Vajza e bukur e ekranit të RTK-së, Njomza Berisha-Miftari është personazhi tjetër që në një intervistë dhënë për portalin bebaime.com shpalos shumë ngjarje interesante nga jeta e saj, momentet kur u bën nënë dhe shumë gjëra të tjera mund ti lexoni në këtë intervistë.
Bebaime.com: Njomzën e njohim si prezantues dhe gazetare në disa emisioni në RTK-së. Sa është sfiduese për një femër gazetaria televizive ne Kosove
Njomza Berisha: Gazetaria në përgjithësi si profesion është i vështirë, e sidomos në shoqëritë që janë në zhvillim ashtu siç është e jona, ku emancipimi i femrës është akoma i brishtë dhe lë shume për të dëshiruar. Ky fakt ndërlidhet me sfidat të cilat ballafaqohet një gazetar në terren në përballje me barrierat dhe refuzimet e ndryshme për të siguruar informacionin në interes të publikut, ndërsa për femrat gazetare është edhe më sfiduese qasja në fjalë.
Bebaime.com: Ju jeni e martuar me njërin nga reperët më të njohur në Kosovë “Don Pizhi”. Na tregoni se si jeni njohur dhe që sa kohë jeni e martuar me të?
Njomza Berisha: Me burrin tim Fatmirin, jemi njohur në shkollë të mesme, ndërsa që atëherë jemi bashkë dhe vitin e ardhshëm festojmë një dekadë martesë e gjashtëmbëdhjetë vite së bashku.
Bebaime.com: Pa dyshim se kurorëzimi i martesës për çdo kënd është kur bëhet prind. Si ishte për ju kur për herë të parë u bëtë prind. Na përshkruani pak momentin e shtatzënisë dhe më pas të bërit nënë?
Njomza Berisha: Gjatë shtatzënisë së parë kam qenë më e ndrojtur për mbarëvajtjen e procesit për shkak të një përvojë plotësisht të re, mistike dhe me shumë përgjegjësi në të njëjtën kohë. Sidoqoftë, ndjenja e të qenit nënë të ndryshon perceptimin për botën, jetën dhe gjithçka tjetër që ke njohur deri në atë moment. Në të njëjtën mënyrë ka ndikuar tek unë mbajtja në dorë për herë të parë e Erjonit, djalit tim të madh.
Bebaime.com: Na flisni më shumë për djemtë, çfarë moshe kanë, shkojnë në shkollë?
Njomza Berisha: Erjoni dhe Nili janë dy djemtë tonë të moshës tetë dhe katër vjeçare. Joni shkon në klasën e tretë ndërsa Nili vitin e ardhshëm arrin moshën për të vijuar përgatitjen parashkollore.
Bebaime.com: Duke ditur se jeni e angazhuar në punë në RTK, si arrini që brenda një dite me kaq shumë angazhime të kujdeseni në mënyrë konstante edhe për djemtë?
Njomza Berisha: Pavarësisht angazhimeve të shumta që kam në punë dhe përkushtimit tim në të qenit sa më profesionale gjatë prezantimeve të lajmeve, çdo herë mundohem që një pjesë të kohës ta kem ndarë për më të dashurit e mi të vegjël. Normalisht, kjo kërkon sakrificë dha angazhim shtesë që në rastin tim kam preferuar që të punoj nga mëngjesi i hershëm me qëllim të të pasurit kohë sa më shumë për fëmijët e mi, e që njëherësh i jam mirënjohëse institucionit tim për mbështetjen dhe mirëkuptimin e vazhdueshëm pa lënë anash edhe familjen time dhe atë të burrit tim.
Bebaime.com: Jeni ballafaquar me ndonjë vështirësi në fillim të lindjes së djalit të parë?
Njomza Berisha: Realisht gjatë dy shtatzënive kam kaluar pa ndonjë komplikim të evidentuar, ndërsa i jam shumë falënderuese Zotit që më ka dhuruar dy djem të shëndoshë.
Bebaime.com: Po bashkëshorti sa ju ndihmon rreth fëmijëve?
Njomza Berisha: Jam me fat që kam zgjedhur një baba të mrekullueshëm për fëmijët e mi, ndërsa mbështetja e tij është prezent në çdo aspekt të kujdesit ndaj djemve tanë. Edhe pse gjatë ditëve të punës jemi mjaft të angazhuar, gjatë vikendeve tentojmë të kalojmë kohë sa më kualitative së bashku.
Bebaime.com: Sa ndryshoi jeta juaj me lindjen e djemve?
Njomza Berisha: Të qenit prind ndërron rrënjësisht rrjedhën e jetës, ashtu siç e ceka më lartë, ndërsa fokusi, përkushtimi i plotë dhe qëllimi jetësor marrin trajtën e fëmijëve të tu. Kjo përvojë jetësore dhe përmbajtjesore, pavarësisht sfidave e vështirësive që mund të ketë gjatë rrugës, më bën të ndjehem e bekuar dhe plotësuar me familjen time.
Bebaime.com: Prej se je bërë nënë a je bërë më e ndjeshme?
Njomza Berisha: Karakteri im edhe ashtu është i butë dhe i ndjeshëm, por me t'u bërë nënë këto ndjenja më janë theksuar akoma më shumë duke bashkëndjerë me të tjerët sa herë shoh një grua shtatzënë, fëmijë në rrugë e jetimë pa prindër.
Bebaime.com: Keni pasur problem në përgatitje të ushqimit të fëmijëve?
Njomza Berisha: Në fillim kam pasur ca vështirësi të vogla, por me vendosshmërinë time dhe iniciativat e vazhdueshme me mbështetje edhe të nënës e vjehrrës sime, sot ndjehem shumë komode me njohuritë që kam rreth kuzhinës, qoftë ajo tradicionale, italiane apo të tjera.
Bebaime.com: A bëjnë “naze” fëmijët ne ushqim, çka preferojnë më shumë?
Njomza Berisha: Zakonisht me shijet e fëmijëve duhet bërë kompromise dhe motivime shtesë sidomos kur vjen puna për konsumimin e perimeve, por çdo herë kujdesem që në tryezë të ketë edhe diçka nga shijet e tyre të preferuara siç janë: pastat, orizi, brumërat, dhe pemët e ndryshme.
Bebaime.com: Cilët janë momentet apo kujtimet e djemve tuaj që nuk do ti harroni kurrë?
Njomza Berisha: Me fëmijët e mi kam shumë kujtime të bukura të cilat me ëndje i kujtojmë, ndërsa do të veçoja momentet kur kanë bërë hapin e parë gjatë ecjes, fjalën e parë dhe ushqimet e para që kanë shijuar përveç qumështit. Unë jam shumë e dhënë pas video incizimeve të ngjarjeve të ndryshme, shëtitjeve dhe pushimeve tona të përbashkëta meqë mendoj që momentet e ndodhura një herë nuk përsëriten dot.
Bebaime.com: Cila është këshilla juaj për nënat e reja dhe gratë shtatzëne?
Njomza Berisha: Për nënat e reja dhe nënat e ardhshme kam shumë porosi, por ndër më të rëndësishmet mendoj që janë: durimi, qetësia shpirtërore, kujdesi ndaj shëndetit, ushqimi adekuat dhe mbi të gjitha reflektimi i dashurisë gjithandej.
Intervistoi: TEUTA SINANAJ