28.10.2018 - Letra e shkrimtares dhe gazetares së njohur italiane drejtuar fëmijës që humbi…
Këtë natë kuptova që ti ishe: një grimcë jete e ardhur nga asgjëja. Po qëndroja me sy hapur në errësirë e papritmas në këtë terr, u ndez një dritë qartësie: ti ishe. Ekzistoje. Qe sikur të ndieja një plumb në gjoks. Më ndaloi zemra.
Kur rinisi të rrihte me goditje të shurdhëta e të hutuara, kuptova se po rrokullisesha në një pus ku gjithçka ishte e paqartë e terrorizuese. Tani jam këtu, e mbyllur me çelës brenda një frike që më lag fytyrën, flokët, mendimet. E në të humbas.
Përpiqu të kuptosh: nuk është frika nga të tjerët. Nuk pyes për të tjerët. Nuk është frika ndaj Zotit. Unë nuk besoj në Zot. Nuk është frikë ndaj dhimbjes. Nuk i trembem dhimbjes. Është frika për ty, ndaj rastësisë që të shkuli nga asgjëja për të të ngjitur në kërthizën time.
Nuk kam qenë kurrë gati për të të pritur, edhe pse të kam kërkuar shumë. Kam shtruar gjithmonë pyetjen mizore: Po sikur të mos i pëlqejë të lindë? Po sikur një ditë ti të më qortoje duke britur: “Kush të tha të më sillje në botë, pse më solle, pse?”
Jeta është një mundim i tillë, mor bir. Është një luftë që përsëritet çdo ditë, e momentet e gëzueshme të saj janë aq të shkurtra e paguajnë një çmim mizor. Si mund ta di se nuk do ishte e drejtë të të hidhja tej, si mund të kuptoj se nuk do t’i rikthehesh heshtjes?
Nuk mundesh të më flasësh. Grimca jote e jetës është veçse një nyje celulash të sapokrijuara. Ndoshta nuk është as jetë, veç mundësi jete. E megjithatë do jepja gjithçka që ti të më ndihmoje me një shenjë, me një sinjal. Nëna ime thotë se unë ia dhashë dikur e prandaj më solli në botë.
Nëna ime, ta dish, nuk më donte. U nisa gabimisht, në një moment zbavitjeje të dikujt. E që të mos lindja çdo natë shkrinte në ujë një ilaç. Më pas e pinte duke qarë. E pi deri në natën kur unë lëviza, brenda kërthizës së saj, e godas më shkelm për t’i thënë mos më hidh tej. Ajo ishte duke vendosur gotën në buzë.
E largon menjëherë duke e derdhur në tokë. Disa muaj më pas unë rrotullohesha fitimtare në diell e se qe mirë apo keq nuk e di. Kur jam e lumtur, mendoj se qe një e mirë, kur jam e palumtur, them se qe një e keqe. Edhe kur jam e palumtur, mendoj se do më vinte keq të mos lindesha, pasi asgjëja është më e keqja e asgjësë.
Unë, po ta përsëris, nuk i trembem dhimbjes. Ajo lind me ne, rritet me ne e me të mësohemi si me faktin se kemi dy krahë e dy këmbë. Unë në fund të fundit nuk i trembem as vdekjes, pasi një që vdes, do të thotë se ka lindur, se ka dalë nga asgjëja. Unë i trembem asgjësë, mosqenies, detyrimit për të thënë se nuk isha, rastësisht, o gabimisht, apo thjesht për zbavitjen e tjetrit.
Shumë gra pyesin: Pse të sjell në botë një fëmijë? Për të pasur uri, për të pasur ftohtë, për t’u tradhtuar, fyer, për të vdekur i vrarë në luftë apo nga sëmundja? E mohojnë shpresën që uria e tij të ngopet, që i ftohti i tij të ngrohet, që besnikëria e respekti të jenë miq, që të jetojë gjatë duke tentuar të eliminojë sëmundjet e luftën.
