhdimisht shesin gjërat që s’ju duhen, si karroca, veshmbathje e gjithçka të fëmijëve me çmime shumë të volitshme. Duke marrë parasysh çmimet e larta në krahasim me pagën është një lehtësim për të gjitha nënat ti shkëmbejnë gjërat. Më e mira e krejt kësaj është që falim shumë gjësende, organizohemi mbledhim gjërat gjithçka çka kemi të tepërt në shtëpi, duke filluar prej lugëve dhe i dërgojmë te familjet e varfra që sado pak t’ia lehtësojmë jetën. Jam shumë e lumtur që grupi funksionon për mrekulli dhe kemi nëna aq të mira dhe aq shpirtgjera që janë të gatshme në çdo moment të ndihmojnë.
Bebaime.com: Të flasim për familjen. Nga kush përbëhet familja e Editës dhe ku jeton Edita?
Edita Dula: Familja ime është katër anëtarësh, Vetoni bashkëshorti dhe dy djemtë e mi. I madhi është 7 vjeç dhe quhet Princ, ndërsa i vogëli 1 vjeç e gjysmë dhe quhet Ari. Jetoj në Prishtinë.
Bebaime.com: Përmendet që keni dy fëmijë, Princin që shkon në shkollë dhe Arin që sigurisht ende e keni në shtëpi?
Edita Dula: Princi është në klasën e parë në shkollën fillore “Ismail Qemali”. Ndërsa, për Arin kujdesem unë, nuk e kam dërguar ende në kopsht. Nuk e di pse në kopshte nuk kanë dashtë kurrë të rrinë.
Bebaime.com: Mund të na evokoni disa momente kur për herë të parë jeni bërë nënë. Si kanë qenë ato momente?
Edita Dula: Si për çdo nënë të re edhe për mua ka qenë një ndjenjë që nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Është një magji që ta zbukuron mendjen dhe shpirtin. Kur e kap në duar për herën e parë një fëmijë ti një nëna, një person i rëndësishëm, më i dashur për të tërë jetën.
Bebaime.com: Si ka qenë jeta juaj pas lindjes së fëmijës së parë, apo më mirë thënë sa ka ndryshuar?
Edita Dula: Jeta ime pas lindjes së parë ka ndryshuar për të mirë. Të them të drejtën aso kohe kam punuar në serialin vendor “Familja Moderne”, në rolin e Hanës. Kam lindur në muajin gusht Princin, dhe menjëherë pas dy muajve kam filluar punën. Por, nuk kam mundur normalisht të angazhohem në disa projekte të tjera, pastaj një kohë kam qenë edhe jashtë vendit.
Bebaime.com: A keni pasur vështirësi që ta ushtroni profesionin pas lindjes së fëmijëve, në kuptimin se keni pasur më pak kohë?
Edita Dula: Siç e thash edhe më lartë kam provuar një kohë për të jetuar jashtë, por ja që s’jam adaptuar aspak dhe jam kthyer prapë në profesionin tim. Të jesh nënë dhe aktore është goxha vështirë për ti arritur të dyja. Nëse do t’i përkushtohesh fëmijëve në maksimum, atëherë nuk mund të arrish ti bësh të dyja, rolin e nënës dhe aktores, sidomos teatrin ku ka prova me orare të gjata, të vona dhe orare të ndryshme.
Bebaime.com: Na tregoni disa fjalë rreth fëmijëve. Çfarë karakteresh kanë, sa dallojnë me njëri-tjetrin etj?
Edita Dula: Fëmijët dallojnë shumë njeri me tjetrin. Princi është i tërhequr, shumë i dashur dhe i lidhje me mua. Por, është tip që nuk shpreh emocione me njerëzit e tjerë. Është shumë fëmijë serioz edhe në shkollë në muajin e parë vazhdimisht më është dashur të rrijë me të në klasë deri sa është adaptuar. Fatmirësisht tash e do shkollën shumë, po ashtu edhe mësuesen dhe është shume i përkushtuar në mësime. Ndërsa Ari është e kundërta e Princit, shumë i dashur, i buzëqeshur vazhdimisht, kërcen e do muzikën, lojën, me një fjalë është shumë tip eksplorues i intereson gjithçka, normalisht si çdo fëmijë nuk i bëj presion, e lë ta eksploroj botën vet.
Bebaime.com: Cila është këshilla juaj për nënat e reja?
Edita Dula: Nuk e shoh veten kompetente të jap këshilla për nënat e reja, por kam një këshillë që duke marr parasysh jetën, gjendje ekonomike e çdo gjë për të keq që po ndodh në këtë vend me fëmijët të jenë gjithmonë të dashur. Në asnjë rrethanë mos të jenë të ashpra, përveç dënimeve me vend te fëmijët e rritur. Mos ti llastojnë, të kenë një jetë luksi, ti kënaqin me gjërat e thjeshta, ti edukojnë të mos jenë kërkues dhe assesi të mos e dëgjojnë bisedën e të rriturve, sidomos kur është ajo bisedë e acaruar. Të rriten të shëndosh në mendje e në shpirt.
Intervistoi: Teuta SINANAJ