Pranvera Behramin e njohim si vajzë të ekranit. Ajo për vite me radhë ka udhëhequr dhe moderuar disa emisione në RTV 21 dhe RTK. Profesioni i saj i parë është gazetaria, mirëpo tani ajo është zyrtare për media në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, sërish ka lidhje me gazetari. Pranvera në këtë intervistë shpalos shumë gjëra interesante nga jeta e saj private.
Bebaime.com: Pranverën e njohim si prezantues në disa emisioni në RTV21 dhe RTK. Çka është duke bërë për momentin Pranvera?
Pranvera Behrami: Tash 1 vit e gjysmë punoj në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, si zyrtare për Media, që dmth, edhe pse larg të qenit gazetare apo prezantuese, sërish në kuadër të profesionit tim, meqë edhe ky funksion të cilin po e kryej, ndërlidhet me media.
Bebaime.com: Keni udhëhequr shumë emisione dhe jeni mjaft e njohur, por në realitet sa është e vështirë puna e prezantueses?
Pranvera Behrami: Në fakt, secili profesion i ka vështirësitë e veta dhe streset qe bartin ato, mirëpo diçka që më ka bërë përshtypje së fundmi në një hulumtim që është bërë, gazetaria e posaçërisht moderimi cilësohet si profesioni më i vështirë dhe më me stres. Prandaj, edhe unë ju them që ky profesion vërtetë është i tillë, pavarësisht komoditetit që mund të reflektoj nga ekrani. Po e zëmë, kemi njerëz me ngritje të lartë intelektuale të profileve të ndryshme, shumë të suksesshëm në profesionet që kanë, mirëpo kur bëhet fjalë për tu paraqitur para kamerave apo para një turme të caktuar njerëzish, të paktë janë ata që ia dalin me sukses, apo edhe që pranojnë fare të bëjnë një gjë të tille.
Bebaime.com: Të flasim tani për familjen. Nga kush përbëhet familja juaj?
Pranvera Behrami: Jam fatlume qe kam 2 prindërit, 3 motra dhe 1 vëlla. Burrin, prindërit dhe vëllain e tij, ndërsa që 3 vite e gjysmë Zoti më ka bekuar me një djalë, i cili më ka mrekulluar jetën edhe më tepër. Diori është një djalë shumë i dashur, i përshtatshëm, i hareshëm, shumë i kthjellët për moshën që ka. Shkon në çerdhe me gjysmë orari, pasi që dëshiron që të kalojë kohë sa më tepër edhe me gjyshërit dhe axhën e tij.
Bebaime.com: Mund të na rrëfeni disa emocione që keni përjetuar në momentin e parë kur keni kuptuar se do të bëheni nënë?
Pranvera Behrami: Sa i takon emocioneve, e di që përsëritëm me të gjitha nënat, pasi emocionet që më kanë kapluar, jo vetëm me mbajtjen e tij në krahë për herë të parë, por që nga momenti që kam mësuar për shtatzëninë time janë emocione që nuk përshkruhen me fjalë, e të cilat ua dëshiroj të gjitha grave të botës.
Bebaime.com: Si ju ka shkuar shtatzënia. A keni pasur ndonjë problem gjatë shtatzënisë?
Pranvera Behrami: Muajt e parë kam humbur 4 kilogram, pasi haja shumë pak dhe vazhdimisht kisha të vjellura, mirëpo pas këtyre muajve, e mbaj veten mend shumë energjike, më shumë se kurrë preferoja të grimohesha, të kujdesesha shumë për veten. Kam punuar deri 1 javë para se të lindja dhe natyrisht më nervoze se që jam zakonisht.
Bebaime.com: Jeni ballafaquar me ndonjë vështirësi në fillim?
Pranvera Behrami: Vështirësitë kanë qenë evidente vetëm në muajt e parë, ndërsa deri në fund më ka penguar shumë tymi I duhanit, të cilin edhe sot e kësaj dite nuk e duroj dot dhe mundohem që djalin tim ta mbajë sa më larg tij, dhe në fakt edhe pse aq i vogël, për efektet negative të tij, është shumë I aftë të këshilloj edhe ai ata që e konsumojnë atë.
Bebaime.com: Sa ndryshoi jeta juaj me lindjen e djalit?
Pranvera Behrami: Ata që më njohin e dinë që unë jam njeri për toke, modeste, shumë e afërt dhe e dashur me të gjithë, nuk e dua luksin, nuk kam ambicie të shfrenuara për famë e para. E tëra që kërkoj nga jeta përmes Zotit të madhëruar është një familje e shëndoshë me shëndet të plotë, begati, mirësi dhe respekt e dashuri për njëri tjetrin, dhe si duket Zotit nuk i janë dukur të tepërta kërkesat e mia, prandaj më ka lumturuar me të gjitha këto, sidomos me ardhjen në jetë të djalit tim, i cili me ekzistencën dhe energjinë pozitive që transmeton, më kompleton dhe më mrekullon çdo ditë e më shumë.