Ndoshta ato kanë të drejtë. Po asgjëja duhet preferuar ndaj vuajtjes? Unë madje dhe në intervalet kur qaj për falimentimet e mia, deluzionet e mia, hallet e mia, konkludoj se të vuash është më mirë se asgjëja. E po ta shtoj këtë jetë me dilemën lind o nuk lind, përfundoj duke eksklamuar se lindja është më mirë se moslindja.
Si thua, është e drejtë të shtrosh një arsyetim të tillë edhe për ty? Nuk është si të të sjellësh në botë për veten time e mjafton? Nuk më intereson të sjell në botë për vetveten e mjaft. Madje, nuk kam aspak nevojë për ty.
Do të jesh burrë o grua?
Do të doja të ishe grua. Do të doja që ti të provoje një ditë atë që po provoj unë: nuk jam aspak dakord me nënën time që thotë se të lindësh grua është një fatkeqësi. Nëna ime, kur ishte e hidhëruar, pëshpëriste: Ah sikur të kisha lindur burrë!
E di: është një botë e fabrikuar për burrat e për burrat, diktatura e tyre është kaq antike që shkon deri te mënyra e shprehjes. Thuhet burrë për të thënë burrë e grua, thuhet fëmijë për të thënë djalë o vajzë, thuhet bir për të thënë bir o bijë, thuhet vrasës për të treguar një burrë o një grua. Në legjendat që meshkujt kanë krijuar për të shpjeguar jetën, krijesa e parë nuk është një grua, por një burrë i quajtur Adam.
Eva vjen më pas për ta argëtuar e për të krijuar telashe. Në pikturat që zbukurojnë kishat e tyre, Zoti është një plak me mjekër: kurrë një plakushe me flokë të bardhë. E të gjithë heronjtë e tyre janë meshkuj: nga ai Prometeu që zbuloi zjarrin, tek Ikari që tentoi të fluturonte e deri tek Jezusi që e shpallin si biri i Shpirtit të Shenjtë – pothuajse sikur gruaja nga e cila lindi të ishte një inkubatriçe apo një dado.
E MEGJITHATË, PIKËRISHT PËR KËTË TË JESH GRUA ËSHTË KAQ TËRHEQËSE. ËSHTË NJË AVENTURË QË KËRKON KAQ KURAJË, NJË SFIDË QË NUK TË MËRZIT KURRË. DO TË KISHE KAQ GJËRA PËR TË BËRË PO TË LINDJE GRUA.
E për ta nisur do të të duhej të luftoje për të bindur se Zoti, po të ekzistonte, mund të ishte dhe një plakë me flokë të bardhë apo një vajzë e bukur. Më pas do të të duhej të shpjegoje se mëkati nuk lindi në ditën kur Eva këputi mollën: në këtë ditë lindi një virtyt i mrekullueshëm i quajtur mosbindja.
Në fund do të të duhet të luftosh për të demonstruar se brenda trupit tënd të lëmuar e me forma, ndodhet një inteligjencë që ulëret për t’u dëgjuar. Të jesh nënë nuk është një zanat. Nuk është as një detyrë. Është vetëm një e drejtë midis shumë të drejtash. Do të lodhesh shumë duke ulëritur. E shpesh, pothuajse gjithmonë do të humbësh. Por nuk duhet të shkurajohesh.
Të luftosh është shumë bukur se sa të fitosh, të udhëtosh është shumë më argëtuese se sa të mbërrish: kur ke arritur o ke fituar , të kesh është një boshllëk i madh. E për të kapërcyer këtë boshllëk duhet të rifillosh udhëtimin, të krijosh zbulime të reja. Po shpresoj që ti të jesh një grua, pavarësisht se unë të quaj bir. E shpresoj që ti të mos thuash kurrë atë që thotë nëna ime. Unë nuk e kam thënë kurrë.
Po dhe po të lindje burrë, unë do të isha e kënaqur njëlloj. E ndoshta më shumë, sepse do të të kursehen kaq shumë injorime, shumë shërbime, shumë abuzime. Po të lindje burrë për shembull, nuk do kishe frikë se mos të përdhunonin në errësirën e një rruge.
Nuk do të nevojitej një fytyrë e bukur për t’u pranuar me vështrimin e parë, as një trup i bukur për të fshehur inteligjencën. Nuk do t’u nënshtrohesh paragjykimeve dashakeqëse kur të flesh me kë të të pëlqejë, nuk do të dëgjosh të të thuhet se mëkati lindi kur këpute një mollë. Mund të luftosh më rehatisht për të bindur se Zoti dhe po të ekzistonte mund të ishte një plakushe me flokë të bardha ose një vajzë e bukur.
Mund të mos bindesh pa u tallur, të dashurosh pa u zgjuar natën me ndjenjën se po rrokullisesh në një pus, të mbrohesh pa u insultuar. Natyrisht do të të takojnë skllavëri të tjera, padrejtësi të tjera: as dhe për një burrë jeta nuk është as e lehtë, ta dish.
Derisa të kesh muskuj të fortë do të të kërkojnë të mbash sa më shumë pesha, do të imponojnë përgjegjësi arbitrare. Derisa të kesh mjekër, do të qeshin po të qash, madje dhe kur të kesh nevojë për ngrohtësi. Derisa të kesh një bisht para, do të të urdhërojnë të vrasësh ose të vritesh në luftë, do të kërkojnë pjesëmarrjen tënde për të vendosur tiraninë e krijuar në shpella.
E megjithatë apo pikërisht për këtë, të jesh një burrë është gjithashtu një aventurë e mrekullueshme: një detyrë që nuk do të zhgënjejë kurrë. Të paktën shpresoj, pasi po të lindësh burrë, do të jesh një burrë siç unë e kam ëndërruar gjithmonë: i ëmbël me të dobëtit, i egër me prepotentët, zemërgjerë me këdo që të do të mirën, i pamëshirshëm me atë që të urdhëron.
E në fund, armik i cilitdo që tregon se Jezusi është biri i Babait të Shpirtit të Shenjtë, e jo i gruas që e lindi. Biri im, po përpiqem të të shpjegoj se të jesh burrë nuk do të thotë të kesh një bisht para, do të thotë të jesh një person. E mbi të gjitha mua më intereson të jesh një person. Është një fjalë e mrekullueshme fjala person, pasi nuk vë limite midis burrit e gruas, nuk vë barrikada midis kush ka bisht e kush jo.
Nga ana tjetër filli që ndan kush ka bisht e kush jo është një fill aq i hollë, që praktikisht shprehet me aftësinë e pjekurisë o jo të një krijese në kërthizë. Zemra e truri nuk kanë seks. As sjellja.
Po të jesh një person me zemër e tru, mbaj mend se unë nuk do të jem nga ata që do të urdhërojnë të sillesh në këtë mënyrë a në tjetrën, femër a mashkull qofsh. Do të të kërkoj vetëm të shfrytëzosh mirë mrekullinë e ardhjes në jetë, të mos i dorëzohesh kurrë frikës. Është një shtazë përherë në pritë, frika.
Na kafshon të gjithëve, çdo ditë e janë pak ata që nuk lejojnë të kafshohen nga ajo. Në emër të kujdesit, të komoditetit e të herë dhe të urtësisë. Frikësohen kur kërcënohen nga rreziku e sapo ai largohet, njerëzit bëhen arrogantë. Nuk duhet të shmangësh kurrë rrezikun, edhe kur frika të frenon. Të vish në jetë është vetë një rrezik i pendimit se pse ke ardhur.
NË VEND TË FRIKËS UNË NDIEJ NJË LLOJ MELANKOLIE, NJË LLOJ PAKËNAQËSIE QË ZBEH EDHE HUMORIZMIN TIM. MË VJEN KEQ TË VDES, PO. E NUK HARROJ KURRË ATË ÇKA MË THËNË ANA MAGNANI VITE MË PARË: “ORIANA IME, NUK ËSHTË E DREJTË TË VDESËSH, MEQENËSE KEMI LINDUR”.
Burimi: KultPlus.com