Bebaime.com: Si ka qenë për ju moment kur për herë të parë e keni mbajtur djalin në duart tuaj?
Pranvera Behrami: Në fakt, unë gjithmonë i kam dashur fëmijët, kudo që kam takuar fëmijë në rrugë, jam ndalë e i kam përqafuar, aq shumë kam bërë edhe për fëmijët e motrave të mija, saqë ndonjëherë më vinte në mendje ideja që ndoshta nuk mund të kem fëmijë timin, (besëtytni e kotë), mirëpo ja që Zoti i madhëruar edhe mua më bekoi me një engjëll, për çfarë e falënderoj çdo minutë të jetës sime.
Bebaim.com: Prej se je bërë nënë a je bërë më e ndjeshme?
Pranvera Behrami: E ndjeshme jam prej se kam lindur, më duket. Jam tepër emocionale, aq sa shpesh ju pengoj edhe njerëzve që më rrethojnë, besa edhe kolegëve me të cilët punoj, ngase jam në gjendje të qaj me zë kur lexoj ndonjë artikull apo kur shoh ndonjë foto të ndonjë fëmije të abuzuar, lënduar apo plagosur, çka po shohim çdo ditë kudo në botë. Nuk e kam problem fare të ndalem në rrugë, duke harruar që mund të më njeh dikush, të flas e shpesh edhe të bërtas kur shoh ndonjë skenë jo njerëzore që i bëhet ndonjë të mituri të pastrehë, të cilët na I kanë vërshuar rrugët gjithandej. Aq përzemërt e marrë këtë fenomen, sa shpesh më shkon në mendje të merrem seriozisht me këta njerëz (kafshë), të cilët përdorin fëmijët për përfitime të tyre personale, megjithë rrezikun e madh që bartë kjo punë.
Bebaime.com: Cili është ushqimi I preferuar I fëmijës tuaj?
Pranvera Behrami: Hem, pyetja më e vështirë deri më tani, ngase fatkeqësisht Diori im është shumë i pa përshtatshëm kur bëhet fjalë ushqimi, pasi që ha shumë pak. Më duhet të inskenoj shfaqje e të luaj lloj lloj rolesh që ai të ha diçka. E më së shumti i preferon, akulloret.
Bebaime.com: Cilët janë momentet apo kujtimet e fëmijërisë së djalit tuaj që nuk do ti harroni kurrë?
Pranvera Behrami: Kur për herë të parë ka filluar të artikulojë fjalinë “TË DUA” dhe kënaqem kur dëgjoj çdo ditë këshillat që ua jep të tjerëve për duhanin dhe koka kollën.
Bebaime.com: A keni bërë lindje normale apo me operacion. Sipas jush si është më mirë të lindësh?
Pranvera Behrami: Me prerje cezariane. Do të preferoja që lindjen e ardhshme ta realizoj në mënyrë normale, pasi mendoj që është më e mirë.
Bebaime.com: Ku keni lindur në cilin spital dhe si keni kaluar?
Pranvera Behrami: Pavarësisht sigurimit shëndetësor, përmes së cilit do të mund të lindja kudo, unë kam zgjedhur që të lindë në QKUK, ku kam kaluar shumë mirë.
Bebaime.com: E keni në plan në të ardhmen ta zgjeroni edhe më shumë familjen?
Pranvera Behrami: Pa dyshim që po, biles Diori ka kohë që po e kërkon një motër. Unë i lutem Zotit për fëmijë të shëndoshë, pavarësisht gjinisë, mirëpo do ti dëshiroja edhe 2 vajza.
Bebaime.com: Cila është këshilla juaj për gratë shtatzënë dhe nënat e reja?
Pranvera Behrami: Meqë edhe misioni dhe përmbajtja e portalit tuaj është këshillëdhënës dhe besoj edhe kjo intervistë ishte sadopak e tillë, për fund do të doja që të gjitha nënave por edhe baballarëve t’ju them që së pari të edukojmë veten dhe të jemi të kujdesshëm se si sillemi me njëri tjetrin dhe ndaj të tjerëve, përpara se të tentojmë ti edukojmë të vegjlit tanë, pasi ata bëjnë çfarë shohin nga ne dhe jo çfarë ju themi.
Intervistoi: TEUTA SINANAJ